Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (66)

  • 22 February 2018 - 20:07
Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (66)

Po. Sabrina kishte dëgjuar rreth meselesë së tij me Dr Valentinën. I kishte treguar motra e Sabit zhyllanit, e cila qenka e martuar aty afër, ku jetonte Kujtimi. Kjo bëri që ky i fundit ta ndjente një urrejtje edhe më të madhe ndaj Sabitit. "Zdrali i dreqit! Po sherrin e madh e paska"! Por, ajo që ishte më e keqja, varianti të cilin ia kishin transmetuar Sabrinës ishte plot me rrena dhe gjysmë të vërteta. Psh asaj i kishin thënë se dr Valentina, gjysmë lakuriqe, kishte qëndruar në zyrën e Kujtimit për rreth një orë. Kjo linte të kuptohej vetëm një gjë, por tjetër ishte se "ajo gjë" nuk kishte ndodhur kurrë. Këtë e dinte Kujtimi, e dinte edhe Valentina, por nuk e dinin të tjerët. U bë tepër nervoz kur pa se, përkundër shpjegimit të tij të sinqert rreth asaj që kishte ndodhur, Sabrina vazhdonte të kishte dyshime. Kjo bëri që ai, për një moment, ta humbte kontrollin.

- "Po, mirë! Hajde ta lëmë këtë meselenë time mënjanë njëherë! Ti ku ishe? A nuk the vet se kishe vendosur të ikje me një tjetër? Se nuk mo do më...?" Sabrina nuk tha asgjë, vetëm vazhdonte që të qante. Kujtimi ishte thuajse plotë- sisht i bindur se ai "mashkulli tjetër" kishte qenë vetëm trillim i Sabit, një mënyrë që t'i hakmerrej për gjoja tradhtinë që ai ia kishte bërë, por megjithatë... nuk mund të bëhej rehat plotësisht. Kjo ishte kriza më e madhe martesore që kishin pasur gjatë këtyre nëntë viteve, sa ishin të martuar. I kapluar si ishte nga zemërimi dhe nervozizmi, vendosi që të kërkonte nga Valentina që t'i tregonte Sabrinës se, atë natë, nuk kishte ndodhur asgjë midis tyre. Ia shkroi një email të gjatë, por kur e përfundoi atë, pa se dërgimi i tij nuk do të ishte i frytshëm. Edhe nëse Valentina do të pranonte që të "rrëfehej" para Sabrinës, gjë që thuajse nuk kishte kurrfarë gjasash që të ndodhte, shtrohej pyetja se sa bindëse do të ishte kjo për Sabrinën. Bile, kjo vetëm sa do ta shtonte dyshimin e saj. "Nuk kam se ç'të bëj! Nëse me të vërtetë më do, do të më besojë! Nëse jo...". Për çudi, vajzat nuk e pyetën asgjë. Në vend të kësaj, ato shkuan dhe e përqafuan me mall të ëmën dhe Rinonin. Lendita bisedoi për rreth gjysmë ore me Sabrinën dhe më pas, mori binjakët e saj dhe u largua, pa u përshëndetur fare me Kujtimin. Kjo nuk përputhej aspak me karakterin e saj. Pas pak minutash, Gëzimin e thirri dikush në telefon, me gjasë Lendita, kështu që u largua edhe ai, por për dallim nga e motra, ai u përshëndet me Kujtimin, bile ia rrahu supin, në shenjë mbështetjeje dhe, duke i thënë "Bëhet mirë, dhëndër. Mos u mërzit"! Kujtimit në njërën anë i erdhi mirë për mirësjelljen dhe mbështetjen e Gëzimit, por në anën tjetër i erdhi t'i thoshte: "Hej, faleminderit për mbështetjen, por, ta dish, nuk kam bërë asgjë të pahijshme unë. Motra jote është ajo që e bëri punën m...". Për herë të parë në raportin e tij me bashkëshorten ndjente nevojën që të përfshinte edhe tjetërkënd. Të kërkonte ndihmë nga tjetërkush për zgjidhjen e konfliktit me gruan, gjë që kurrë nuk kishte menduar se do ta bënte. Kjo e nervozoi dhe e pikëlloi shumë në të njëjtën kohë. Kishte përshtypjen sikur, në raportin e tij me Sabrinën, kishte ndryshuar diçka përgjithmonë. Ai nuk e dinte, por në ato momente, një ndjenjë të tillë e kishte edhe Sabrina. Autor: H. B. I. (vijon) 

(Kosova Sot)