Roman dashurie:Triumfi i dashurisë (37)

  • 22 January 2018 - 13:38
Roman dashurie:Triumfi i dashurisë (37)

- Edhe? Kësaj here Moshe ishte ai që e shikoi Kujtimin si i shushatur.

- Urdhëro, Kujtim?!

- Edhe, si iu përgjigje ALADINIT rreth asaj se a kishte shqiptarë para shekullit XIX?

- Ah, po... Kishte, por jo si komb... Më parë njerëzit identifikoheshin më shumë me fenë, apo me sundimtarin nën të cilin jetonin. Kjo ndoshta edhe na ka ruajtur neve çifutëve si komb. Meqë kemi pasur një fe origjinale, të cilën nuk e praktikonte kush përpos nesh, me gjasë ia kemi dalë që të mbijetojmë si çifutë edhe pse, sikur që thash, me një përbërje shumë të ndryshme gjenetike krahasuar me çifutët e parë. Edhe vetë u habitën kur panë se tanimë kishin hyrë në Prishtinë.

KAPITULLI I PESËMBËDHJETË

Moshe si dukej ende nuk mund të pajtohej me faktin që kishte dështuar të mblidhte të dhëna rreth Të Marteve, prandaj kishte filluar të bëhej me të vërtetë i mërzitshëm, duke insistuar që Kujtimi të angazhohej e t'ia caktonte një takim me dikë që dinte më shumë për këtë temë. Për nënën e vet, as që bëhej fjalë, meqë ditëve të fundit ajo ishte bërë tepër e irrituar, aq tepër sa që Kujtimi dhe vëllai, Besniku, kishin filluar të mendonin rreth gjetjes së ndonjë zgjidhjeje. Besniku disi bazohej më shumë te Kujtimi, si psikiatër (i ardhshëm) që ishte, por thënë të vërtetën, në rastet kur bëhej fjalë për të afërmit, nuk ishte edhe aq e thjeshtë të vendosje. Mundësia më reale dhe më e përshtatshme tani për tani iu dukej që ta dërgonin të ëmën të qëndronte disa javë te motra, në Angli. Personi tjetër i vetëm, që Kujtimi dinte se kishte njohuri për Të Martet ishte Ramizi. Ai gjendej në burg. Në fakt, ishte edhe nëna e tij, por as ky opsion nuk vinte në shprehje. Përësi për shkak të Ramizit, respektivisht për shkak të grindjes që kishin pasur pak para burgosjes së tij. Kur është fjala për Ramizin, Kujtimi kishte vendosur që, në një të ardhme të afërt, brenda disa ditësh, të shkonte e ta vizitonte atë në burg, pa marrë parasysh si mund ta interpretonte ai këtë vizitë. "Më mirë ta vizitoj edhe nëse e keqkupton dhe nuk i pëlqen fakti që e vizitoj, sesa të mos e vizitoj fare", mendonte Kujtimi me vete. Kujtimes, e më pas edhe Donikës dhe Rinorit iu kishte rënë lija e ujit, e cila më së shumti e kishte munduar Didën. Kështu, Sabrina tani kishte me çka "të merrej". Kujtimit i vinte keq që nuk mund të qëndronte më gjatë e t'i ndihmonte rreth fëmijëve. Zonja Emine, pavarësisht asaj se ishte femër me shkollë, insistonte në disa metoda tradicionale të mjekimit, të trajtimit të fëmijëve të prekur nga lia e ujit. Meqë Kujtimi dhe Sabrina nuk ishin pajtuar me metodat e saj, zonja Emine ishte bërë edhe më e zemëruar. "Nuk paska më keq sesa kur plakesh dhe askush nuk të vlerëson. Thuaja se unë nuk kam rritur kurrë fëmijë". Këto ishin fjalët që ajo i përsëriste thuajse tërë ditën, gjatë disa ditëve të fundit. Kujtimit i vinte shumë keq për këtë gjendje të së ëmës, i dhimbsej, sepse ishte shumë i lidhur me të, por nuk mund të bënte shumë për t'i ndihmuar. As që guxonte t'i propozonte përdorimin e ndonjë qetësuesi, sepse e dinte se ajo do të refuzonte kategorikisht, sikur që kishte bërë disa vjet më parë. Për shkak të kësaj situate, Kujtimi thuaja se kishte vendosur që t'i thoshte Moshes se, për fat të keq, do të duhej ta ndërpriste "bashkëpunimin" me të. Thjesht, nuk kishte kohë që të luftonte me mullinjtë e erës, sikur që ndonjëherë i referohej ai kësaj meselesë të së Marteve vetë me vete. Autor: H. B. I.  (vijon)

(Kosova Sot)