Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (51)

  • 05 February 2018 - 15:36
Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (51)

- Kurrkush nuk më ka faj, përpos vetes sime!

- Ramiz, harroje këtë gjë...

- Jo, jo! E shkuar, por assesi e harruar! Duhet të nxjerr mësim nga kjo që më ndodhi.

- Natyrisht... Por, vazhdo tani me jetën, me mësimet, jo sikur nuk ka ndodhur asgjë, por merre këtë si një fillim të ri. - Po, more! Mos u mërzit për mua! Të dy qeshën lehtazi.

- I fortë jam unë! Katundar, më! Përfundimisht mund të thuhej se akulli ishte thyer. Përsëri ishin në gjendje që të bisedonin gjerë e gjatë, sikur dikur, pa teklif, si dy shokë më. Këtë edhe e bënë. Biseduan edhe gjatë drekës, aq sa mundën nga zhurma e fëmijëve, Rikit dhe Smajlit, të cilin Riki e kishte ftuar për drekë. Kjo nuk ishte hera e parë që fëmijët e shihnin Ramizin, kështu që nuk hezitonin ta përfshinin edhe atë në bisedat e tyre. Sabrina e pyeti Ramizin pse nuk e kishte marrë edhe Miradijen, të shoqen, por ai iu tregoi se vinte nga klinika, ngase kishte menduar se do ta gjente Kujtimin aty. Nga java tjetër do t'ia fillonte punës. Ramizi u habit kur mori vesh që Kujtimi vazhdonte të merrej ende me atë meselenë e Të Martave. Për këtë shkak, Kujtimit iu desh që t'ia shpjegonte të gjitha. - Shihe ti! Albanolog çifut! Dhe, përpos kësaj, antropolog dhe sociolog. Kujtimit iu duk sikur vërejti një lloj nervozizmi në zërin dhe fytyrën e Ramizit, derisa i thoshte këto fjalë, të cilat kishin të bënin me Moshen.

- Ramiz! Moshe është paksa i çuditshëm, por është njeri i mirë. Një enciklopedi e gjallë... - Kujtim. Nuk dyshoj se ai është i mençur. Por, çifut është...

- E, çka ka lidhje?! - Jo, nuk ka asnjë lidhje. Përpos që është pjesëtar i popullit që tash e 60 vjet vrasin dhe torturojnë një popull të tërë.

- Nejse, nëse shikojmë kështu, atëherë... Por, ti e di se nuk duhet t'i përgjithësojmë gjërat.

- E di. E di, Kujtim djali. Por këta, çifutët, sherrin e madh e kanë. Kujtimi nuk tha asgjë. Nëse pak më parë ishte ndier i lumtur për shkak se përsëri i ishte kthyer shoku i ngushtë, tani iu duk sikur para vetes kishte dikë tjetër, një Ramiz pak më ndryshe. Papritmas Ramizi brofi në këmbë.

- Ku po shkon? Ulu, more! Ende është herët...

- Nuk po shkoj Kujtim, jo! Vetëm desha të shkoja deri në banjë. Pasi që Ramizi shkoi në banjë, Kujtimi filloi ta pyeste veten pse i tregoi atij rreth Moshes. Më mirë të mos ia kishte përmendur. Por, në anën tjetër, nuk kishte pasur si ta dinte se ai do të reagonte ashtu.

- Kujtim! Ishte zëri pëshpëritës i Sabrinës ai që e largoi nga mendimet.

- Kujtim! Ramizi u skajua në një kënd të korridorit dhe po falet!

- Çka?! Sapo i tha "po falet", menjëherë iu kujtua e ëma dhe fakti që, tash e dy-tri ditë, nuk kishte folur me të, për shkak se kishte qenë tepër i zënë. - Nuk e kam ditur që ky falet...

- As unë, Sabrinë... Por, çka ka këtu? Dëshiron të falet - le të falet! Edhe Kujtimi foli me gjysmë zëri. Tani definitivisht e kishte të qartë se Ramizi kishte ndryshuar. Iu kujtuan fjalët e një plaku, babait të një pacienti që ishte i shtrirë në repartin e forenzikës, i cili para pak ditësh, gjatë bisedës, i kishte thënë "burgu të bën tjetër njeri. Ja të qet në udhë të drejtë, ja të trenon krejt". Atëherë nuk i kishin bërë përshtypje këto fjalë të plakut, por tani sesi iu dukën kuptimplota, duke pasur parasysh shokun e tij, Ramizin. "Ja, për këtë shkak paska filluar ta lëshojë mjekrën", mendoi Kujtimi. Autor: H. B. I. (vijon)

(Kosova Sot)