Ngjarje e vërtetë: Fillova ta jetoja jetën, vetëm pasi që u ndava nga ai (2) - Dashuri - Kosova Sot
Ngjarje e vërtetë: Fillova ta jetoja jetën, vetëm pasi që u ndava nga ai (2)

Ngjarje e vërtetë: Fillova ta jetoja jetën, vetëm pasi që u ndava nga ai (2)

Isha me të vërtetë e sfilitur dhe e lodhur, por kur për herë të parë mora pushimin vjetor, i rashë pishman që nuk punoja më. Ditët i kaloja duke gatuar dhe pastruar, e përpos kësaj më duhej t’i dëgjoja edhe ankesat e Saimirit. Kjo ishte bërë ankth i vërtetë për mua! Doja të dilja pak, të takohesha me ndonjë shoqe, të ndihesha e lirë. Por, e dija se, po ta bëja një gjë të tillë, Saimiri do t’i varte turinjtë dhe që ai, bashkë me fëmijët, nuk do të më linin rehat duke më thirrur në celular, për të më pyetur se kur do të kthehesha. Isha tepër e lodhur, e pushimi vjetor vetëm sa më rrëzoi edhe më shumë. U ktheva në punë edhe më e lodhur sesa para pushimit, por të paktën, isha e gëzuar që isha larguar nga shtëpia. Nuk ishte mirë që ta përjetoje familjen si barrë. Por, të paktën nuk mendoja për këtë dhe mundohesha që, plot optimizëm, të shikoja përpara. Më pas, një ditë, Saimiri më tregoi se kishte gjetur punë. Ai ishte punësuar te një vejushë, të cilën e kisha parë, por nuk e njihja, e e cila udhëhiqte një biznes familjar. Rroga ishte modeste, por vendi i punës së burrit tim ishte i larguar vetëm disa kilometra larg shtëpisë. Mora frymë lirshëm, meqë ai më nuk do të qëndronte tërë ditën në punë, duke u ankuar. Saimiri menjëherë filloi të punonte dhe jeta jonë u ndryshua menjëherë. Por, jo ashtu sikur që kisha dashur unë... Saimiri punonte shumë, e pasi që kthehej në shtëpi, nuk thoshte asgjë, rrinte i heshtur. Thuajse më nuk kishim marrëdhënie intime, por unë isha e bindur se shkak i kësaj ishte lodhja e tij. Nëna ime ishte ajo që mi hapi sytë. - Si qëndrojnë gjërat midis teje dhe Saimirit? – më pyeti papritur një ditë ajo. - Mirë, pse? – u habita unë. Kisha njëzet vjet martesë dhe ajo kurrë nuk ma kishte bërë një pyetje të tillë.

- A nuk i ke dëgjuar thashethemet rreth burrit tënd? – përsëri më pyeti. I hapa sytë. Për çka e kishte fjalën ajo? - Nuk e dija që Saimiri ishte temë interesante për bisedë – thash me gjysmë ironie.

- Si duket është, prej se ka filluar të punojë – më tha ajo. - Me gjasë flasin për shkak se bën një punë që nuk është profesion i tij. Por, unë nuk mërzitem për këtë. Mjafton që të punojë – i thash, duke u ndier krenare me burrin tim.

- Më duket se duhet të mërzitesh, meqë thashethemet kanë të bëjnë edhe me punëdhënësen e tij.

- Njëmend?! Athua njerëzit nuk kanë punë më të mençme? Janë duke shikuar seri të shumta, prandaj kanë një imagjinatë të zhvilluar! Edhe vetë ideja që Saimiri më mashtronte me dikë tjetër, më dukej qesharake. Isha tepër e sigurt se ajo thashetheme nuk ishte e vërtetë, sa që mendova të shkoj e t’ia thosha të gjitha Saimirit. Të paktën do të qeshemi së bashku, gjë që nuk e kishim bërë kaherë. Ja, tani të dy kishim një arsye të mirë për të qeshur. E parkova automobilin afër rrethojës mbrojtëse dhe hyra në pronë pa i rënë ziles. Saimiri me gjasë ishte në kopsht, apo edhe në arë, e unë doja ta befasoja. Nuk mu desh as të hyja, për të kuptuar se çka ishte duke ndodhur. Derisa kalova pranë një dritareje me perde gjysmë të hequra, pashë Saimirin dhe pronaren e shtëpisë duke u puthur në një kauç. Ai ishte duke e zhveshur me epsh. Për disa minuta shikova në atë dritare, si e hipnotizuar, e paaftë që të thosha, apo bëja ndonjë gjë. Më pas më kaploi zemërimi. Shikova përreth. A ishte e mundur që të mos kishte ndonjë kaci, me të cilat do t’ia thyeja duart atij të mjeri? E hapa derën me befasi dhe hyra brenda si cunam. (vijon) 

(Kosova Sot)

2 orë e 35 minuta më parë
14/11/18