Roman dashurie:Triumfi i dashurisë (62)

  • 17 February 2018 - 15:15
Roman dashurie:Triumfi i dashurisë (62)

Por, i vinte inat se si ai, si psikiatër i ardhshëm, nuk kishte vërejtur asnjë shenjë të pakënaqësisë apo vuajtjes te gruaja.

- Është e vërtetë se kam dalë pak më shumë se përpara. Por, nuk është se e kam lënë Sabrinën pas dore. - Unë nuk të akuzova, Kujtim. Ti vetë më pyete, e unë të tregova se çka më tha ajo.

- Po, po... Donika kishte filluar të bisedonte me binjakët, derisa Kujtimja edhe pse rrinte afër fëmijëve të tjerë, e përcillte me vëmendje muhabetin që bënin të rriturit.

- E këtë... njeriun... me të cilin paska ikur, a ta ka përmendur?

- Jo, Gëzim. Në fakt ajo më tha se nuk do të lejonte që jeta e saj të shuhej, që ajo të shndërrohej në një amvise të cilën burri e lë në shtëpi. Nuk më tha asgjë tjetër. Gjatë tërë kohës Kujtimi ishte i vetëdijshëm se fëmijët nuk do të duhej të ishin aty, të pranishëm, gjatë zhvillimit të kësaj bisede, por disi hezitonte që t'i çonte në një dhomë tjetër. Disi donte që t'i kishte para syve vajzat. Sikur frikësohej që t'i linte të largoheshin nga ai. Me kalimin e kohës nervozizmi sa vinte e rritej. Situata u bë edhe më e padurueshme pasi që asnjëri nga të pranishmit nuk dinte çka të thoshte më. Herë pas here, ndonjëri nga ta, provonte ta thërriste Sabrinën, por gjithmonë lajmërohej zëri i regjistruar i operatorit, që tregonte se "personi i kërkuar, për momentin, nuk ka qasje në rrjet". Kujtimi për nga natyra nuk ishte xheloz. Por, në këtë situatë të papritur, ku u gjet, doemos filloi që të mendonte se kush mund të ishte ai mashkulli misterioz, që ia mori gruan. Analizonte e ç'analizonte të gjithë meshkujt me të cilët mund të kishte pasur kontakt gruaja. Te fqinjët e afërt nuk kishte dyshim, sepse shumica prej tyre ishin njerëz të moshuar dhe konservatorë. Edhe pse, kurrë nuk mund t'i dihej! Ky krimbi i dyshimit pa mëshirë brente mushkëritë e Kujtimit. Meqë nuk dinte çka të bënte, vendosi ta kontrollonte postën elektronike, për të parë mos kishte ndonjë informatë, ndonjë email. Të tjerët disi e shikuan me habi kur ai iu afrua kompjuterit, sikur të donin t'i thoshin "a tash e gjete momentin që ta ndezësh kompjuterin, a?", por Kujtimi vendosi që kësaj here të mos mërzitej ama bash hiç për atë që mund të mendonin të tjerët. Qëllimi i tij i vetëm në ato momente ishte që ta gjente Sabin, apo, të paktën, ta merrte vesh se ç'u bë puna e saj. Pa se kishte një e-mail nga Moshe. Edhe pse ishte plotësisht i sigurt se ai i shkruante rreth atyre Të Martave të tij të mallkuara, të cilat tani Kujtimi, gati në mënyrë të pavetëdijshme kishte filluar që t'i fajësonte për belanë që e kishte gjetur, prapëseprapë vendosi që ta hapte e-mailin, i shtyrë nga shpresa e të dëshpëruarit, mos rastësisht po merrte vesh diçka. Sikur kur të humbë një person i dashur e, në kërkim të dëshpëruar për të, në një moment, të vjen që ta kërkosh atë edhe nëpër xhepa! "Përshëndetje Kujtim! Jam i sigurt se edhe ti mbete i mahnitur nga ajo që lexove për Të Martat. Nuk mund të besoj që, ajo që ishim të sigurt se ishte vetëm një mit, filloi të ketë edhe elemente shumë konkrete nga jeta reale. Ta them të drejtën, unë prisja këtyre ditëve ndonjë e-mail nga ti, por me gjasë ke qenë tepër i zënë, kështu që vendosa t'i lë të gjitha obligimet dhe të vij vet në Prishtinë. Shihemi së shpejti! Moshe". Autor: H. B. I. (vijon) 

(Kosova Sot)