Ngjarje e vërtetë:AI MË NGUSHËLLONTE, UNË E SHFRYTËZOJA (3)

  • 12 April 2018 - 15:52
Ngjarje e vërtetë:AI MË NGUSHËLLONTE, UNË E SHFRYTËZOJA (3)

Pasi që më shikoi një copë here, gjatë të së cilës kohë unë u ndjeva si mos më keq, ai nuk tha asgjë. Kur mendova se ai tanimë nuk do ta vazhdonte bisedën, mu kthye: - Është shumë vështirë të besosh në një gjë të këtillë. Por, unë do të mundohem. Pra? Cili është shpjegimi yt? Tani vetëm sa u ndjeva edhe më në siklet. Me të vërtetë nuk dija çka të thosha.

- Nuk kam çka të të them. Thjesht, nuk mund të ta pranoja atë. Ai më shikoi me një shikim si të habisë, të përzier me neveri dhe zemërim.

- E, pse? E kishte të lehtë. ‘Pse’, ‘qysh’, ‘më trego’... e unë, çka të thosha unë?! - Nuk do të ishte e sinqertë. Nuk të kam dashur. Fundja, nuk jam e sigurt nëse do të besoje se Orgesi me të vërtetë është biri yt – i thashë, e detyruar ta gënjeja. E, çka të bëja tjetër? Më duhej të bëja diçka. Në mendje më sillej vetëm një mendim gjatë tërë kohës. Assesi nuk duhej ta rrezikoja jetën time të përbashkët me djalin tim. Asgjë nuk duhet të na ndajë. As edhe ky, bile, i ati i birit tim.

- A është e sinqertë që, tërë këto vite, unë të mos di se kam një djalë? Apo që ai të rritet pa ditur se kë e ka baba? Kjo për ty është e sinqertë? – tha ai, duke u skuqur në fytyrë. Natyrisht se kjo nuk ishte e sinqertë, këtë e dija edhe kur e lashë, por thjesht nuk mund të bëja asgjë tjetër. Atëherë kjo më ishte dukur zgjidhja më e mirë, më e mira për të gjithë ne, e sidomos për djalin. Kisha ngelur shtatzënë me një njeri, i cili në njërin nga momentet më të vështira të jetës sime, më kishte qenë afër. Më kishte ndihmuar që ta tejkaloja mërzinë për Beratin, burrin i cili më kishte lënë. Iliri ishte miku i tij më i mirë, e unë e re, e lënduar dhe plot dëshirë për hakmarrje. Iliri më dukej arma më e mirë për planin tim. Luajta me ndjenjat e tij, e pavetëdijshme se, duke bërë një gjë të tillë, unë në fakt i shkaktoja atij të njëjtat dhembje që mi kishte shkaktuar Berati mua. Kështu, për fat të keq, ndodh shpesh në jetë. Nuk e dimë se, derisa ankohemi se të tjerët na kanë bërë këtë e atë të padrejtë, në fakt edhe ne dikujt i bëjmë të padrejtë, ndoshta edhe më shumë sesa të tjerët që na bëjnë neve. Por, këtë ndoshta kurrë nuk e marrim vesh. E, edhe kur ta marrim vesh, gjithmonë e kemi një arsyetim në majë të gjuhës. Veten e arsyetojmë menjëherë, e të tjerët kurrë. Kjo nuk është e drejtë. Që nga fillimi i lidhjes me të, e kisha të qartë se ai ishte çmendurisht i dashuruar në mua. Çfarëdo që të dëshiroja unë, Iliri do të bënte gjithçka, duke e kthyer botën mbrapshtë, për të ma plotësuar atë dëshirë. Për dallim nga Berati, Iliri mbante mend të gjitha datat e rëndë- sishme, që kishin të bënin me mua. Të gjitha ato që kisha thënë dhe kisha bërë. Ai ishte mashkull që më blinte dhurata, çdo ditë ma sillte nga ndonjë imtësi, si shenjë se mendonte për mua. Edhe për Beratin Iliri ishte shok besnik. Gjatë grindjeve tona të mëdha, ishte mu ai që tentonte të na pajtonte. As përpara, e sidomos as pasi që unë dhe Berati u ndamë, ai nuk mund të më shihte duke qarë. Ishte engjëlli im që më ruante dhe më donte me gjithë shpirt, pa marrë parasysh se sa, në fakt, nuk më interesonte fare. Pasi që kuptova se, përfundimisht, kisha mbetur vetëm, se Berati me të vërtetë nuk do të më kthehej më, ai ishte i pari që e kisha thirrur. Të gjitha këto ishin të vërteta, nuk mund t’i mohoja, meqë, përkundër të gjithave, nuk isha e tillë që iu bëja keq të tjerëve, të paktën jo me vetëdije. Ai kishte të gjitha të drejtat që të më urrente dhe të më qortonte. Ai kishte të drejtë në këtë. (vijon)

(Kosova Sot)