Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (43)

  • 28 January 2018 - 16:04
Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (43)

KAPITULLI I NËNTËMBËDHJETË

Xhezides nuk i zihej vendi vend. Heeej, edhe Milazimovit po dilnin në shehër, e ajo po mbetet në fshat, në fshatin "ku bën dreqi vo". Asnjëherë nuk e kishte urryer burrin e saj më shumë sesa që e urrente tani. I dukej sikur tërë jetën kishte jetuar me një dështak, me një budalla të mjerë. Ndoshta Xhezidja nuk kishte edhe aq shumë faj, sepse "zdirgjja" e Fatimes, Luftimit dhe Nurijes në Podujevë kishte ardhur krejt papritur. Ajo kishte kohë që ëndërronte zdirgjjen në shehër, në mos në shehrin e madh, në Prishtinë, atëherë të paktën në Podujevë. Ëndërronte sesi do të përshëndetej me ato pak fqinje që i kishin mbetur, kjo me zemrën mal nga gëzimi, e ato me zemrën e bërë helm nga zilia. Bile, kishte vendosur që tërë gjërat që nuk do t'i merrte në shehër, t'ia falte Fatimes. "Ndoshta bëj sevap me këtë gjysë". Por, tani sikur dynjaja ishte kthyer mbrapshtë. Ishte Fatimja ajo që, me gjasë, do t'ia linte asaj rrangallat e veta... Për habinë e Kujtimit, por më shumë edhe të drejtorit të Klinikës së Psikiatrisë, dr Flamurit, zyrtarët e Komunës së Podujevës kishin reaguar menjëherë ndaj kërkesës së punëtorit social të klinikës, duke siguruar një banesë të vogël në Podujevë për familjen e pacientit Luftim. Por, kur ndaleshin e i analizonin gjërat, vinin deri te përfundimi se ky potez me gjasë ishte lidhur ngushtë me afrimin e datës së mbajtjes së zgjedhjeve lokale. Thjesht, "Milazimovit" ishin bërë me banesë falë dëshirës së LDK-së që ta fitonte edhe një mandat në Llap. Kjo bëhej më evidente nga fakti që çelësat e banesës së re, Luftimit ia dha vet kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, i përcjellë nga zyrtarët komunalë dhe nga një ushtri e tërë gazetarësh e fotoreporterësh, gjë që nuk ishte aspak normale, meqë këtë do të kishte mundur ta bënte shumë mirë vetëm kryetari i komunës, psh. Duhej të vinte koha e mbajtjes së zgjedhjeve, që politikanët të kujtoheshin për fshatin "ku bën dreqi vo", respektivisht për familjen e Murtezit, që jetonte në kushte të mjera që nga paslufta. Për çudi, idenë e shpërnguljes në Podujevë e priti mirë edhe vet Fatimja. Ndonëse mund të pritej që ajo, e cila kishte më shumë se trembëdhjetë vjet që nuk kishte dalë nga fshati, të rezistonte dhe të refuzonte që të shpërngulej, sapo ia përmendën idenë e banesës, menjëherë pranoi. Duke manifestuar një qetësi shpirtërore, të paparë te ajo tash e një kohë të gjatë, Fatimja iu ishte drejtuar fëmijëve, Nurijes dhe Luftimit.

- "Bija ime, Luta i nënës, e di se mund ta keni vështirë ta leni shtëpinë e babës tuaj, por më mirë është që ta lëshojmë këtë vend të mallkuar, e ndoshta kur të shkojmë atje, prapa vetes i lëmë edhe të gjitha sehiret që na i kanë bërë".

- "Mirë nënë. Ndoshta kështu shpëtojmë edhe nga ato Të Martet e hamamit", nuk ishte duruar pa reaguar Nurija. Por, Fatimja nuk kishte asgjë, derisa fytyra e saj kishte marë shpehjen e një njeriu që, përkundër dyshimeve të mëdha, për herë të parë ka edhe një dozë të shpresës. Me insistim të Dr Flamurit dhe Kujtimit, Fatimja dhe Nurija ishin vizituar nga një konsilium psikiatrash e psikologësh, me ç'rast ishte vërejtur se Fatimja kishte nevojë urgjente për trajtim psikiatrik, derisa Nurija - edhe pse manifestonte shenja të qarta të depresionit - për shkak të moshës ende të re, tani për tani u vendosur që vetëm të këshillohej nga psikologu, pa i përshkruar ndonjë terapi medikamentoze. Autor: H. B. I. 

(Kosova Sot)