Ngjarje e vërtetë: Si ma ndryshoi jetën një femër e panjohur (5)

  • 04 February 2018 - 13:26
Ngjarje e vërtetë: Si ma ndryshoi jetën një femër e panjohur (5)

Përgjigjet e Hanës ishin në formë të vetullave të ngritura, prandaj ndjeva nevojën që të sqaroja: - Ka shumë punë dhe për gjithçka nevojitet mund dhe kohë.

- Dhe? Ku qëndron problemi? - insistonte ajo.

- Te fakti që unë jam tepër i vjetër për të filluar gjithçka nga fillimi.

- Sa vjet keni? - më pyeti duke më matur me sy. Fillova të belbëzoja diçka, duke dashur me çdo kusht ta ndërpritja këtë bisedë e cila kishte marrë një rrjedhë të paparashikueshme, por Hana vazhdonte që të injoronte dhe thjesht, e mori patentë shoferin tim që gjendej i varur në pasqyrë.

- Keni vetëm dyzetedy vjet, e mua më thoni se e keni njërën këmbë nën dhe. Fundja, a nuk jeni tani në moshën më të mirë apo si quhet kjo moshë? Shtrembëroi buzët majtas, e më pas mu bashkëngjit me një të qeshur të zëshme. Kishte të drejtë! Ajo vogëlushe kishte të drejtë! E me të vërtetë ishte qesharake që një femër e re, deri dje vajzë, e cila përfundoi rastësisht në automobilin tim, të më detyronte të pranoja se sa të mjera ishin arsyetimet me të cilat arsyetoja qyqarllëkun tim.

- Mirë, kërkoj falje. Edhe pse mendoj se kjo është super dhe se nuk do të duhej ta fshihnit talentin tuaj, megjithatë ka të ngjarë që e teprova paksa. Me gjasë keni një familje për të cilën ju duhet që të përkujdeseni - tha Hana duke u bërë më serioze. - Në fakt nuk jam i martuar. Dhe, nuk kam fëmijë - mu desh ta pranoja, gati me dëshpërim, por duke dashur që ta parandaloja atë që ajo donte të thoshte, ia prita: - Kam një të dashur, Meritën. Jemi bashkë tash e tri vjet. Hana mori frymë thellë, duke bërë me dije se e humbte durimin dhe më pyeti: - Dhe, ku qëndron problemi?

- Çfarë problemi ?! - pyeta unë me habi.

- Prisni! Ju doni të më thoni se të rriturit mbajnë lidhje të cilat nuk zhvillohen? Duhet të ketë diçka. Ose ju nuk e doni atë, ose ajo nuk ju do juve, ose...

- Jo, more! Vetëm, unë jam dhjetë vjet më i vjetër se ajo - i thash me të shpejtë. - Përpos kësaj, që në fillim të lidhjes Merita ma ka bërë me dije se, për të, karriera dhe puna kanë rëndësi primare dhe se nuk ka ndërmend të martohet. Si duket, Hanës nuk i pëlqeu kjo që thash, prandaj mua mu desh që të vazhdoja. - Ku qëndron tani problemi? Ajo vetë ma tha këtë!

- Dhe, ju i besuat?! Budalla nuk dukeni, gjë që d.m.th se ose jeni naiv, ose qyqar. Jeni tash e tri vjet në lidhje, të lumtur me njëri-tjetrin, e ju besoni se ajo nuk dëshiron më shumë? Mos ndoshta ka ndërruar mendjen? - Nuk e besoj. Me gjasë do të ma thoshte këtë - thash i mërrolur.

- Ndoshta është e turpshme, apo e pasigurt. Ndoshta është tradicionale, prandaj pret që ju ta bëni hapin e parë - tha ajo duke rrudhur supet. Si nuk më kishte shkuar ndërmend një gjë e tillë!? Kur kishim dalë për herë të parë, dhe kur Merita më ishte paraqitur si femër e re, ambicioze, gjatë tërë mbrëmjes unë i kisha folur rreth asaj se sa më pëlqente jeta e beqarit dhe sesi mendoj se nuk jam i bërë për të qenë bashkëshort dhe baba. Me gjasë ajo e ka mbajtur mend këtë monolog timin.

- Mendoj se më mirë është që të dashurës tuaj t'ia thoni sa më parë se çka ndieni rreth saj. Kam frikë se ajo mund të lodhet duke pritur propozimin tuaj për martesë - tha Hana, duke bërë me kokë, sikur ndonjë plak i urtë i lindjes së largët.

- Kush je ti? Engjëlli im roje? - e pyeta me ngazëllim edhe një herë.

- Mos flisni marrëzira! Unë jam thjesht një e panjohur, të cilës vendosët që t'i ndihmoni, duke e marrë nga rruga - tha ajo lirshëm. Fund

NGA NESËR MUND TA LEXONI TREGIMIN TJETËR, TË BAZUAR NË NGJARJE TË VËRTETË "PËR TË MË NUK ISHA 'NË MODË'"!

(Kosova Sot)