Roman dashurie:Triumfi i dashurisë (81)

  • 16 March 2018 - 14:41
Roman dashurie:Triumfi i dashurisë (81)

Kjo e kishte bërë të shqetësohej rreth sigurimit të të ardhurave edhe pse, për momentin, kishte një fond emergjent, të cilin tanimë kishte filluar ta shfrytëzonte. Ndihej shumë keq, e mundonte mungesa e intimitetit me Sabrinën. I dukej vetja si një i huaj. Zonja Emine tani kohën më të madhe e kalonte duke u lutur, ose duke lexuar disa libra fetarë, kështu që as me të nuk mund ta çelte gojën. Sikur të mos ishin fëmijët, do ta kishte shumë vështirë ta përballonte këtë periudhë. Meqë nuk i duhej që të shkonte në punë, gjatë tërë ditës thuajse qëndronte në internet, apo duke shikuar TV-në. Dy-tri herë ishte matur të dilte me disa shokë, por më pas kishte hequr dorë. Derisa ishte kredhur në mendime një të enjte pasdite, papritmas i cingëroi telefoni. Një zë femre, me theks nga Dukagjini, i tha se ishte gazetare e portalit "Telegrafi" dhe kërkonte nga ai që të deklarohej më gjerësisht rreth "shkrimit të disa mediave të huaja" në lidhje me një zbulim epokal në Kosovë. Jo për shkak se donte ta luante rolin e modestit, por për shkak se me të vërtetë mendonte ashtu, Kujtimi pranoi se kishte punuar me Moshen, por se roli i tij kishte qenë thjesht mbështetës. Kjo si duket i mjaftoi asaj zonjës, a zonjushës nga "Telegrafi", sepse nuk kaluan as dy orë nga telefonata dhe në këtë ueb sajt u paraqit një artikull "ekskluziv", ku thuhej se dr Kujtimi, psikiatër... , "me modesti ka bërë të ditur meritat e tij në një zbulim i cili do ta vendosë Kosovën në hartën e zbulimeve më të rëndësishme antropologjike të të gjitha kohëve". Kujtimi kishte frikë se në artikull do të kishte ndonjë gabim të madh, sikur që ndodhë zakonisht në mediat tona, por për fat të mirë, këtë herë çdo gjë dukej korrekte. Si dukej, përpos pjesës fillestare, pjesa tjetër e artikullit të botuar në "Telegrafi" ishte përkthyer nga "Daily Mail"-i. Tani, disi si me ngurrim, filloi që të ndihej edhe vet se, megjithatë, kishte qenë pjesë e një të arriture të madhe shkencore. Nuk i pëlqente kur ishte në qendër të vëmendjes, por fama që tani kishte filluar ta dehte. Përsëri i cingëroi telefoni. Kësaj here ishte drejtori i klinikës, dr Flamuri.

- Drejtor?!

- Kujtim, a je mirë? Si je?

- Mirë, mirë. E ju?

- Mirë... Kujtim, a mund të takohemi diku?

- Po... - Ti më nuk je duke ardhur në klinikë, apo jo?

- Jo... - Të takohemi atëherë diku afër, këtu?

- A bën te Hotel Baci? As vet nuk diti pse e propozoi mu atë vend. Ndoshta për shkak se aty takohej zakonisht me Moshen.

- Hotel Baci...? Mirë... për sa minuta mund të mbërrish?

- Për gjysmë ore, pak a shumë...

- Shihemi, pra! Edhe pse nuk mund të ishte i sigurt, ia merrte mendja se dr Flamuri donte të bisedonte me të rreth "zbulimit epokal". "Mos ndoshta ka marrë vesh se çka ka në thesin që ia ka lënë Moshe"?, mendoi Kujtimi me vete dhe buzëqeshi pasi paramendoi fytyrën e befasuar të dr Flamurit kur ta ketë parë skeletin në thes. Arritën të njëjtën kohë te hoteli. Mezi gjetën parking prapa hotelit dhe, pasi u përshëndetën, hynë brenda. Porositën dy makiato të mëdha. Pas pyetjeve të rëndomta të kurtoazisë, dr. Flamuri iu drejtua Kujtimit, duke e shikuar në sy me një interesim të theksuar. Autor: H. B. I. (vijon) 

(Kosova Sot)