Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (46) - Dashuri - Kosova Sot
Roman dashurie: Triumfi i dashurisė (46)

Roman dashurie: Triumfi i dashurisė (46)

Në një rast të tillë, kur policia serbe kishin hyrë në atë ish-kafene, njëfarë Arsimi, të cilin Kujtimi e kishte pasur shok të klasës në vitin e dytë të shkollës së mesme, i ishte drejtuar profesorit, duke i bërtitur.

- Hajde, kamerier! Ku është më ajo kafe e hamamit? E profesori, përkundër asaj se ndihej në siklet nga prania e policisë serbe, nuk e kishte lënë lehtë Arsimin, studentin e vet, duke ia bërë një si kërcënim midis rreshtave.

- Qe, zotëri! Kafja është duke u zier. Pas pak do ta shijoni! Shpresoj se do të mbeteni të kënaqur. Policët okupatorë edhe ashtu nuk kishin kuptuar asgjë nga ajo që ishte thënë dhe, pasi që kishin bërë një të sharë dedikuar kualitetit kurrfarë të kafenesë, ishin larguar duke e rrapëlluar derën. Kishte edhe shumë momente të tilla nga ajo jetë e vështirë, por e paharruar. E, regjisorët tanë - mendonte Kujtimi - edhe ata pak filma që i bëjnë, shkojnë e i bëjnë abstraktë, apo edhe të pabazuar në realitet, sikur p.sh. filmi "Vjeshta e trëndafilave", i cili përkundër vlerave të pamohueshme, shkon e, në një pjesë të mirë të tij e përqendron ngjarjen në një kishë, respektivisht te priftërinjtë, gjë që duket mjaft false dhe e pashije, kur dihet se si Juniku, ku zhvillohet ngjarja e atij filmi, por edhe shumica dërmuese e popullsisë kosovare, ishin dhe janë myslimanë dhe se, një ngjarje e tillë - edhe po të ketë ndodhur në të vërtetë - në kontekstin kosovar nuk mund të duket ndryshe, pos si problem me identitet dhe si një lloj tentimi i pashije për t'u identifikuar me diçka të huaj. Kujtimi pajtohej plotësisht me kritikat që shkrimtari i famshëm Ismail Kadare ua kishte bërë me një rast kolegëve të tij kosovarë, duke i qortuar ata pse ishin përcaktuar për abstraksionizëm në krijimet e tyre. Zëri i gruas e ktheu nga kjo kohë e kaluar, por e paharruar, në realitet. - Dashuri, a qenke zgjuar, a? - Po, po. Por, po pushoj edhe pak.

- Diçka ke fol gjatë natës...

- E paskam parë atë ëndrrën, e di...

- Atë me provime, a? - Po de! - Uf, edhe ti! Hala me mendtë studentore ke mbetur! Sabrina u kthye në anën tjetër, e Kujtimi, pasi qiti njërën dorë pas kreje, u kredh përsëri në mendime, duke iu kthyer asaj periudhe të rëndësishme të jetës, gjatë së cilës edhe ishte njoftuar me Sabrinën. xx x Pasi pa se nuk ishte fija që të flinte më, u zgjua dhe, ashtu me rroba të gjumit, u ul para kompjuterit. Për habi, kësaj here para emrit të Moshes nuk ishte ndezur ajo drita e gjelbër, gjë që donte të thoshte se ai nuk ishte online. Por, pa se mbrëmë vonë, ai ia kishte dërguar një e-mail. "Dr. Kujtim. Ai përkthyesi të cilit ia kam dhënë atë dokumentin për ta përkthyer, më ka treguar se përmbajtja e dokumentit është tejet interesante dhe konkrete. E pata shumë vështirë ta gjeja një përkthyes adekuat, sepse ai duhej ta dinte osmanishten, shqipen e vjetër dhe atë bashkëkohoren. Në fund e gjeta një shqiptar të Sirisë, i cili duke ikur nga lufta, gjendej përkohësisht në Izrael, nga ku kishte ndërmend të shkonte në Amerikë. Nuk jam ende i sigurt, por më duket se kjo legjenda e Të Marteve mund të ketë edhe elemente nga jeta reale, e vërtetë. Për çdo eventualitet do të të njoftoj me kohë. Të lutem përshëndetma Flamurin! Shihemi! Moshe". Autor: H. B. I. (vijon) 

(Kosova Sot)

17 orë e 54 minuta më parë
25/02/18