Ngjarje e vërtetë: AI E KISHTE LLASTUAR VAJZËN TONË (7)

  • 19 March 2018 - 15:12
Ngjarje e vërtetë: AI E KISHTE LLASTUAR VAJZËN TONË (7)

Doja t’i thosha “e ke dëgjuar babanë tënd”, por përsëri u përmbajta. Kjo bisedë nuk duhej të shndërrohej në një grindje të përgjithshme. Situata ishte serioze dhe kërkonte nga unë gjakftohtësi maksimale. Kishte kohë më pas që të shfryhesha ndaj Besnikut.

- Për fat, e dashur, kurrë nuk është vonë për asgjë. Jeta është një shkollë e madhe, e cila na mëson çdo ditë, por edhe na jep shanse që t’i përmirësojmë gabimet tona. Unë mendoj se ti e ke mësuar mësimin tënd. Ende je e re dhe e bukur, por tani edhe pak më e mençur.

- Po, mendoj se kam marrë një vendim të mençur – pohoi ajo duke e tundur kokën. Nga sytë i dolën ca lot të mëdhenj, duke i rënë më pas në bluzën e kuqe.

- Natyrisht se ky nuk është vendim i mirë! Çfarë marrëzish janë këto? – përsëri reagoi Besniku, i cili në ndërkohë e kishte marrë veten. E ngrita dorën duke ia bërë me dije se duhej të heshtte dhe, për befasinë time, ai më dëgjoi. - Olta, bukuroshja jonë – i thashë duke e përqafuar fort. Dhembjen e saj e ndjeja edhe unë, kështu që me saktësi e dija se ndihej sikur t’i kishte humbur të gjitha shpresat, sikur të mos ekzistonte një e nesërme për të. Por, natyrisht se kjo nuk ishte kështu. Meqë nuk ekzistonte asnjë arsye reale që një vajzë aq e bukur dhe e re të mbetej e pikëlluar.

- E di se e ke vështirë. E di se tërheqja në vetmi të duket si zgjidhja e vetme pas një varg dëshpërimesh. Por, je duke gabuar. Pse të shkosh nga njëra te skajshmëria tjetër? Një gjë e tillë nuk mund të jetë zgjidhje e mirë. Nuk thonë më kot, “mesi i artë”. Murgeshë? Vajza ime mendjemadhe, murgeshë?! Nuk mund ta paramendoja një gjë të tillë. Në këtë rol mund ta paramendoja çdokënd tjetër, por atë kurrsesi.

- Edhe vetë e di se një jetë e tillë nuk do të ishte për ty. Nëse e kërkon lumturinë, kërkoje në zemrën tënde. Ajo më shikonte me sytë e saj të mëdhenj, të gjelbër, të turbulluar nga lotët.

- Nuk ke nevojë që të fshihesh prapa mureve për t’u bërë e mirë. Fillo menjëherë tani, këtu! – fillova ta nxisja. - Qysh? – mezi arrita ta dëgjoja.

- Oh, zemra ime. Shumë lehtë! Thjesht je njeri i mirë. Para se të thuash diçka të keqe, mendo dy herë. Mos i lëndo të tjerët. Gjithmonë vendose veten në lëkurën e të tjerëve dhe, më beso, nuk ka lumturi më të madhe sesa kur e bëjmë dikë të lumtur. Këto fjalë nuk i dëgjonte Olta për herë të parë nga unë, por dukej sikur për herë të parë depërtonin te ajo. Më dëgjonte me vëmendje, duke dënesur dhe duke fshirë lotët, sikur të ishte një vajzë e vogël.

- Babi gjithmonë të thotë se je princeshë dhe mbretëreshë. Ti me të vërtetë je e tillë. Por, mos harro se madhështia e njerëzve të tillë qëndron te mirësia dhe modestia e këtyre personave. Përsëri e shikova Besnikun. Ai e mbante kokën ulur dhe ua kishte ngulur sytë majave të papuçeve të tij. Edhe ai, përfundimisht, kuptoi, mendova unë. Është vështirë ta përshkruaj sesi ndihesha kur që të tre ne shkuam për të darkuar dhe kur Olta tha se vetë do ta shtronte tryezën. Përndryshe, një gjë të tillë gjithmonë e bëja vetëm unë. - Uluni ju të dy, unë do ta shtroj – tha ajo dhe sa hap e mbyll sytë, edhe e shtroi tryezën. Ende e kishte fytyrën e ënjtur nga vaji, por nga ajo ishte larguar ajo mërzia e thellë. E, edhe ajo shprehja mendjemadhe. Me qetësi dhe me gjakftohtësi, sikur të mos kishim jetuar me vite të tëra në ferr, u ulëm si familja më normale rreth tryezës dhe filluam të bisedonim rreth gjërave të përditshme. Përfundimisht, mendova unë. Kjo ishte tërë ajo që doja nga jeta. Një mes të artë. FUND

NGA NESËR DO TA LEXONI TREGIMIN TJETËR, TË BAZUAR NË NGJARJE TË VËRTETË: 

“U DASHUROVA NË TË, POR AI I TREGOI BURRIT TIM!”

(Kosova Sot)