Roman dashurie:Triumfi i dashurisë (58)

  • 13 February 2018 - 17:30
Roman dashurie:Triumfi i dashurisë (58)

Edhe kjo e papritur duket se ndodhi. Si vetëtima në të kthjellët. Kur i kishte cingëruar telefoni derisa ishte para Xhamisë së Madhe, e kur nuk e kishte hapur atë, pasi që kishte menduar se Sabrina vetëm donte ta pyeste se ku ishte, as që i kishte shkuar mendja se, në fakt, ajo donte t'i thoshte se midis tyre çdo gjë kishte marrë fund (ashtu kishte vendosur ajo) dhe se ajo tanimë kishte një të dashur, me të cilin donte të martohej. Kujtimi e mori vesh këtë kur shkoi në shtëpi, e gjeti letrën lamtumirëse të saj, të ngjitur në derë të frigoriferit. Nuk mund t'i besohej. Në fillim kishte menduar se Sabrina i kishte bërë një shaka të pakripë, bile filloi të buzëqeshte derisa ishte duke lexuar fjalët e para të letrës, por më pas pa se nuk kishte asgjë qesharake në atë letër. Iu duk sikur një ndërtesë e madhe, që simbolizonte jetën e tij, të cilën e kishte ndërtuar me shumë mund, u shemb përdhe, duke e zënë edhe atë përfundi. "Si ka mundësi, si është e mundur Sabrina ime të ma bëjë këtë?!" Kjo ishte pyetja të cilën Kujtimi ia bëri vetes të paktën 100 herë në ato momente. Provoi disa herë që ta thërriste Sabrinën, por vazhdimisht i dilte "Vala 900". "Nuk ka qasje në rrjet". I vinte të qeshte, të qeshte nga zori. Jo vetëm ndaj telefonit të Sabrinës, por tani atij i dukej se nuk kishte qasje në tërë jetën e vet. Fëmijët ishin në shkollë. Me gjasë ata ende nuk dinin se çka kishte ndodhur. Apo, dinin diçka?! Vendosi ta thërriste Kujtimen në telefon, përkundër asaj se mund të ishte në mësim dhe mund ta pengonte. - Hë, babë? - Kujtime, çika e babit, si je? A je mirë? - Mirë babi, në shkollë jam. A ka ndodhur diçka, a?! - Jo, jo. Veç desha të ta dëgjoj zërin... A keni shkuar të tre bashkë në shkollë? Rinori shkonte në çerdhe, por meqë çerdhja gjendej afër shkollës, atij i pëlqente të thoshte se edhe ai, si motrat, shkonte në shkollë. - Jo, babi... Ndjeu një therje në zemër. - Unë dhe Donika erdhëm në shkollë, kurse Rinorin e mori mami... - A tregoi se ku po shkonte? - Te daja tha... Por... - Hë, çika e babit? - Nuk e di... na përqafoi mua dhe Didën dhe filloi të qante... Pse qau mami, babi?! Kujtimi u prek shumë nga pikëllimi të cilin e hetoi në fjalët e së bijës. Por, mblodhi të gjithë fuqinë që i kishte mbetur, duke i thënë vetes se assesi nuk guxonte t'i dridhej zëri. Assesi nuk guxonte ta pikëllonte Kikin e tij të dashur. "Nëse ajo katilja i la e i zhgënjeu, unë nuk do ta bëj këtë. Tani më kanë vetëm mua". U habit me vetveten se si, për herë të parë në jetë Sabrinës iu referua në mendime jo si "e dashura", apo "shpirti", por jo më pak sesa "katilja". - Nuk e di, Kik. Do ta pyesim kur të kthehet. Por, jam i sigurt se nuk është ndonjë gjë serioze, përndryshe do të më tregonte edhe mua. - Mirë, babi... tani ra zilja... më duhet të shkoj... - Ani, Kik! Tung, çika e babit! Nuk dinte çka të bënte. Filloi të sillej poshtë e lartë nëpër sallon. Koka i vlonte. Edhe pse atë ditë ishte vranët dhe freskët, i dukej se ishte duke u zier në një tenxhere. "Ah, si nuk qëllove këtu, moj nënë, në këtë kiamet që jam duke përjetuar". Me të vërtetë, prej se ishte rritur e ishte bërë i zoti i vetvetes, kurrë nuk e kishte ndier më shumë mungesën e nënës. Futi dorën në xhep dhe nxori atë letrën e mallkuar lamtumirëse. Atë letrën që ia shkatërroi jetën.

(Kosova Sot)