Ngjarje e vërtetë: PËR TË MË NUK ISHA “NË MODË”! (1)

  • 05 February 2018 - 15:56
Ngjarje e vërtetë: PËR TË MË NUK ISHA “NË MODË”! (1)

Ishte prilli, herët në mëngjes. Koha ishte e mirë, por deti ishte ende i ftohtë. Por, sikur të mos hyja në ujë, me gjasë do të shpërtheja nga inati, për shkak të fjalëve të tij të rënda, që m'i kishte thënë.

- Ke mundur të vije edhe me këtë rrobë të gjumit, ajo duket njësoj si fustani yt solemn. Unë me kostum, e ti me lecka. Por, edhe ashtu kjo nuk është asgjë e re - më tha atë mëngjes, derisa atë mëngjes, pasi që tërë natën e kishim kaluar jashtë, ishim duke u përgatitur për të rënë në shtrat. Në fakt, qyteti kishte organizuar një mbledhje të madhe të veprimtarëve të kulturës të qytetit tonë dhe të mysafirëve nga qytetet e tjera. Agoni ishte truri i atij tubimi të madh, i cili zhvillohej në teatrin tonë dhe i cili përfshinte paraqitjen e veprave nga fushat e ndryshme të artit dhe kulturës, një ankand humanitar, ndarjen e shpërblimeve të ndryshme, do të kishte interpretime e edhe paraqitje të kreatorëve tanë. Ai ishte një organizator i madh i cili me javë të tëra ishte i ngarkuar me të gjitha dhe kishte punuar tepër shumë. Pas këtyre fjalëve, Agoni mori jastëkun dhe jorganin dhe shkoi në dhomë të ditës.

- Agon... - desha t'i them që të rrinte në shtrat, sepse edhe ashtu, pas atyre fjalëve, nuk bëhej fjalë që të flija, por më ndërpreu zëri i tij i ashpër: - Mos më fol! Kur dola në plazh, dielli ishte i kuq. Derisa deti mbulonte trupin tim, e dija se fustani im nuk ishte shkak i zemërimit të tij, por një femër leshverdhë, manekine dhe këngëtare e njohur e re, ajo të cilën gjatë tërë natës e kërkonte me shikim, për shkak të së cilës evitonte shikimin tim. Ajo ishte faktori që kishte ndikuar që Agoni të vendoste për ndryshime në jetën e tij. Përpos kësaj arsyeje, ekzistonte edhe një tjetër. Kishte kohë që unë e dija që qyteti ynë, të cilin unë e konsideroja të madh, për Agonin përnjëherë ishte bërë i ngushtë. Për këtë shkak, sonte ai u shtir kinse edhe pritja, shëtitja dhe përcjellja e mysafirëve ishte punë e tij. Mendonte se nuk ishte evidente pse mundohej aq shumë. Agoni më nuk donte të ishte njeriu i rëndësishëm në prapavijë, por njeriu i rëndësishëm në qendër të vëmendjes. Ambicia është gjë e tmerrshme. Por, këtë nuk e dinte vajza e bukur dhe e popullarizuar, sikur që nuk e dinte as faktin që mu ajo do t'ia përgatiste atij rrugën për t'u larguar nga qyteti. Ajo në anën tjetër mendonte se Agoni ishte rast i mirë, një mbrojtës i cili do ta mbronte nga peshkaqenët e ndryshëm. Që të dy kishin harruar se ende ishte gjallë dashuria ime dhe e Agonit, gjë që më pikëllonte. Ajo që unë nuk e dija, e që e mora vesh këtë mëngjes, ishte fakti se për Agonin isha bërë pengesë, barrë për realizimin e ambicieve të tij, një barrë të cilën ai donte ta hiqte qafe. Ky zbulim te unë ngjalli një ndjenjë të palakmueshme, meqë ky nuk ishte qëllimi im. Kurrë nuk do t'ia zija udhën. Ajo që ai nuk e dinte, ishte se dashuria e tij ndaj meje ende e mbante të lidhur për mua, e jo unë si person. Dashuria e madhe, të cilën tani donte papritmas ta hiqte qafe. Mu për shkak të asaj dashurie të madhe, ai atë mëngjes më sulmoi, por nuk kishte fuqi që të ballafaqohej me mua. Për dallim nga Agoni, mua mbrëmë nuk mu desh që të zgjidhja me kë do të shoqërohesha, meqë kishte kohë që njihja shumë njerëz, kryesisht ata nga qarqet kulturore, meqë edhe vetë i takoja atij ambienti. Fundja, aty ishte gjithmonë edhe shoqja ime më e mirë, Anita. Megjithatë, ndihesha tepër e vetmuar meqë më mungonte Agoni im, i cili shoqërohej me një botë të ndryshme nga ajo imja. Dhe, derisa e përcillja me shikim, shpirti më dhembte nga frika për shkak të asaj që pasonte, për shkak të asaj që ma kishte caktuar fati dhe që kishte kohë që e dija se çka do të ndodhte. Por, mendoja, duheshim çmendurisht, gjë që nuk mund të harrohet vetëm ashtu, hajt. Duhemi edhe sot. Me gjasë do të mbizotërojë dashuria. Pasi që dola nga deti, tanimë isha gjakftohtë. E dija se çdo gjë kishte marrë fund dhe se duhej ta përgatisja Agonin për qytetin e madh, në botën të cilën ai e dëshironte aq shumë. Rasti për këtë u shfaq disa ditë më vonë, pasi që pasionet tanimë ishin qetësuar, e ai e kishte vënë nën kontroll shqetësimin e tij. (vijon) 

(Kosova Sot)