NGJARJE E VËRTETË:SI E PËSOVA PËR FAJIN TIM(2) - Dashuri - Kosova Sot
NGJARJE E VËRTETË:SI E PËSOVA PËR FAJIN TIM(2)

NGJARJE E VËRTETË:SI E PËSOVA PËR FAJIN TIM(2)

Isha e kënaqur me punën e referentes së prokurimit, por edhe me faktin që, në shtëpi, gjithmonë gjithçka më priste e gatshme. Nëna e përgatiste bukën, pastronte shtëpinë, e kur unë doja t'i ndihmoja ndonjë gjë, ajo thoshte se mjaft kisha punuar në punë dhe tani duhet të pushoj. Edhe ashtu, ajo kishte më së shumti besim në duart e veta. Ndalimi për të dalë më dukej qesharak, por më duhej ta respektoja. Kjo nuk dmth se sillesha si vajza ideale e babait. Shpesh iu thosha se do të punoja edhe përtej orarit, e në anën tjetër takohesha me meshkuj të ndryshëm. Disa prej tyre i kisha njoftuar në kompaninë ku punoja, të tjerët rastësisht në rrugë, apo në ambulanca. Shkonim për të pirë, argëtoheshim, por kurrsesi nuk më shkonte për dore ta gjeja atë të duhurin. Pas dështimit të martesës isha më e kujdesshme, e edhe shumë meshkuj nuk interesoheshin më për mua, sapo merrnin vesh se isha e ndarë nga burri. - Ju jeni Egzona? - më pyeti një mashkull i hijshëm, pasi që hyra në shtëpi. Unë u përgjigja pozitivisht. - Unë jam Blerimi. - Ku është Visari? Me çfarë të drejte ma bastisni shtëpinë? - Zonjë, ja ku e kemi urdhrin për kontrollimin e shtëpisë tuaj - ma tregoi një copë letër ku vërtetohej atë çka thoshte. - Bastisje? Shpresoj se nuk besoni që mund të gjeni diçka të palejueshme te unë? - pyeta duke qeshur. - Tanimë kemi gjetur. E, e kemi gjetur edhe fajtorin - u përgjigj. - Zotëri inspektor, a mund të më tregoni se çka është duke ndodhur në shtëpinë time? Pse keni ardhur këtu? Çka keni gjetur, e që nuk bën pjesë në enët e kuzhinës? - bërtita e zemëruar. - Ejani. Më përcillni - më tha ai. Ai u nis kah shtëpiza e vogël në oborr. Atë shtëpi, derisa ishin prindërit ishin gjallë, e kishim ndërtuar që unë të jetoja disi e ndarë nga ta. Meqë ata vdiqën, atë shtëpi nuk e kisha përfunduar kurrë. Shtëpia rrinte e zbraztë, e aty gjendeshin vetëm disa gjësende të vjetra. Të paktën kështu mendoja unë. Rrallë hyja në të. Në fakt, kisha frikë të madhe nga merimangat, e meqë atë shtëpi nuk e pastroja kurrë, atëherë mund ta merrni me mend se si ishte. Në shtëpizë gjendeshin tre policë. Ata ishin duke nxjerrë disa armë dhe duke i vendosur në veturën e tyre. - Çka janë këto armë tani? Çka bëjnë ato këtu? Ju i keni sjellë? Pse? Çka më duhen armët? - u habita unë. - Zonjë, armët ne jemi duke i marrë nga shtëpiza juaj. Shikoni sa shumë armë kemi gjetur. Shtëpiza juaj ishte magazinë e vërtetë e armëve. Kemi gjetur lloje të ndryshme të revoleve, pushkëve, plumbave dhe bombave të dorës. - A hajgare po bëni, a? Jeni nga kamera e fshehtë, apo çka? - thash unë pak para se t'ia krisja vajit. - Jo, nuk jemi. - Kush i ka vënë këto armë në shtëpizën time? Pse? Askujt nuk ia kam lejuar një gjë të tillë. Si është e mundur, kur askush nuk e ka çelësin? Kush ka mundur ta bënte këtë - bëja pyetje përgjigjja e të cilave ishte evidente. Meqë në shtëpi jetonim vetëm Visari dhe unë, atëherë nëse unë nuk dija asgjë për ato armë, dilte se vetëm ai kishte mundur ta bënte një gjë të tillë. Por, këtë nuk mund ta pranoja, përderisa vet inspektori nuk e tha me gojën e tij. - Visari. Atë e arrestuam. Supozoj që ju nuk keni faj, por duhet ta jepni një deklaratë - tha ai, duke më kthyer sërish në shtëpi. U theva. Tërë frika, pikëllimi dhe dëshpërimi dolën nga unë në formë të një vale lotësh, e cila mi lagu faqet. Mos qani, me lot nuk do të zgjidhni asgjë. Më tregoni, qe sa kohë jetoni me Visarin? - Rreth dhjetë muaj - iu përgjigja me lot në sy. - Ku dhe si u njoftuat? - Ai mu ofrua me rastin e funeralit të prindërve. Më tha se ishte mik i mirë me babanë tim. Isha habitur që nuk e njihja, meqë shumicën e miqve të babait tim i njihja shumë mirë. Më ngushëllonte, më vizitonte, më bënte shoqëri. Shoqërimi ynë kaloi në lidhje. Ai erdhi te unë pas dy javësh që ishim njoftuar. - Ju jeni vetëm edhe një viktimë në listën e tij. - Si mendoni? - Ju ka shfrytëzuar për qëllimet e tij të ndyta. A e dini me çfarë pune merret ai? - AI është i papunë - thashë atë që më kishte thënë ai. - Gaboheni. Ai është njëri ndër kriminelët më të kërkuar në listat e shërbimeve të huaja sekrete - më tha inspektori. Kjo që sapo dëgjova, ishte tepër. Avniun e takova në një sallon floktarie. Ishte i veshur sipas modës së fundit, e në bazë të udhëzimeve që ia jepte floktares derisa e qethte, shihej se dinte çka donte. Më pëlqeu që në shikim të parë. edhe unë i rashë atij në sy. Më priti derisa i rregullova flokët, e më pas më ftoi për kafe. (vijon) 

(Kosova Sot)

2 orë e 33 minuta më parë
25/06/18