Ngjarje e vërtetë:FJETI ME MUA DUKE MENDUAR SE ISHA I PASUR (2)

  • 08 March 2018 - 16:55
Ngjarje e vërtetë:FJETI ME MUA DUKE MENDUAR SE ISHA I PASUR (2)

- Ti je i marrë - më thotë Kemajli herë pas here dhe, duke mos ua kushtuar vëmendjen vërejtjeve të mia, kënaqet nga lidhja e tij e dashurisë. Dhe, derisa ai kënaqet, unë mbetem i vetëm.

- Do të vijë ajo e vërteta, e duhura - më ngushëllon nëna, por në bazë të shikimit të saj shoh se as ajo nuk beson në këto fjalë që i thotë. Mendoj se ajo më ka fshirë nga lista sa iu përket lidhjeve serioze, meqë tanimë nuk më bën më vërejtje rreth asaj sesi duhet të vishem dhe të sillem. Dhe, ajo që është më keq, e kam fshirë edhe unë veten time. E, kujt i duhen lidhjet, pashë Zotin? Derisa je vetëm, mund të bësh çka të duash dhe të sillesh si të duash. Kush ka nevojë për kontroll dhe për grindje? Kështu fillova të mendoja, por më pas erdhën disa ngjarje të papritura… Më së pari filluan ndryshimet në ndërtesën tonë. Në banesën afër asaj sonës jetonte një çift i vjetër bashkëshortor dhe vendimi i tyre për t'u vendosur në azil të pleqve i befasoi shumë prindërit e mi.

- Nuk ma kishte marrë mendja se ata do ta merrnin një vendim të tillë - thoshte nëna ime, duke e tundur kokën.

- Ata as që ishin aq të vjetër dhe dukej se gëzonin shëndet të mirë - i thoshte babait tim.

- E, a e di se e kanë lëshuar banesën me qira? Një Zot e di se kë do ta kemi fqinj tani. Shpresoj vetëm që nuk do të vijë ndonjë familje me një qerre fëmijë. Nuk kam më nerva për gjëra të tilla. Ka kaluar koha kur më pëlqente zhurma e fëmijëve. Pleqtë me të vërtetë janë të çuditshëm, mendoja me vete. Më vinte të qeshja sesi ata dy shqetësoheshin rreth gjërave të parëndë- sishme. Për mua ato gjëra nuk kishin aspak rëndësi. Edhe ashtu, shumë shpejt do ta merrnim vesh se kë do ta kemi fqinj.

- Unë jam Merita - e dëgjova zërin e saj të butë sesi i drejtohej nënës sime në korridor. - Shoqja ime dhe unë e kemi marrë me qira banesën e fqinjëve tuaj, kështu që tani e tutje do të jemi fqinj.

- Uh, sa e sjellshme që është kjo Merita. Duket një vajzë për merak - përfundoi nëna ime, pasi që u kthye në banesë. Tani përfundimisht i kishte rënë zemra në vend, meqë e dinte se kush do të jetonte në banesën ngjitur me ne.

- Do ta shohësh kur të fillojnë të organizojnë ndeja të egra - thash duke murmuritur, derisa pija kafen e mëngjesit, çka bëri që babai të më shikonte me mërrola përtej kornizës së syzave. Kuptova. Ishte më mirë të heshtja dhe heshta. Ndryshimi tjetër që pasoi, e i cili mua mu duk shumë më i rëndësishëm sesa fqinjët e rinj në banesë, kishte të bënte me ardhjen e sekretares së re të drejtorit gjeneral të sipërmarrjes sonë. Çfarë cope, mendova kur ajo kaloi për herë të parë afër meje. Mund të ishte moshatare me mua. Kishte flokë të mrekullueshëm, të zezë, të cilët i arrinin deri në supe. Ishte shtatlartë, por dukej edhe më e gjatë, për shkak të takave të larta, me të cilat ecte sikur të ishte mace. Çorapet e zeza në këmbët e gjata, një fund tepër i shkurtër, bluza e ngjitur për trupi, dekolteja e bujshme, sytë e mëdhenj, të gjelbër - të gjitha këto m’i kishin marrë mendtë sapo e pashë për herë të parë. Një vajzë të tillë duhej ta bëja për vete, e më pas edhe nëse do të vdisja, nuk do të kishte problem, mendoja derisa e shikoja çdo ditë në rrugë për në zyrën e saj, duke kaluar para magazinës ku punoja unë. E, ajo kalonte pranë meje sikur unë të mos ekzistoja fare. Me kokën lart, duke prekur qiellin me hundën e saj të bukur, neve djemve nuk na denjonte që të na hidhte as edhe një shikim të vetëm. Në një rast, kur mblodha guximin dhe e përshëndeta, më shikoi nga lart me indiferencë, duke ma dhuruar me atë rast një buzëqeshje të ftohtë. Më pas, atë ditë, u shikova në pasqyrën e banjës dhe mendova: çdo gjë ishte e qartë. Kush isha unë, në fund të fundit? Një njeri i rëndomtë i klasës punëtore - askush dhe asgjë për të. Rreth saj qarkullonin zërat se preferonte vetëm meshkujt me xhep të thellë, dhe se mjeranët si puna ime nuk mundeshin as t'i afroheshin. Kjo gjë nuk do të duhej të më habiste, mendova me vete. Vallë, a nuk janë të gjitha femrat të këtilla? Kush i do më të panjohurit me xhep të zbrazët? Në bazë të përvojës sime, asnjë femër nuk preferonte meshkujt e tillë. vijon...

(Kosova Sot)