Ngjarje e vërtetë: PËR TË MË NUK ISHA “NË MODË”! (4)

  • 10 February 2018 - 16:56
Ngjarje e vërtetë: PËR TË MË NUK ISHA “NË MODË”! (4)

Më pas e pyesja veten a ishin për Agonin barrë tepër e rëndë besimi, e vërteta dhe besnikëria. Mezi arrita të paguaja dhe dola me vrap nga dyqani. Përsëri kisha mbetur pa ajër. Shpesh më ndodhte një gjë e tillë. Ndonjëherë më dukej sikur do të më ndalej fryma sapo mendoja për ata të dy, të cilët shpesh i shihja nëpër media, sesi kënaqeshin me njëri-tjetrin. Atë ditë, e shtyrë nga diçka e padukshme, u nguta për në shtëpi, që ta përfundoja skulpturën e fundit – një zemër me ferra. Dhe, derisa në atë skulpturë fusja ndenjën time më të re, të të mbeturit pa frymë, vendosa që ajo të ishte skulptura e fundit që do të dilte nga duart e mia, e cila do ta simbolizonte dhembjen. Vendosa që kurrë më, ama bash kurrë, nuk do të ligesha kur ta shihja buzëqeshjen tepër të hijshme të Agonit, duke dominuar në ballinën e ndonjë reviste. Atë verë ngela shtatzënë me një amerikan. Ai zotëri sharmant, me arsimim të lartë, i informuar, një udhëtar i cili kishte shëtitur tërë botën, kishte mbetur i mahnitur nga veprat e mia. Disa prej tyre edhe i bleu, e mua më çoi në shtrat. Ishte mirë ta njihje dikë të ndryshëm pas tërë asaj kohe, duke ndier dashurinë e tjetrit ndaj teje dhe duke ia lejuar vetes afërsinë me dikë. Por, në fakt një lidhje e tillë më dëshpëroi pa masë. Kurrë më nuk ia lejova vetes një gjë të tillë. nuk doja që të isha një grua e dëshpëruar, doja të isha një grua e dashur nga ndokush, gjë që nuk mund të isha më. Kur u ndava nga ai, ia dhurova një lule nga teli, e ai ma dha dhuratën më të madhe të natyrës – një fëmijë.

- Ti qenke shtatzënë! – bërtiti Anita dhe më përqafoi fort.

– Je shtatzënë! – bërtiti sërish edhe më me zë dhe përsëri më shtrëngoi. – E lumja ti, e zure trenin e fundit – më tha me ngazëllim, e unë nuk thash asgjë, meqë kisha mbetur pa fjalë. Isha tepër e lumtur. Aq e lumtur sa që me ditë të tëra qava nga gëzimi. Isha aq e gëzuar, sa që frikohesha nga ai gëzim. Isha aq e gëzuar sa që mendoja se do të çmendesha duke pritur atë moment kur do ta merrja në duar fëmijën tim. Melit nuk i tregova se do të bëhej baba. Këtë ia lashë fëmijës që të vendoste. Linda në pranverë. Përfundimisht e prita atë moment, përfundimisht kisha dikë që ishte vetëm i imi e unë vetëm e tija. Dhe, vajza ime, Ana, ma ndryshoi jetën në tërësi. Gjithçka që bëja ishte për të dhe për shkak të saj. Ishte një fëmijë i mirë, kryekëput më ngjante mua. Ishim vetëm unë dhe ajo, vetëm ajo dhe unë. E mishërova në forma të ndryshme në skulpturat e mia, numri i të cilave sa vinte e rritej përreth nesh. Shkurorëzimi pas 15 vitesh të jetës idilike, thoshte titulli nga ballina e një reviste, që gjendej në një vitrinë përballë nesh, mua dhe Anitës. - A kaq vite kanë kaluar, a? – më pyeti shoqja ime.

- Koha fluturon – ia ktheva me buzëqeshje.

– Shikoje Anën – ia bëra me kokë kah vajza e rritur, e cila shëtiste rrëzë detit. - Ta dish, ndonjëherë ta kam lakmi për tërë këtë guxim dhe pavarësi. Çdo gjë që të ndodhi e tejkalove pa zemërim, i mbete besnike vetvetes, Anës, miqve, punës, vlerave shpirtërore. Ndonjëherë më duket sikur nuk je njeri i rëndomtë, e herëve të tjera se vetëm i fshehë emocionet me mjeshtëri dhe se, edhe te ti, duhet të ekzistojë, të paktën një kokërr ligësi njerëzore – tha ajo duke qeshur. Edhe unë ia ktheva me një të qeshur të zëshme.

- Natyrisht që jam qenie njerëzore, me të gjitha të metat dhe të mirat e mia, por sekreti qëndron te fakti se atyre gjërave të këqija, unë nuk ua lejoj që të dalin në sipërfaqe. E edhe nëse dalin, shumë shpejt i kthej brenda. Thjesht, jam falënderuese për gjithçka që ma ka dhuruar jeta, e ajo më ka dhënë aq shumë, një gjyshe të mirë dhe të dashur, një shtëpi, një pamje të bukur, dashurinë e Agonit, Anën. Dhe, përkundër humbjes së prindërve dhe ikjes së Agonit, ndihem aq e pasur, ndihem e ledhatuar nga jeta. (vijon) 

(Kosova Sot)