Ngjarje e vërtetë: Fillova ta jetoja jetën, vetëm pasi që u ndava nga ai (1) - Dashuri - Kosova Sot
Ngjarje e vërtetë: Fillova ta jetoja jetën, vetëm pasi që u ndava nga ai (1)

Ngjarje e vërtetë: Fillova ta jetoja jetën, vetëm pasi që u ndava nga ai (1)

E ndala automobilin dhe dola që t’i mbushja mushkëritë me ajër, të cilit i vinte era det. Isha e mahnitur nga pamja që kisha përpara. Aq shumë më mungonte deti. Kisha kaluar me kilometra të tërë për të arritur deri aty, pasi që nuk kisha qenë me vite. E pyesja veten si kisha mundur të duroja tërë këtë kohë pa e parë këtë bukuri. Por, në fakt e dija shumë mirë se çka më kishte penguar që të kënaqesha duke e thithur ajrin e freskët të detit, të përzier me aromën e pishave. Gjithmonë në jetë për mua kishin pasur rëndësi më shumë gjërat e tjera dhe kurrë nuk isha mërzitur për veten time dhe për nevojat e mia. Më pas, në një moment, martesa jonë u gjet në krizë. Saimiri mbeti pa punë, e mua mu desh që t’i përvilja mëngët. Katër vjet më parë, kompania ku punonte burri im kishte falimentuar, ku të gjithë punëtorët kishin mbetur pa punë. Për ne kjo ishte një goditje e fortë, por nuk kisha lejuar që të binim në dëshpërim. Isha e bindur që Saimiri, me kualifikimet dhe përvojën e tij, shumë shpejt do të gjente punë. Por, nuk kisha pritur të vinte kriza. Kisha menduar se ajo kishte të bënte me të tjerët, e jo me ne. Por, Saimiri assesi nuk mund të gjente punë, prandaj mu desh mua t’ia filloja të punoja. Kisha fat sepse menjëherë ma ofruan një vend pune në një çerdhe private. Fëmijëve nuk iu nevojitesha më aq shumë, meqë ata tanimë shkonin në shkollë të mesme, kështu që kisha kohë të mjaftueshme për të bërë diçka tjetër. Punoja me gjysmë orari dhe nuk fitoja shumë, por të paktën mund të mbijetonim. Por, Saimiri ra në depresion, meqë ndihej si humbës. Vazhdimisht ishte nervoz dhe i ndjeshëm dhe nuk mund të pajtohej me faktin se isha unë tani ajo që sillja para në shtëpi. Në vend që të më falënderonte, apo të paktën, të përpiqej që të bashkëpunonte, në pritje të ditëve më të mira, ai ankohej vazhdimisht dhe kërkonte arsye për grindje. Pasi që grindeshim, me ditë të tëra nuk flisnim më. Nuk ka gjë më të keqe për një martesë, por ai nuk donte ta dinte këtë. Mendonte se i lejohej gjithçka, meqë nuk ndihej mirë dhe se kishte të drejtë që të ishte grindavec dhe nervoz. Por, kur merrja guximin që ta lusja të më ndihmonte diçka në shtëpi, ai reagonte shumë pahijshëm:

- A dëshiron të më shndërrosh në shërbëtor, të më poshtërosh deri në fund? – më thoshte duke më bërtitur. Çfarë pyetjeje ishte kjo? Ne jetonim bashkë në atë shtëpi dhe prisja pak më shumë gatishmëri për bashkëpunim. Fëmija shkonin në shkollë dhe ankoheshin se nuk mund të më ndihmonin, meqë iu duhej të mësonin. Pra, përpos që punoja jashtë shtëpie, nga unë pritej që të vazhdoja t’i bëja edhe punët e shtëpisë. Kur analizoja, shihja se Saimiri ndihej i ofenduar, fëmijët kishin tjetër punë, e unë, desha s’desha më duhej t’i koordinoja të gjitha obligimet. Askush nuk mërzitej a isha e lodhur apo a do të doja që edhe unë, sikurse burri, të shtrihesha gjerë e gjatë në kauç. Përpos që nuk kisha asnjë minutë të lirë, më duhej edhe ta ngushëlloja burrin, ta trimëroja atë dhe t’ia përsërisja që kriza do të kalonte dhe që shumë shpejt do të gjente punë. Por, në fakt, në horizont nuk kishte asgjë të re, me gjasë edhe për shkak se ai nuk ishte i gatshëm që të punonte larg shtëpisë. Nuk i pëlqente të udhëtonte larg, për çka edhe punë kërkonte vetëm në qytetin tonë, gjë që nuk ishte aspak e dobishme. (vijon) 

(Kosova Sot)

8 orë e 36 minuta më parë
16/08/18