Roman dashurie:Triumfi i dashurisë (64)

  • 20 February 2018 - 15:35
Roman dashurie:Triumfi i dashurisë (64)

Parkoi para UKIP-it, ku qëndronte edhe një veturë e policisë. Një punëtor i sigurimit të klinikës mbante përdore Rinorin. Ai, sapo e pa të atin, iu hodh në përqafim. Sytë i kishte të ënjtur. Me gjasë kishte qarë, por për momentin dukej i qetë. Kujtimi e përqafoi me mall të birin, sikur të mos e kishte parë për një kohë të gjatë. Donte të bisedonte me të, por më parë gjithsesi donte ta dinte çka u bë me Sabrinën. Infermierja Mirela ishte duke plotësuar disa formularë të klinikës. Sapo e pa Kujtimin, e përshëndeti. Kujtimi nuk e zgjati, vetëm e luti që të përkujdesej për Rikin për disa minuta, gjë që ajo pranoi menjëherë. Posa hyri në zyrën e pranimit, pa dr Maliqin, një specializant obez. Ai ishte një tip bizar, i pashoqërueshëm dhe, përkundër se kishte mbushur të dyzetat, ende ishte i pamartuar. Kjo do të duhej të ishte "punë për të", por në ndërkohë iu kishte ofruar "material" badihavxhinjve që t'i vinin etiketa nga më të ndryshmet, duke përfshirë edhe zërat se ai gjoja preferonte meshkujt. Vetë Kujtimi, sikur fundja edhe të gjithë në klinikë, nuk kishte ndonjë raport shoqëror me të, por në aspektin profesional kishte një respekt, meqë ai i dukej goxha kompetent.

- Dr. Kujtim, a erdhe?!

- Koleg, çka u bë? Ku është gruaja ime?

- Dr Kujtim, qetësohu! Më beso se nuk ke arsye që të brengosesh. Zonja Sabrina gjendet këtu, në dhomën e infuzioneve. Para se ta dija se është gruaja jote ia hapa historinë, thjesht për shkak se erdhi në përcjellje të policisë. Përndryshe, tani e ka gjendjen stabile.

- Po, a?

- Po, po. Sipas të gjitha gjasave ka përjetuar një krizë të lehtë. Ndonjë moment të stresit... Pasi falënderoi kolegun, Kujtimi u nis kah dhoma e infuzioneve. Derisa bëhej gati që ta hapte derën, zemra filloi që t'i rrihte si e marrë. Iu bë një duq në fyt. Shtypi dorëzën e derës dhe, për një moment, e mbajti ashtu. Më pas, dalë- ngadalë e hapi atë dhe e pa të shoqen të shtrirë, me infuzion në dorë. Sytë i kishte të mbyllur. Nuk e dinte a ishte duke fjetur, apo vetëm duke pushuar. Apo, ndoshta edhe duke refuzuar që ta shikonte. Iu afrua dhe ia kapi dorën. Ajo hapi sytë me përtesë, e shikoi dhe, pa thënë gjë, dy lot i rrodhën anash fytyrës. Ishte evidente se ishte nën ndikimin e barnave qetësuese. Pasi shikoi listën e terapisë, Kujtimi pa se me të vërtetë në infuzion i kishin qitur Diazepam. U dëgjua një e trokitur e lehtë e derës. Më pas derën e hapi një police, e cila me zë të ulët e pyeti Kujtimin a ishte burri i Sabrinës dhe, pasi që ky konfirmoi, e luti që të kalonin në një zyrë tjetër, për të biseduar. Nga policja mori vesh se Sabrinën e kishin gjetur në gjendje konfuze në Stacionin e Autobusëve. Policinë e kishin thirrur punëtorët e stacionit, për shkak se Sabrina ishte grindur me ta. Pasi që kishte blerë dy bileta për Shkup (Kujtimit i ra ndërmend se Sabi ka një hallë në Shkup), ajo kishte insistuar që t'ia kthenin paratë. Pasi që punëtori i kishte thënë se një gjë e tillë nuk ishte e mundur, meqë biletat tanimë ishin regjistruar si të shitura, ajo kishte filluar që të grindej me të. Policët e kishin pasur të pamundur që ta sqaronin situatën me Sabrinën. Autor: H. B. I. (vijon)

(Kosova Sot)