Roman Dashurie: Triumfi dashurisë (70)

  • 04 March 2018 - 18:39
Roman Dashurie: Triumfi dashurisë (70)

Për këtë shkak edhe kishte vendosur që të shkonte vetë personalisht, e të bisedonte me zonjën Milentijeviq, përndryshe ose do ta kishte injoruar një ftesë të tillë, ose do ta kishte lutur Svetlanën që të shkonte në vend të tij. Por, tani e kishte thirrur edhe nëna... Ende nuk kishte vendosur se si do t'ia bënte. Mori bokallin e kafesë dhe e mbushi filxhanin. Meqë kishte vërejtur se, kohët e fundit, kishte filluar të shtonte në peshë, tani i kushtonte një kujdes më të madh asaj që hante. Mori dy grisha bukë të thekur dhe i leu me gjalpë, me asi gjalpi që përmban pak yndyrë. Në ndërkohë ndezi TV-në. Ishte koha e lajmeve. Lajmi kryesor kishte të bënte me lirimin e "terroristit të UÇK-së" Fatmir Limajt, përkundër "dëshmive të pamohueshme rreth fajë- sisë së tij". "Zot ruana! Çfarë njerëzish primitivë!", mendoi ai vetë me vete derisa shikonte pamjet festuese në Prishtinë, me rastin e lirimit të heroit të tyre. Pasi që shikoi orën, pa se rrezikonte që të vonohej, prandaj mbaroi shpejt e shpejt me kafjallin.

***

Puna erdhi deri aty sa që nuk i mbeti asgjë tjetër, vetëm ta mallkonte ditën që kishte vendosur t'i tregonte Denisit se ishte djali i dr. Hasanit. Kurrë nuk e kishte parë të birin në atë gjendje. Në fillim Deni nuk bëri zë. Thjesht, u zbeh u bë si xhenaze. Megjithatë, mënyra e tij e reagimit sikur bënte me dije se ai, ndoshta, tanimë kishte pasur dyshime në këtë drejtim, kishte dyshuar qoftë edhe në ndërdije, se nuk ishte i biri i Zoranit. Kështu, kur e ëma, pas shumë zvarritjeve dhe një sikleti të madh, ia bëri me dije se nuk është i biri i Zoranit, Denisi nuk u duk se u befasua tepër. Më shumë u duk sikur dikush që dëgjonte një lajm tepër të keq, por që disi e kishte parandier dhe e kishte pritur. Por, kur i tha se ishte i biri i dr. Hasanit, i një "shiptari", sikur që u shpreh vetë ai më vonë, Denisi kishte shpërthyer:

- "Çka?! Nuk mund të besoj! Babai... Zorani... paska të drejtë kur të quan lavire... O Zot! Si munde të ma bëje këtë...?! Martës iu duk sikur tavani i dhomës i ra përmbi. Kjo ishte hera e parë që i biri e ofendonte kaq rëndë. Po, gjatë kohës kur Deni ishte adoleshent, ata kishin pasur fërkime të rëndomta, sikur që kanë adoleshentët me prindërit, por ta quante lavire, këtë as ëndërr nuk e kishte parë. Pasi që i biri kishte dalë si i xhindosur, duke harruar edhe pallton, Marta për herë të parë ishte ndier plotësisht e pafuqishme dhe e pashpresë. Më parë, pa marrë parasysh sa vështirë mund ta kishte, gjithmonë e ngushëllonte veten duke menduar për Denisin. Ai ishte pika e saj e referimit, kibla e saj. Për hir të tij i duhej të bëhej e fortë, për hir të tij i duhej që ta duronte burrin pijanec, për hir të tij e kishte përballuar braktisjen nga dr. Hasani. Në ato momente Hasanin e urrente më së shumti në botë. Por, e urrente edhe vetveten. E urrente injorancën e saj, naivitetin e tepruar që e kishin shtyrë të bëhej metresa e tij. Po, po, metresa. Edhe pse ajo e kishte dashur me gjithë zemër, për të ajo nuk ishte asgjë tjetër, përpos "mish i freskët". Autor: H. B. I. (vijon) 

(Kosova Sot)