Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (36)

  • 21 January 2018 - 14:05
Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (36)

 Të njëjtën gjë e them edhe unë për ne, për shqiptarët, profesor...

- Ah, po! Se për pak të harroja. Në bazë të asaj që kam studiuar rreth gjuhës suaj, mund të them se shqipja është një gjuhë shumë e vjetër. Gjuhë me të cilën kanë folur grekët e lashtë.

- Grekët?! - Mos më keqkupto, Kujtim! Këtë e them kushtimisht. Nuk jam duke mohuar origjinalitetin e gjuhës shqipe, e as atë të popullit shqiptar. Në fakt, ju duhet të jeni krenarë që keni një gjuhë kaq të lashtë, që flisni gjuhën e perëndive të lashta greke... Nëse i thjeshtësojmë gjërat, mund të thuhet se shqipja, e cila ruajti shumë elemente që nga lashtësia, ishte një dialekt, apo ndoshta edhe dialekti kryesor i grekëve, apo pellazgëve të lashtë. Faktikisht, në bazë të njohurive të mia, e mos harro se unë e konsideroj veten një linguist shumë më të zotin sesa që jam i zoti si antropolog... Këtu edhe Moshe e edhe Kujtimi buzëqeshën. - ... mund të them se ju, shqiptarët e sotshëm, keni më shumë të drejtë që ta quani veten pasardhës të grekëve të lashtë, të këtij civilizimi të famshëm antik, sesa që e kanë këtë të drejtë helenët.

- E, në anën tjetër, janë mu grekët ata që më shumti na urrejnë dhe që ende refuzojnë ta njohin pavarësinë e Kosovës.

- Saktësisht! Kjo është për të të ardhur keq. Por, mos harro se, përpos grekëve, ju si shqiptarë, por sidomos ju në Kosovë, nuk keni marrëdhënie aq të mira as me një popull tjetër, me të cilin po ashtu keni shumëçka të përbashkët.

- Rumunët?! - Saktësisht. Me gjasë ke lexuar se, në të kaluarën, rumunët dhe shqiptarët jetonin në një ambient pak a shumë të përbashkët.

- Po, ndoshta për këtë edhe ka ngjashmëri midis shqipes dhe rumanishtes.

- Pa dyshim... Ka disa teori që thonë se rumunët e sotshëm janë dakë të romanizuar, derisa shqiptarët, paraardhësit e të cilëve preferonin që të jetonin në male, larg qendrave urbane, janë dakë të paromanizuar, apo origjinalë.

- E, ilirët, profesor? Historiografia zyrtare jona thotë se ne jemi pasardhës të ilirëve.

- E di... shiko... nuk di çka të them. Ilirishtja ka kaq pak të dhëna të shkruara që janë ruajtur. Faktikisht thuajse nuk ka as edhe një fjali të vetme, por janë ruajtur vetëm disa fjalë...

- Profesor, kjo temë më intereson edhe mua, sikur që 0shoh se të intereson ty... Por, ndonjëherë është vështirë, apo edhe e pamundur, të arrihet deri tek e vërteta.

- Apo, shtrohet pyetja çka është e vërteta? P.sh nuk mund të thuash se shqiptarët e sotëm janë ilirët e dikurshëm, sepse dihet që kombet lindën në shekullin XIX.

- Po. Edhe pse e kam të vështirë ndonjëherë ta kuptoj këtë teori. Pse, a nuk kishte shqiptarë para shekullit XIX, a? Derisa, po ta trajtonte këtë temë me ndokënd tjetër, Kujtimi do të ishte ai që do ta merrte rolin e ekspertit, duke ofruar përgjigje, e jo duke bërë pyetje, kësaj here ai me qëllim vendosi ta luante rolin e të painformuarit, vetëm për të parë se çfarë shpjegimi do të jepte Moshe.

- Këtë pyetje ma ka bërë edhe Aladini! - Kush?! Moshe qeshi me atë të qeshurën e tij karakteristike, të lehtë dhe i ra ballit me dorë.

- A, po. Ti nuk e di. Kur mendoj, në mendimet e mia, Aladin e quaj Dr Flamurin ndonjëherë, drejtorin tënd.

- Dr Flamurin?! Aladin? - E di, për shkak të atij arsyetimit të tij, se i ka 1001 punë. E di? 1001 punë... 1001 net... Aladini... Kujtimi nuk u durua pa qeshur me të madhe. Autor: H. B. I. (vijon)

(Kosova Sot)