Ngjarje e vërtetë: Në vend se ta lija, ëndërroja VDEKJEN E TIJ (6)

  • 17 January 2018 - 16:22
Ngjarje e vërtetë: Në vend se ta lija, ëndërroja VDEKJEN E TIJ (6)

Shqipëroni atë mbrëmje u mundua jashtëzakonisht shumë që të mos na mungonte asgjë. E zura Pranverën se si mundohej ta robëronte me shikim, në të cilin Shqipëroni disa herë u përgjigj me një buzëqeshje gjysmë të vërejtur, por ai shikonte më shumë në drejtimin tim dhe ndihej në siklet për këtë gjë. Valdetja në fakt na kishte sjellë në këtë lokal, meqë e njihte Shqipëronin dhe donte t’i ndihmonte në sigurimin e klientëve. Në një moment, ajo u zhduk pasi që ai ia bëri me shenjë dhe e pash sesi biseduan diçka afër banakut. Shumë shpejt u kthye me porosinë e Shqipëronit, që të pinim diçka “nga shtëpia”. Pasi që Pranvera dhe Saranda shkuan deri në tualet, Valdetja u përkul paksa dhe më pëshpëriti se si Shqipëroni interesohej për mua dhe më pyeti a guxonte t’ia jepte numrin tim të telefonit. - E, Pranvera... - Hajde, more! Pranvera është e këndshme dhe simpatike, por nuk është tip i tij. Ajo është këmbëngulëse, e di edhe ti, por ai nuk e dëshiron. - Ah, sa e pashpirt që je, Valdete – i thashë duke e qortuar. - Vetëm reale. Pra? - Çka, pra? – e pyeta si e marrë. - A t’ia jap numrin tënd, apo jo? - Valdete, unë jam në lidhje... - Ha, ha, d.m.th. asgjë. Edhe më tej do të rrish e vetmuar në shtëpi, e tanimë kanë kaluar tri vjet?! Çfarë jete ke zgjedhur kështu, Iliriana? Deri kur do të presësh? Sikur ta kishte seriozisht, ai tanimë do të të ftonte që t’i bashkoheshe në Austri. Heshta, meqë fjalët e Valdetes më lënduan, por nuk mund ta mohoja vërtetësinë e tyre. - Jepja – i thash pa menduar dy herë. - A je e sigurt? - Plotësisht. Valdetja nxori celularin nga çanta dhe filloi ta shkruante një mesazh. - Hej, çka po bën? - Po ia dërgoj numrin tënd, nuk kemi më se çka të presim – ma ktheu duke më buzëqeshur. Mund ta ndjeja dridhjen e celularit të Shqipëronit dhe dorën e tij, e cila u fut në xhep, me qëllim që ta lexonte mesazhin. Buzëqeshja e tij triumfuese, të cilën ma dhuroi në atë moment, vinte në pah kënaqësinë e tij. Shumë shpejt unë dhe ai krijuam një lidhje virtuale duke dërguar SMS dhe duke bërë biseda të gjata telefonike. Kisha frikë nga ndonjë hap më vendimtar, meqë lidhja ime me Avniun zyrtarisht ende nuk ishte shkëputur, të paktën sa iu përkiste prindërve të tij dhe të mi, e dija edhe se Shqipëroni vazhdonte t’i pëlqente Pranverës, edhe pse nuk i jepte asnjë shenjë, me të cilën do ta trimëronte. Por, ai ishte këmbëngulës dhe, një mbrëmje, megjithatë u takuam. Tash e një kohë të gjatë isha e vetme dhe pa butësi, kështu që ai takim me të më erdhi si i porositur. Më pëlqeu dhe doja që të përsëritej. Kështu, në mënyrë sekrete vazhduam shoqërimin tonë më gjatë se një muaj. Kuptova që Avniu më mungonte gjithnjë e më pak, e as për Pranverën më nuk mërzitesha edhe aq. Bile e injorova thirrjen e Avniut që të shkoja te ai, meqë në ndërkohë ma kishte gjetur një punë. Ai ishte vonuar. Unë ndihesha shumë mirë në dyqanin tim të vogël. Isha mërzitur më duke u kujdesur se çka do të thoshin të tjerët dhe se a do ta lëndoja ndokënd. Më pesë mars, kurrë nuk do ta harroj këtë datë, rrija si e ngurosur në banjë dhe me mosbesim e shikoja testin e shtatzënësisë të cilin e kisha blerë një ditë më parë. Si kishte mundur të ndodhte një gjë e tillë?! Ne ishim ruajtur... Ajo shtatzënësi më zuri të papërgatitur. Dhe, më pas, ndryshova gjërat me themel. Mendimi i parë ishte që të shkoja në spital dhe ta bëja atë që mendoja se duhej ta bëja, por kjo nuk do të ishte e sinqertë ndaj Shqipëronit. Duhej t’i tregoja edhe atij. - Jam shtatzënë! – i thashë pa i rënë rreth e rrotull. - Je shtatzënë?! – përsëriti ai duke më shikuar me habi. (vijon) 

(Kosova Sot)