Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (44)

  • 29 January 2018 - 15:35
Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (44)

Në fakt, kishte qenë vetë Kujtimi ai që kishte insistuar që Nurijes të mos i përshkruheshin ilaçe. Sapo e kishte parë, përsëri kishte mbetur i magjepsur nga bukuria e saj. Kjo ia kishte ngjallur edhe një ndjenjë të fajit, të ngjashme me atë që e kishte përjetuar pasi që e kishte refuzuar kërkesën e dr. Tinës për seks. E, Fatimja, për çudi, edhe kërkesën e mjekimit e pranoi pa diskutim. Luftimi ishte shumë i disiplinuar në përdorimin e ilaçeve dhe, përkundër asaj se kishte arritur një përmirësim për lakmi, vazhdonte që ta mbante kontaktin me Kujtimin dhe dr. Flamurin...

- Hajde n'dash me ngrënë. Buka është gati, bre të mbettë në fyt! Edhe pse gjysmën e fundit të fjalisë Xhezidja e tha me gjysmë zëri, si duket burri i saj, Brahimi, e dëgjoi mirë dhe, për dallim nga shumë herë të tjera, kur shtirej sikur kishin filluar ta linin veshët, kësaj here reagoi menjëherë.

- 'Qyre, lopo! Mblidhi mendtë, se po më duket që moti nuk ke hëngër dajak! Me gjasë Xhezidja ishte mësuar me këso kërcënimesh boshe të burrit të saj, sepse ende pa e mbaruar ai fjalën, ajo e pati përgjigjen në majë të gjuhës.

- Qysh bre nuk po t'vjen marre?! Heeej edhe Fatimja e trentë me cullët e vet u zdorgj në shehër, e ne mbetëm këtu si xhytyryma. - A lakmi po i merr asaj, a? He, kuku për ty. Po ajo është e sëmutë, ti thuaj shyqyr që iu ra ndërmend e i ndihmuan. As ne kurrgjë keq nuk jemi. Fëmijët shyqyr Zoti shëndosh si molla i kemi, tokë...

- O mjerë fëmijët kë e kanë babë! A mirë po të duket kur po i sheh që të zgjohen në pesë të sabahut, për të shkuar në shkollë në shehër, a? Duke ngritur tonin, si dhe duke kaluar nga pozita e shtrirë në atë gjysmë të ulur, Brahimi si duket filloi ta humbte durimin.

- Po çka u desh të bëja, oj e fshime?! Ata erdhën drejt e te Milazimovit, se ashtu e kishin vendimin. Çka duhej të bëja unë? - Pse more nuk i lute pak?! Pse nuk iu the se edhe ne duam të zdirgjemi? Se kemi mbetur këtu pa udhë, pa ambulantë, pa kurrgjë të Zotit. - Kush, bre?! Unë t'iu lutem zagarëve të LDK-së, a? Kurrën e kurrës!

- Po, po... Ti ke pikë prej Parisit! - Kur ishte koha, unë i rroka armët e luftova, nuk iu luta as shkijeve, e nuk do t'iu lutem as këtyre shkijeve tanë! Ka kohë... Kur ta marrin pushtetin ata që duhet, nuk do të ketë nevojë t'iu themi asgjë. As ta hapim gojën bile. Ata vet do të vijnë te ne.

- Priti ti, priti... Se ka me të dalë shpirti duke e pritur! Kësaj here Brahimi nuk mundi të duronte më, por e gjuajti Xheziden me një dru që e mori aty, para stufës. Por, Xhezidja ishte më e shpejtë dhe ai nuk e rroku.

KAPITULLI I NJËZETË

Kjo nuk ishte hera e parë që shihte një ëndërr të tillë. Ëndërronte sikur papritmas ishte bërë i vetëdijshëm që i kishin mbetur disa provime pa i dhënë, se në të vërtetë nuk e paska kryer fakultetin, por ja, i paskan mbetur pa i dhënë, disi pa dije edhe këto provime të fundit. Ndihej në siklet dhe e kaplonte një frikë e madhe se nuk do të mund t'i jepte këto provime. Autor: H. B. I. 

(Kosova Sot)