Ngjarje e vërtetë: SI E LAJMËROVA BURRIN E DHUNSHËM NË POLICI (3) - Dashuri - Kosova Sot
Ngjarje e vërtetë: SI E LAJMËROVA BURRIN E DHUNSHËM NË POLICI (3)

Ngjarje e vërtetë: SI E LAJMËROVA BURRIN E DHUNSHËM NË POLICI (3)

Mundohesha që ta bindja veten se ndoshta kjo ishte kështu ndoshta për shkak se nuk i pëlqente ai ishull ekzotik, të cilin e kisha zgjedhur për muajin tonë të mjaltit, meqë e dija se ai do të donte më shumë sikur ta kishim vizituar ndonjë vend të Evropës perëndimore, por ia dola që t'ia ndërroja mendjen me anë të miqve të tij, të cilët filluan ta tallnin se do të shndërrohej në ari polar nëse vazhdon të izolohet kështu e, përpos kësaj, nëse shkon në veri, për muajin e mjaltit. Përfundova se ai tani ishte duke mu hakmarrë për pranimin e marrë me zor rreth udhëtimit në det. Këtu më shkoi mendja kur një pasdite, pasi që u ktheva nga plazhi, ku isha kënaqur duke biseduar me disa turistë të huaj, më kapi fort për krahu dhe filloi të më shkundte me forcë.

- Ti je gruaja ime - më thoshte duke bërtitur.

- Nuk më duhet të të ndaj me dikë tjetër! Isha e frikësuar dhe sytë mu mbushën me lot.

- Emil, të lutem, mos! Je duke më frikësuar - fillova të dënesja. Ai më lëshoi me forcë, ashtu që e humba ekuilibrin dhe rashë në shtrat, e më pas ai mu gjuajt përsipër dhe bëri dashuri të dhunshme me mua. Ku kishte mbetur ai njeri, i cili dinte me aq butësi ta ngjallte epshin te unë? Por, me gjasë atëherë më kishte rënë të fikët, sepse kur i hapa sytë, kuptova se isha në shtrat dhe se ndjeja dhembje në tërë trupin. Çarçafët ishin të rrudhosur, por në dhomë nuk ishte askush përpos meje. Me vështirësi u ngrita dhe shkova në banjë, por kur u shikova në pasqyre, u drodha nga tronditja. Sytë i kisha të ënjtur nga vaji, e në krahë më ishin krijuar mavijosje nga ndrydhjet e fuqishme të Emilit. E pyeta veten se ku kishte mbetur ajo vajza e lumtur çfarë isha gjatë muajve paraprakë. Para meje gjendej vetëm pamja e deformuar e atij personi.

- Pse? - e pyeta në heshtje veten time, por përgjigjen nuk e dija. U mundova me dush të ngrohtë që ta zbusja dhembjen, të cilën e ndjeja në tërë trupin. Emili u kthye kur unë dola nga banja. E frikësuar u tërhoqa disa hapa prapa, duke pasur frikë nga dhuna e sërishme, por në fytyrën e tij pashë një buzëqeshje. Nuk mund ta merrja veten. - Vishu bukur, sonte do të shkojmë për të vallëzuar - më tha me mirësjellje. E shikova e shastisur, sikur në krahë të mos kisha mavijosjet e shkaktuara nga ai, do të mendoja se kisha ëndërruar tërë atë që kishte ndodhur.

- Emil… - thashë, por nuk munda të vazhdoja. Ai mu afrua, e unë fillova të dridhesha nga frika. Ai më përqafoi me butësi.

- Ke qenë e padëgjueshme, por unë ta fal - më tha ai, duke mi puthur flokët. Doja ta pyesja ku kisha gabuar, por e lash që të më ngushëllonte, derisa në mendimet e mia filloi të lindte dyshimi se, ndoshta me të vërtetë isha sjellë keq, e ai vetëm ishte munduar të më qortonte. Atë mbrëmje e vesha fustanin me mëngë të gjata, në mënyrë që t'i fshihja mavijosjet dhe, kur hymë në klub dukeshim si çift i lumtur. Unë përpiqesha që t'ia bëja qejfin në të gjitha, e ai për këtë më shpërblente me shikimin e tij të butë, me të cilin dikur edhe më kishte bërë për vete. Muaji i mjaltit kaloi pa probleme të tjera, por unë e humba spontanitetin dhe fillova ta luaja rolin e një bashkëshorteje të dëgjueshme dhe të nënshtruar. Pasi që u kthyem në shtëpi filloi jeta jonë e vërtetë, e përbashkët. Nuk e kishim keq edhe pse burri im ishte nazeli i madh dhe më shikonte me ashpërsi nëse harroja ndonjëherë t'ia hekurosja këmishën e preferuar.

- Ditët e para gjithmonë janë të vështira - më thoshin disa kolege të martuara.

- Por, me kalimin e kohës do të mësoheni me njëritjetrin edhe pse grindjet do të vazhdojnë edhe më vonë. Duke i kujtuar ato fjalë, mendoja se ne dallonim nga shumë çifte të reja dhe episodi i shëmtuar nga muaji i mjaltit ishte bërë vetëm një kujtim i hidhur, të cilin duhej ta harroja sa më shpejt. (vijon) 

(Kosova Sot)

19 orë e 8 minuta më parë
20/10/18