Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (42)

  • 27 January 2018 - 13:41
Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (42)

Meqë ishte e diele, kishin vendosur që sot të dilnin në qytet, familjarisht. Kishte kohë që nuk kishin dalë, kështu që fëmijët ishin më se të entuziazmuar. Sidomos Didës nuk i zihej vendi vend nga gëzimi, por as Riki nuk mbetej fort prapa. Kujtimja kishte filluar të përgatitej, por pa manifestuar shenja të mëdha të gëzimit, disi në heshtje. Sabrina ishte veshur me kostum sportiv. Tash e dy ditë ajo ishte e mërzitur, meqë nuk e kishin pranuar në vendin e punës ku kishte konkurruar. Kujtimit i vinte keq për këtë, meqë nuk donte që gruaja e tij ta sakrifikonte karrierën për hir të familjes, fëmijëve. Natyrisht, fëmijët ishin në rend të parë, por vet e dinte se çfarë kënaqësie sillte puna në drejtimin e preferuar. Derisa Sabrina dhe vajzat ishin duke e përgatitur kafjallin dhe duke i bërë pastrimet rituale të mëngjesit, Kujtimi hyri në "Skype" për të biseduar me motrën dhe të ëmën në Angli. Sipas fjalëve të motrës, por edhe sipas bisedës që bëri me të ëmën, mund të thoshte se shkuarja në Angli kishte qenë më se e dobishme për zonjën Emine. Pasi e kreu bisedën, filloi që të shfletonte disa ueb faqe, në shqip dhe serbisht, nga ku merrte zakonisht informatat ditore. Thuajse gjithkund lajmi kryesor ishin viktimat siriane të sulmit me gaz nervor. Pamjet me të vërtetë ishin të tmerrshme, prandaj Kujtimi përkujdesej që të mos i shihnin as rastë- sisht fëmijët që i silleshin prapa. Herë shikonte fëmijët e tij që vraponin duke lozur pa brenga, e herë e drejtonte shikimin kah fytyrat dhe trupat e shtanguar të fëmijëve të vdekur sirianë. Këto viktima pritej që ta shkaktonin involvimin e SHBA-së në këtë konflikt, i cili deri tani kishte marrë rreth 100.000 jetë. Kujtimi shpesh mendonte sesi lufta civile në Siri, por edhe kasaphana në Egjipt, pas rrëzimit të presidentit të zgjedhur me votë të lirë, kishin bërë që e ashtuquajtura Pranverë arabe, të shndërrohej në një Ankth arab, i cili nuk kishte të sosur. Në raste të tilla ai mendonte se sa me fat kishin qenë kosovarët, që intervenoi "bashkësia ndërkombëtare", përndryshe tani Kosova me të vërtetë do të ishte serbe. Shpesh i kishte rënë të diskutonte qoftë me shokët, apo edhe me të tjerët, rreth asaj pse Perëndimi intervenoi në Kosovë me aq vendosmëri, kur shihet tani se nuk intervenoi në Siri përkundër asaj se regjimi kriminel i Asadit nuk mbetet aspak prapa atij të Milosheviqit, përkundrazi. Tani as ata më naivët nuk mendonin se një intervenim i tillë ishte rezultat i dëshirës dhe vendosmërisë për mbrojtjen e "demokracisë dhe të drejtave të njeriut", prandaj intervenimi në Kosovë ndonjëherë dukej si një enigmë e vërtetë, nyje e Gordit, sidomos duke pasur parasysh predisponimin antiislam të Perëndimit. Mendimi që mbizotëronte, e që edhe Kujtimit i dukej më logjik, ishte se shkaku kryesor i intervenimit amerikan dhe Perëndimor në Kosovë ishte qëndrimi dhe rreshtimi pro-rus i Serbisë. Ishte më se logjike që Amerika dhe Perëndimi të donin ta pengonin Rusinë që ta forconte pozicionin e saj në Ballkan. Meqë Serbia faktikisht ishte e rrethuar nga të gjitha anët me shtete anëtare të NATO-s (e, NATO gjendej edhe në Kosovë), si duket Perëndimi ia kishte arritur qëllimit. Një shkak tjetër i intervenimit në Kosovë mund të ishte pasuria nëntokësore e saj. Autor: H. B. I. (vijon)

(Kosova Sot)