Ngjarje e vërtetë: SI E LAJMËROVA BURRIN E DHUNSHËM NË POLICI (5)

  • 17 February 2018 - 15:18
Ngjarje e vërtetë: SI E LAJMËROVA BURRIN E DHUNSHËM NË POLICI (5)

Në sytë e saj shihja keqardhjen dhe kuptova se sapo kisha filluar të gënjeja, ashtu sikur që thuhet se bëjnë gratë që kanë përjetuar dhunë nga partnerët e tyre. Emili më do, mundohesha që ta bindja veten. Ditëve të ardhshme, lidhja jonë përsëri u bë stabile dhe e qetë, e një mbrëmje më çoi edhe në restorant për darkë. Gjithçka do të rregullohet, thash vet me vete. Në punë vërejta se disa kolege më studionin me kureshtje dhe kisha frikë që Lavdia iu kishte treguar atë që kishte parë. Për fat, kishim aq shumë punë, sa që ia dilja t’iu bëja bisht bisedave të pakëndshme. Jeta ime asokohe ishte e mbushur me një tendosje dhe frikë të vazhdueshme. Vazhdimisht tentoja ta zbusja dhe argëtoja Emilin, nga frika që do të dilte diçka e do ta bënte atë të çmendej e të bëhej i dhunshëm. Kishte edhe aso momentesh kur më dukej se nuk do të mundesha për një kohë të gjatë ta duroja atë situatë dhe, kur isha vetëm, qaja derisa mundja. Kishin kaluar më shumë se dy muaj nga ai episodi i tmerrshëm, mavijosjet ishin larguar, e kishin kaluar edhe festat e Kërshëndellave, kështu që shpresoja që, burri dhe unë, do të shkonim një javë në bjeshkë. Më dukej se edhe Emilit i pëlqente një ide e tillë. Shikova në internet se çfarë aranzhimesh ofroheshin dhe, një ditë, derisa isha në lift, rastësisht bisedova me një fqinj rreth kësaj teme. Ai ma preferoi një vend shumë të mirë skijimi, me një hotel të mirë, me çmime të volitshme. Dolëm bashkë nga lifti në katin tim, e fqinji vazhdonte që ta lavdëronte atë hotel. Papritmas u hap dera e banesës tonë dhe doli Emili, i cili na e hodhi një shikim depërtues, e pasi fqinji edhe atij ia përsëriti informatat që mi kishte thënë mua, Emili u shtir kinse ishte tepër falënderues për ato informata. E përshëndetëm fqinjin dhe bashkë hymë në banesë. As që e kisha hequr pallton, kur Emili mu gjuajt sikur i marrë, duke më thënë shumë fjalë të ndyta. Provova të kundërshtoja, por ai ishte i kapluar nga çmenduria e vet, prandaj filloi të më godiste me një forcë të atillë, sa që e kisha të pamundur të mbrohesha, apo të ikja. Rrobat m’i shqeu, kurse fytyrën dhe pjesën tjetër të trupit ma deformoi nga të rënat. Sikur kjo të mos mjaftonte, ai, si një qyqar i vërtetë, më dhunoi, duke ma mbyllur gojën me dorë, që të mos bërtisja nga dhimbjet. Pasi e bëri të veten, ai u largua, sikur që bënte gjithmonë pasi që më rrihte, duke mos denjuar të ma lëshonte as edhe një shikim të vetëm. Unë doja vetëm të vdisja, që të shpëtoja nga dhembja e padurueshme që e ndjeja, por atëherë para syve më dilnin fytyrat e prindërve të mi, gjë që ma bënte të qartë se çfarë dhembjeje të madhe do t’iu shkaktoja atyre sikur të bëja vetëvrasje. As sot e kësaj dite nuk e kam të qartë se çfarë më shtyri ta thërrisja Lavdijen. E kisha numrin e saj të telefonit dhe e solla atë. - Për pak më mbyti – i pëshpërita. – A mund të më ndihmosh? - Menjëherë do të vij – u përgjigj ajo. Kur më pa, filloi të qante. Menjëherë më dërgoi në spital. Pas kësaj më nuk u hamenda as edhe një herë të vetme, por menjëherë e lajmërova në polici. Nuk ishte e lehtë të bisedoja me prindërit e mi për këtë temë, por u ktheva të jetoja te ta. Shkova një kohë të caktuar te psikologu, para se disi, t’i kthehesha jetës normale. Nuk ishte e lehtë, por falë ndihmës së familjes dhe shoqeve, ia dola. Emilin e dënuan për tentim vrasjeje me dy vjet burg. E, unë kërkova shkurorëzim. Nuk dua ta shoh kurrë më! Me këtë tregimin tim do të doja t’i nxisja të gjitha gratë që janë në situata të ngjashme, që t’i lajmërojnë burrat e tyre në polici dhe që të mos lejojnë të shndërrohen në viktima, duke humbur çdo dinjitet të tyre. Askush nuk ka të drejtë që të na poshtërojë në këtë mënyrë, duke na e bërë jetën skëterrë. Këtë mos e harroni kurrë! FUND

NGA NESËR DO TA LEXONI TREGIMIN TJETËR, TË BAZUAR NË NGJARJE TË VËRTETË: “ISH I DASHURI DONTE TË MA SHKATËRRONTE MARTESËN” 

(Kosova Sot)