Roman dashurie:Triumfi i dashurisë (48) - Dashuri - Kosova Sot
Roman dashurie:Triumfi i dashurisë (48)

Roman dashurie:Triumfi i dashurisë (48)

Edhe pse ajo vala e madhe e shqetësimit i kishte kaluar, prapëseprapë nuk ndihej rehat. E dinte se ndryshimet e papritura të personalitetit, të shprehive dhe preferencave, nuk ishin ogur i mirë, sidomos te të vjetrit, por në anën tjetër e qetësonte veten duke thënë se nëna, tek e fundit, nuk ishte se kishte filluar të fliste vet me vete, apo të manifestonte agresivitet. Ajo thjesht paska filluar të lutet. Kujtimi më pas filloi ta lidhe këtë me faktin se ajo ishte e moshuar dhe se, sikur çdo i moshuar, me gjasë mendon më shpesh rreth vdekjes, gjë që edhe ka mundur të ndikonte që ajo të bëhej besimtare. Shikoi kah Sabrina dhe pa se ajo kishte filluar të zgjohej. Për momentin vendosi që të mos i thoshte asgjë në lidhje me email-in e Albanës. Njëherë kishte nevojë që vet ta "përtypte" informatën që kishte marrë.

KAPITULLI I NJËZET E NJËTË

"Krejt popullsia, pa dallim, besojnë se Të Martat janë të vërteta, reale. Pushteti disa herë e ka trajtuar këtë çështje, duke u munduar që ta parandalonte përhapjen e frikës, si dhe duke dënuar persona të ndryshëm për herezi, por më kot. Unë, si hoxhë, kam pasur shumë raste të personave që kanë ardhur për të kërkuar ndihmë dhe mbrojtje nga Të Martat. As në Libër (mendohet Kuran - sqarim i përkthyesit) e as në literaturën që kam, nuk kam mundur që të gjej asnjë të dhënë rreth këtyre Të Martave, gjë që nënkupton se nuk kam gjetur as ndonjë udhëzim sesi duhet të veprohet në një rast të tillë. Për këtë shkak, të gjithë atyre që më janë drejtuar me këtë problem, iu kam shkruar hajmali të tilla, sikur që shkruaj për mbrojtje nga xhindet. Disa raste, sipas vlerësimit tim, kanë pasur të bënin me çmenduri, ku për fat të keq, zakonisht as hajmalitë nuk bëjnë punë. Atë që Allahu ta merr, nuk ka kush që mund të ta kthejë. Pjesa më e madhe e njerëzve që kërkojnë ndihmë në lidhje me Të Martat janë nga zonat e thella të fshatrave. Rastet në qytete kanë qenë tepër të rralla. Mirëpo, një rast i tillë, pra që ka ndodhur në qytet, këtu në Prishtinë, ka bërë që unë t'i shkruaj këta rreshta. Thjesht, që pasardhësit e mi, për të cilët besoj se, të paktën njëri nga ta, do të më trashëgojë në postin e imamit, të kenë njohuri se me çka kanë të bëjnë. Ky rast ishte më i ndryshëm sesa të tjerët". Kujtimit i kishte ardhur email-i nga Moshe, ku në "attach" gjendej dokumenti i përkthyer rreth Të Martave. Kishte filluar ta lexonte ashtu, sapo e kishte shkarkuar, i shtyrë nga kurioziteti dhe disi nuk mund të ndalej. "Ky rast ka ndikuar shumë te unë, përkundër përvojës së gjatë që kam në zanatin tim dhe përkundër të gjitha atyre sprovave që kam kaluar gjatë kësaj kohe. Rasti ishte edhe më specifik, për shkak se ndodhi në familjen e imamit të nderuar, mulla Ademit, i cili është shumë i zoti si imam dhe ka një iman shumë të fortë, prandaj gjithmonë e kam pasur si yrnek. Derisa ishim më të ri, ia kisha edhe zilinë, meqë ishim në një gjeneratë dhe ai ishte studenti më i zgjuar. Por, me kalimin e kohës, zilia u shndërrua në një dashuri vëllazërore vetëm për hir të Zotit, pa kurrfarë interesi të kësaj bote. Autor: H. B. I. (vijon)

(Kosova Sot)

2 orë e 43 minuta më parë
21/05/18