Roman dashurie:Triumfi i dashurisë (57)

  • 12 February 2018 - 16:46
Roman dashurie:Triumfi i dashurisë (57)

"Po çfarë të Marteje të hamamit, bre?", mendoi me vete.

- Faleminderit, mixhë!

- Po, ti a je gazetar, a? A je jabanxhi k'tu, a?

- Jo, mixhë, këtu jam le e jam rritë, po veç më interesoi, ashtu... Përkundër shikimit pyetës të plakut, u largua me nguti, meqë donte të mbërrinte sa më shpejt te vetura. Edhe pse në fillim pati ndjenjën se e sqaroi këtë punë, më pas filluan që t'i lindnin dyshime. "A prite që të të thoshte po, ky është varri i Të Martës, të cilën e ka vra mulla Ademi? Me gjasë këtë gjë e kanë mbajtur sekret, duke krijuar një gojëdhënë, se aty gjendet i varrosur një punëtor. Duke hyrë në veturë, qeshi vet me vete. Për një moment vetja iu duk sikur Robert Langdoni, ai personazhi i librave të Dan Brownit, i cili nga kisha në kishë, nga statuja në statujë, kërkonte gralin e shenjtë, apo diçka tjetër të ngjashme, ekzotike. "Më mungojnë vetëm edhe rrobat e 'tweed'-it për t'u bërë një Langdon kosovar. Apo, Langdoni shqiptar, në vend se nga 'tweed'-i, duhet të ketë rroba zhguni"? Qeshi vetë me vete. Deshi të kthehej në shtëpi, por papritmas e theu udhën. "Pse të mos shkoj edhe te Xhamia e Madhe, me këtë rrugë? Aty me gjasë do ta gjej dikë". Edhe aty e pati vështirë të gjente vend parkimi, prandaj veturën e la më larg, në rrugën ku gjendej ndërtesa e RTK-së. U ngjit rrugës përpjetë, për te Xhamia e Madhe. Meqë ishte një ditë e mirë vere, në oborrin e xhamisë gjendeshin shumë njerëz, kryesisht pleq, por ishin edhe disa të rinj, ca prej tyre me mjekra dhe me pantallona të shkurtër. Me gjasë për shkak të asaj që kishte lexuar dhe parë në media, Kujtimi sikur ndjente një averzion ndaj tyre. Kur u afrua, pa edhe një hoxhë, me kapelën e tij karakteristike në formë cilindri. Kur ia pa fytyrën, pa se ishte vet ai - mulla Shefqeti, i cili tanimë ishte bërë fytyrë mediatike dhe të cilin e kishte parë shpesh në debate TV dhe në portale të ndryshme. Duke iu afruar, i cingëroi telefoni. Pa se e thërriste Sabrina, por menjëherë e mbylli telefonin. Nuk donte që t'i ikte hoxha. Nuk iu desh shumë që t'i kujtohej sesi e kishte përshëndetur ai plaku.

- Selam alejkum, hoxhë! - Alejkujm selam, i nderuar! Hoxha u ndal dhe, pas përshëndetjes, ia zgjati dorën. Shtrënguan duart dhe, pas pyetjeve të rëndomta të kurtuazisë, Kujtimi megjithatë mendoi se nuk mundej, vetëm ashtu, të pyeste atë që i interesonte. E, mulla Shefqeti, pasi që Kujtimi për një moment nuk foli, me gjasë mendoi se ai vetëm kishte dashur të përshëndetej me të, prandaj vazhdoi e hyri në xhami. Kujtimi mbeti në mes të udhës. Nuk dinte a të hynte, apo tërë këtë mesele ta linte për një ditë tjetër. Papritmas filloi ezani. Të gjithë filluan të hynin brenda. Hyri edhe ai.

KAPITULLI I NJËZETEPESTË

Shpesh ndodhë që ngjarjet të cilat i konsiderojmë të veçanta të dalin të jenë krejtësisht të rëndomta, për të mos thënë të parëndësishme dhe, anasjelltas. Momentet të cilat i konsiderojmë të rëndomta dhe të parëndësishme, të dalin krejtësisht ndryshe, vendimtare dhe përcaktuese për pjesën tjetër të jetës sonë. Kështu, Kujtimi gjithmonë kishte menduar se kishte një martesë të lumtur dhe stabile. Sikur ndokush ta pyeste se a mund të ndodhte që të ai të ndahej nga Sabrina, me gjasë do të qeshte, duke lënë të kuptohej se një gjë e tillë ishte aq e pamundur, sa që, kur thuhej, dukej qesharake. Autor: H. B. I. (vijon) 

(Kosova Sot)