Roman dashurie:Triumfi i dashurisë (74)

  • 08 March 2018 - 16:50
Roman dashurie:Triumfi i dashurisë (74)

 Kujtim, mos më keqkupto... Përsëri Kujtimi vendosi të mos i jepte "çehre".

- Kështu do të veproja edhe po të isha në Izrael... Zbulimet e mëdha, përparimet... asgjë nuk do të arrihej po të respektoheshin rregullat deri në imtësi.

- Po, po... Por, a askush nuk vërejti se varret ishin hapur, a? Mendoj hoxha, apo ndonjë punëtor tjetër i xhamisë? - Ishim tepër diskretë, Kujtim! I pagova disa punëtorë. E rrethuam atë pjesë me paravan, duke u shtirë kinse ishim duke studiuar shkrimet e gurëve të varreve, kështu që askush nuk kishte qasje dhe nuk e dinte se kishim hapur varret. U prezantuam si punëtorë të ministrisë së kulturës. Kujtimi definitivisht u bind se, për fat të keq, Kosova ishte në një gjendje të tillë, që njerëzit nga fundi i botës mund të vinin, të gërmonin varrezat dhe të mos pengoheshin nga askush. Megjithatë, i shtyrë nga kureshtja, për momentin vendosi që të injoronte këtë aspekt të tregimit të Moshes.

- Po, de... Nejse. Po, çka gjete?! Nga shprehja e një njeriu të zënë ngushtë, që detyrohet të arsyetohet, fytyra e profesorit përnjëherë mori atë shkëlqimin që vërehet te shkencëtarët kur ta kenë bërë përfundimisht zbulimin jetësor të tyre, kur ta kenë realizuar ëndrrën e tyre jetësore.

- Kujtim, si duket fati do që unë, përkundër faktit se nuk jam ndonjë antropolog i zoti, të hyj në analet e shkencës. Edhe ti, bashkë me mua! Kujtimi nuk tha gjë, por ishte e qartë se priste me interesim të madh një sqarim të mëtejmë.

- Bëhet fjalë për një zbulim epokal. Thjesht, për diçka që as nuk e kisha ëndërruar...

- Me të vërtetë?!

- Kujtim... sapo hapëm varrin e tretë, të fundit, e pata të qartë se mund ta kisha gjetur atë që isha duke kërkuar. Vet forma e skeletit ishte e ndryshme nga skeleti i njeriut. Eshtrat ishin më të gjerë, balli i nxjerrë jashtë... Dhe, ajo që më bindi përfundimisht ishte dëmtimi i brinjëve në afërsi të zemrës. Edhe pse nuk jam ekspert mjekoligjor, munda të konstatoja se ajo thyerje e brinjëve ishte shkaktuar nga ndonjë mjet i mprehët shpues, e që përshtatet me lëndimin që të Martës ia kishte shkaktuar hoxhë Ademi. Kujtimit i ishte zgjuar kureshtja deri në maksimum, kështu që ishte bërë i tëri vesh dhe nuk tha asgjë.

- Kujtim, më pas e morëm skeletin. Për fat të keq, na u desh që të ndanim eshtrat, e t'i futnim në thes. Këtu Kujtimi u rrëqeth. U rrëqeth pasi që kuptoi se në Prishtinë, në qytetin ku ai kishte lindur dhe ku ishte rritur, kishte njerëz që, për një pagesë, pa marrë parasysh sa të madhe, janë në gjendje të fusin eshtra njerëzish në thes. Por, duke parë se profesori ende nuk kishte mbaruar, nuk bëri ndonjë vërejtje.

- Ku e dërguat... ku e dërgove skeletin, Moshe?

- E kam lënë te Flamuri. Natyrisht, nuk i kam treguar se çka ka brenda. I thashë se ka disa gjëra të mia personale të cilat do t'i marr më vonë. Kujtimi vërejti se profesori tani donte t'i tregonte diçka me rëndësi, sepse shkëlqimi i syve të tij u rrit edhe më shumë. - Kujtim, mora një copë të vogël të skeletit dhe e dërgova në Izrael, te një ekspert, shok imi. Ai ma dha një lajm sa të pabesueshëm, aq edhe të jashtëzakonshëm. Kujtimi nuk kishte idenë se për çka mund të bëhej fjalë. Por, Moshe nuk e la të hamendej gjatë. Autor: H. B. I. (vijon)

(Kosova Sot)