Ngjarje e vërtetë:MË BRAKTISI PËR SHKAK TË OPERACIONEVE ESTETIKE (3)

  • 18 April 2018 - 14:07
Ngjarje e vërtetë:MË BRAKTISI PËR SHKAK TË OPERACIONEVE ESTETIKE (3)

Natyrisht se nuk doja, por më duhej që të isha e kujdesshme dhe të mos lejoja që burri im të merrte vesh për operacionin tim më të ri. Fillova që të kurseja në gjithçka dhe, kur i mblodha paratë e nevojshme për operim të hundës, e thirra Yllkën.

- Nuk di çka të bëj. Berati këtë nuk do ta kuptojë.

- Pse nuk i thua se do t'i vizitosh familjarët e tu në bregdet? Bëje operacionin dhe eja tek unë, derisa të shërohesh - më tha ajo. - Kur do të të shohë, ai do të mendojë se pamja jote e re është rezultat i qëndrimit në bregdet. Ky ishte një plan i përkryer. Nëna ime kohëve të fundit nuk ndihej bash mirë, prandaj ky ishte një arsyetim i përkryer. Ditën e operimit Berati më përcolli deri në aeroport. Ishte i butë ndaj meje dhe i premtova se do të kthehesha së shpejti. E putha me epsh dhe, sapo u largua, bëra turr që ta gjeja një taksi. Dy orë më vonë isha e gatshme për operacion. Kisha vendosur që, krahas korrigjimit të hundës, të ngritja lartë edhe kapakët e syve. Kur u zgjova dhe u shikova në pasqyrë, sa nuk më ra të fikët. Dukesha sikur të isha rrahur me Haxhi Robin Krasniqin. Sytë i kisha të zi, kurse hunda më ishte bërë dyfish më e madhe. Më thanë se kjo ënjtje do të më kalonte për disa ditë, por ato më kaluan vetëm pas dhjetë ditësh. Iu falënderova Yllkës për mikpritje dhe u nisa për në shtëpi. Vetura e Beratit ishte në garazh, por ai nuk doli që të ma hapte derën. E shqetësuar, fillova ta kërkoja. - I dashur, ku je? Erdha! E gjeta në dhomën e punës. As që lëvizi kur më pa. - Berat, u ktheva. A nuk do të më puthësh, a? - E, pse do të të puthja? Mezi të njoh! - Mos thuaj marrëzi. Grua më ke dhe...

- Të kam pasur dikur. Dikur ishe e gëzuar, spontane, argëtuese... Tani e kalon kohën e lirë në banjë, para pasqyrës, në kërkim të arsyeve për operacione të reja. Nuk mund të jetoj kështu. Sjellja jote është e sëmurë. - Por, unë dua që të jam e bukur për ty! - thashë me zë të lartë.

- Çka ka të keqe në faktin që dua të jem e bukur për mashkullin të cilin e dua?

- Ti më nuk ke kohë për mashkullin të cilin e do! - ma ktheu me zemërim burri.

- Sa kohë ka që nuk kemi biseduar për asgjë tjetër, pos për operacionet tua - të kaluarat, të tashmet dhe të ardhmet? - I dashur - thashë me zë të dobët - jam e lodhur nga rruga …

- Çfarë rruge, more! Ti ishe te doktori yt i preferuar për operacion të fytyrës, e jo te nëna jote! - Më vjen keq, por e dija se nuk do të më kuptoje nëse do të ta thosha të vërtetën - i thashë duke qarë.

- Vetëm doja që t'i hiqja ato lytha të shëmtuara në hundë.

- Hunda jote nuk kishte asnjë të metë. Çka është duke ndodhur me ty, Nita? Kur e ke ndërmend të ndalesh? Nuk i thashë asgjë, por me vrap shkova në dhomën time. Prisja që ai të vinte pas meje, por nuk erdhi. Atë natë, sikur edhe tërë javën, fjeti në dhomën e mysafirëve. Pasi që përfundimisht u pajtuam, i premtova se këmba ime më nuk do të shkelte në ordinancën e dr Dinit. Berati më tha se më do. Tërë natën biseduam rreth planeve për të ardhmen. Më tregoi se, pasi që të pensionohej, do të preferonte që të jetonim në shtëpinë tonë të vogël, në bregdet. Fjalët e tij më shqetësuan. A do të dukesha mirë në bikini? Menjëherë mendova sesi do të ishte mirë sikur t'i ngritja dhe rrisja gjinjtë. Beratit nuk i thashë asgjë, por iu rrëfeva Yllkës.

- Jam duke kursyer për operacion të gjinjve - i thashë - por nuk e di se kur do ta bëj këtë.

- Burri yt e tepron - më tha ajo. - Në fund të fundit, për dy vjet ke bërë vetëm disa intervenime të vogla. Je duke iu afruar të dyzetave dhe ke të drejtë që të bësh gjithçka, me qëllim që ta ruash bukurinë. Atë mbrëmje Berati më ftoi ta shikonim TV-në bashkë. /vijon/

(Kosova Sot)