Ngjarje e vërtetë: Si ma ndryshoi jetën një FEMËR E PANJOHUR (2)

  • 01 February 2018 - 14:01
Ngjarje e vërtetë: Si ma ndryshoi jetën një FEMËR E PANJOHUR (2)

Ishte disi e imët, por kishte një fuqi të hatashme dhe po shkëlqente me një gjallëri të hatashme. Madje edhe vetëm derisa po heshte dhe e relaksuar po shikonte rrugën para nesh, e ndieja se si te ajo po eksplodonte një energji e brendshme. Po mund ta vlerësoja se porsa ka mbushur të njëzetat dhe menjëherë mendoja me veten time se nuk duhet të jem i befasuar me faktin që një 20-vjeçare po pëlciste nga jeta. Është e mundur që edhe unë isha i tillë kur isha në vitet e saj, po mendoja duke e kuptuar në të njëjtin moment se kisha harruar kur isha 20-vjeç, atë ndjenjë e kisha harruar aq gjatë, sa që ndoshta mendoja me veten time, unë as që isha ndonjëherë njëzet vjeç. m- A po studion në kryeqytet - e pyeta, megjithëse ky fakt mua nuk po më interesonte aspak, vetëm sa për ta thyer qetësinë.

- Po, etnologjinë dhe antropologjinë - m'u përgjigj shkurt, në mënyrën që njerëzit zakonisht përgjigjen kur j bëhen shumë pyetje, pak me padurim e pak si mërzitshëm. M'u duke se ka një dhunti të madhe për dijen.

- A mendoni se jam e çmendur, pasi që po studioj diçka të tillë? Kurrë nuk do të mundem ta gjej një vend pune? Eh, shikoni, të gjithë ma thonë këtë po edhe nëse ma thonë se jo, unë e di se këtë e kanë në mendje. Unë nuk mendoj ashtu. Si e para, nëse do të jem shumë e mirë edhe do të gjej punë. Pos kësaj, kush thotë se nuk do të gjej punë, ndoshta edhe do të mashtrohen, sepse kurrë nuk i dihet, ndoshta do të has në punën e ëndrrave të mija. doshta dijen dhe shkathtësitë që i marr mund t'i përdor në mënyrën më të mirë të mundshme, kështu që herët a vonë karriera ime do të shkëlqejë. Ndoshta ndonjëherë edhe do të shkëlqejë, kush e di - me fortësi ngriti mjekrën lart dhe kafshoi buzët. Sa shumë ia kisha lakmi dhe sa shumë më pëlqente në ato momente. Përnjëherë ajo vajza e panjohur, e cila dukej se ishte e formuar nga një pluhur i artë, e që kishte zgjuar ndjenjat e mia dhe po ndihesha sikurse i ri.

- Jo, nuk po e mendoja këtë. Në fakt edhe mua m'u kujtua se kam dëshiruar të studioj diçka, që nuk do të më sillte shumë përfitime - e me fjalët më kishte rrëshqitur edhe një buzëqeshje e pikëlluar ashtu. - E përse nuk keni studiuar - pyetja ishte aq e thjeshtë dhe interesante se sa shumë më dhembte pas kaq shumë vitesh. - Nuk e di. Nuk po më kujtohet më. Me sa duket kam qenë qyqar dhe e kam regjistruar atë që ma kanë thënë të tjerët, atë që më këshillonin dhe besonin se do ta gjeja një punë të këndshme dhe një ekzistencë solide. E kam përfunduar ekonomikun - dhe me të vërtetë nuk po mundem ta kujtoj se çfarë kishte ndikuar më shumë në zgjidhjen time. - Uh, kjo me të vërtetë është e mërzitshme. Nuk e keni pasur lehtë. A ju është shpaguar së paku? - më shikoi ashtu, tashmë duke e kthyer fytyrën krejt në drejtimin tim. Për një kohë mendova rreth pyetjes së saj para se ta dhuroja një përgjigje: - Paj, po mendoj se më është shpaguar. Jam punësuar menjëherë porsa kam diplomuar dhe gjatë gjithë kohës po punoj. Nuk është një punë e keqe kjo që e kam dhe pagesa është e mirë, që ma mundëson një jetë të rehatshme. Duke e dëgjuar veten time, nga këto fjalë e kam kuptuar se sa i palumtur isha me njëzet vitet e fundit të jetës sime. Unë tashmë kisha kaluar të dyzetat dhe gjithë ajo që mund të thosha për jetën time është se kisha një jetë të rehatshme. Mjerim. Vajza nuk tha asgjë, por isha i bindur se e kuptonte fare mirë situatën time dhe shpjegimin e dhënë. Mbretëroi një qetësi dhe unë po mendoja se ajo kishte fjetur, kur papritmas më pyeti: - Si quheni? Nuk e di pse, por pyetja e saj disi më preku, sikurse ata filmat patetikë na shfaqin lotët në sytë tanë. M'u desh të pres që ajo frymë në gjoksin tim të qetësohej e më pas t'i përgjigjem: - Ferid. - Çfarë emri është ky - befas pyeti me një buzëqeshje në fytyrë, përderisa dhëmbët e saj po shkëlqenin sikur të ishin prej diamanti. (vijon)

(Kosova Sot)