Ngjarje e vërtetë: Fillova ta jetoja jetën, vetëm PASI QË U NDAVA NGA AI (4) - Dashuri - Kosova Sot
Ngjarje e vërtetë: Fillova ta jetoja jetën, vetëm PASI QË U NDAVA NGA AI (4)

Ngjarje e vërtetë: Fillova ta jetoja jetën, vetëm PASI QË U NDAVA NGA AI (4)

Saimiri e uli kokën, pëshpëriti një "më fal" dhe doli nga shtëpia.

- Nuk mund të besoj! - bërtiti Edita.

- As unë! Këtë kurrë nuk do ta prisja nga babai... Si ndihesh ti, nënë? - më pyeti Roberti. Në atë moment ia plasa vajit. Fëmijët më përqafuan dhe ndjeva se nuk isha e vetme, edhe pse e dija se bëhej fjalë vetëm për një moment dhe se, së shpejti, që të dy do t'iu ktheheshin obligimeve të tyre në jetë. Por, u mashtrova, meqë gjatë ditëve në vijim fëmijët nuk m'u shkoqën, duke u munduar që ta më përmirësonin disponimin dhe të më gëzonin. Bile i rregulluan edhe dhomat e veta. Sido që të ishte, lidhja e Saimirit me punëdhënësen e tij ishte bërë lajm i ditës në qytetin tonë, prandaj të gjithë më shikonin me keqardhje, duke thënë "e shkreta, nuk e ka merituar këtë". Një ditë, derisa nëna më shikonte e pikëlluar, i thashë: - Nëse ka diçka që nuk kam merituar, atëherë ai është një mashkull si ai. Kur ndalem e mendoj, shoh se më mirë do ta kem pa të, sesa me të! Nëna më shikoi e brengosur. Më tha se nuk duhej të isha e lumtur për shkak të shkurorëzimit, meqë një gjë e tillë paraqiste dështimin dhe turpin tim në jetë.

- A duhet të mbyllem në shtëpi, e të qaj? Jeta vazhdon dhe pa Saimirin do ta kem më mirë - i thashë, duke u munduar më shumë që ta bindja veten sesa atë.

- Nënë, mos ki merak! Çdo gjë do të jetë në rregull - i thashë në fund. E përshëndeta duke e përqafuar dhe, sapo dola jashtë, ngjyrat filluan të më dukeshin më të gjalla sesa rëndom, gjithçka më dukej më bukur. Mendimi se, kur të kthehem në shtëpi, aty më nuk do ta gjej Saimirin, tani nuk shkaktonte dhembje. Përnjëherë u ndjeva e lehtë dhe e lumtur. Isha e zonja e jetës sime, mund të bëja çka të doja… Nga deti më ndanin disa qindra kilometra, gjë që nënkuptonte disa orë vozitje, gjë që nuk ishte tepër shumë. Herën e fundit kur isha këtu, fëmijët kishin nëntë, respektivisht njëmbëdhjetë vjet. Gjatë dimrit ata sëmureshin shpesh, prandaj mjeku më propozoi që më shpesh t'i dërgoja në bregdet, që të qëndronin në ajër të pastër. Kohët e fundit punoja me orar të plotë dhe përfundimisht fillova ta merrja një rrogë të denjë. E Saimiri çdo muaj më dërgonte diçka për fëmijët. Ankohej se nuk mund të më dërgonte më shumë, por as unë nuk insistoja. Pak nga pak jeta ime filloi të ndryshonte. Tani zgjohesha të dielën në mëngjes pa brejtje të ndërgjegjes, e nëse nuk kisha dëshirë të gatuaja, atëherë i merrja fëmijët dhe dilnim për të ngrënë jashtë. Gjithë atë që nuk kishim mundur ta bënim derisa Saimiri ishte me ne, meqë vazhdimisht bënte vërejtje, tani e bënim me kënaqësi. Kur vendosa sërish që ta shfrytë- zoja pushimin vjetor, iu thashë fëmijëve se do të doja të shkoja në det.

- Kjo është një ide shumë e mirë! - tha me gëzim Edita.

- Dëm që ne nuk mund të vijmë me ty, meqë kemi obligime në shkollë. Ajo dhe Roberti ma mbushën mendjen që të udhëtoja vetëm dhe ta qerasja veten me pak pushim, i cili më ishte më se i nevojshëm. Ata ma rezervuan një dhomë nëpërmes internetit, ku përpos që çmimi ishte i volitshëm, mbuloheshin edhe darka dhe kafjalli. Bile, me paratë e tyre të kursyera, ma bënë një dhuratë të bukur.

- Këtë ta dhurojmë për ditëlindjen e ardhshme - më thanë. I përqafova me falënderim, e lumtur që kisha fëmijë të tillë. Ata më thanë se do ta fshinin shtëpinë dhe do ta përgatisnin bukën, të paktën një herë në ditë, kështu që mund të isha e qetë. Nëse do t'iu duhej ndonjë gjë, ata mund të llogarisnin në ndihmën e gjyshes. (vijon)

(Kosova Sot)

2 orë e 45 minuta më parë
27/05/18