Ngjarje e vërtetë: Ish i dashuri donte të ma shkatërronte martesën (4) - Dashuri - Kosova Sot
Ngjarje e vërtetë: Ish i dashuri donte të ma shkatërronte martesën (4)

Ngjarje e vërtetë: Ish i dashuri donte të ma shkatërronte martesën (4)

Disa ditë më pas, kuptova se kjo ishte më lehtë të thuhej sesa të bëhej. Sa më mirë që e njihja Metin, ishte aq më vështirë të mbesja indiferente ndaj vërejtjeve të tij gazmore, ku humori nuk i mungonte kurrë. Ishte vështirë t’i bëje ballë sharmit të tij djaloshar, e edhe të refuzoheshin ftesat e tij për “kafe miqësore”, sikur që i quante kryesisht. Biseda me Metin ishte aq e lehtë dhe pa ngarkesa. Në shoqërinë e tij i harroja të gjitha vështirësitë dhe problemet e kësaj bote. Ah, sikur të mos ishte aq atraktiv, gjithçka do të ishte shumë më lehtë – mendoja shpesh sa herë që Meti më shikonte me ata sytë e gjelbër, me joshje magnetike. Nuk duhet të dorëzohem, thjesht nuk guxoj. Unë jam grua e martuar – deri në pafuqi i përsërisja këto fjalë vetë me vete, duke u munduar që të mos mendoja rreth asaj se si do të ishte që, në vend të prekjeve dhe puthjeve të Demirit, t’i ndjeja prekjet dhe puthjet e Metit. Që kjo nuk më shkonte për dore, kuptova atë mëngjes kur, duke e përgatitur drekën, ashtu e eksituar për shkak të shkuarjes së shpejtë në punë dhe takimit me Metin, e preokupuar me ëndrrat e një vajze të shkollës së mesme, kisha harruar ta largoja qumështin nga zjarri.

- O Zot, çka është duke ndodhur këtu? Çka është kjo erë kaq e keqe? Do të na zihet fryma! – bërtiti i shqetësuar Demiri, duke hyrë në kuzhinë derisa unë tentoja ta sanoja kaosin. - Pashë Zotin, hape më atë dritare. Ndonjëherë je kaq e ngathët – më qortoi ai, gjë që mjaftoi që unë të zemërohesha sërish. - Së pari, nuk më duket se kërkova ndihmën tënde. Atë që e bëra vetë do ta pastroj vetë. E, së dyti, me të vërtetë është dëm i madh që një burrë kaq i aftë, pa asnjë të metë, sikur ti, është martuar me një femër të ngathët sikur që jam unë! – i thashë, duke e habitur edhe veten me këto fjalë. Damiri më nuk më respekton aspak. Ka ardhur koha që ta ndali një gjë të tillë. Në fund të fundit, ka meshkuj të cilët ende më konsiderojnë atraktive – mendova e zemëruar, duke e hapur dritaren, e para syve sërish më doli pamja e Metit.

- Kohët e fundit nuk ka mbetur të flitet me ty. Në çdo fjalë time kërcen si e marrë. Vetëm ta dish, herën tjetër nuk do të të vij në ndihmë, bile as nëse e kallë tërë shtëpinë. Nuk ke nevojë të mundohesh më rreth kafjallit. Më nuk kam uri – më tha i lënduar dhe shkoi me të shpejtë në banjë. Pra, sipas vlerësimit të Demirit, më nuk isha ajo e vjetra dhe, përpos kësaj, nuk isha as e aftë. Më nuk kishte kurrfarë dyshimi se ai kishte të dashur. D.m.th. ishte momenti i fundit që Meti ta merrte numrin tim të telefonit. Nëse mundet Demiri, nuk shoh pse edhe unë, sa për ndërrim, nuk mund të kënaqesha paksa në jetë! – mendoja me zemërim, duke hedhur në bërllok omëletën, të cilën sapo e kisha përgatitur dhe menjëherë shkova me vrap në dhomën e vajzave tona, Dora dhe Tina, për t’i zgjuar për shkollë. Atë ditë u rregullova për punë më shumë se rëndom. Me gjasë duke kuptuar se rezistenca ime ishte duke u zbutur, por edhe i trimëruar që vendosa t’ia jepja numrin e telefonit, Meti vazhdimisht sillej e mbështillej rreth meje, e gjatë pauzës bile më qerasi edhe me kafe. Derisa në sytë e kolegëve tanë të punës rrinim ulur në njërën nga tryezat e kantinës, për habi nuk ndihesha aspak në siklet. Pendohesha vetëm pse këtë nuk e kisha bërë më parë, pasi që Meti dhe unë ishim si të bërë për njëri-tjetrin. Komplimentet, të cilat ai nuk i kursente, më bënin të ndihesha femra më e bukur në Gjithësi. E, nga shikimi i tij depërtues dhe i ngrohtë, plot adhurim, si dhe nga prekjet gjoja të rastit dhe të paqëllimshme, më kaplonte një ngrohtësi e tillë, të cilën kishte kohë që nuk e kisha provuar. (vijon) 

(Kosova Sot)

20 orë e 7 minuta më parë
25/09/18