Roman dashurie:Shumë larg shtëpisë (2)

  • 18 April 2018 - 14:11
Roman dashurie:Shumë larg shtëpisë (2)

Përsëri, Adelina e hapi gojën për të folur, por Haliti dukej se nuk mund të ndalej."Kam frikë se Britania nuk e ka bërë atë krejtë- sisht për vete. Ajo mendon se Uimbëlldoni është i mërzitshëm, nuk preferon kuzhinën britanike dhe, nëse nuk gaboj, ajo refuzoi ta dëgjonte fjalimin e mbretëreshës vitin e kaluar, për Kërshëndella". "Refuzimi që ta dëgjojë fjalimin e mbretëreshës me të vërtetë duhet të jetë arsye për ta përzënë nga vendi", tha Marku. Adelina qeshi me qesëndi. Haliti nuk e dinte se Marku ishte vetëm duke bërë shaka me të. "Haliti ka të drejtë", ndërhyri Adelina. "E unë u mbështolla në flamurin amerikan, si dhe shikova filmin "Top Gun" derisa haja një virshlle dhe pastroja revolen time". Buzëqeshja e Markut u zgjerua edhe më shumë.

KAPITULLI I GJASHTË

Adelinës nuk iu desh që të priste shumë, që të takohej përsëri me Tefikun. Të nesërmen ai ia dërgoi asaj me mesazh orarin e performimeve të tij, si dhe një link për "Lottie's Greenhouse" të pasuar me pikëpyetje. "Lottie's Greenhouse" ishte një qendër interesante si dhe një kompani e cila ofronte organizimin e ngjarjeve të veçanta gjatë tërë vitit. Aty ajo kishte shkuar për ta parë Babadimrin kur ishte e vogël dhe ku e blinin Pemën e Kërshëndellave çdo vit. Duke qëndruar ulur pranë tryezës në kuzhinë, duke e pirë kafen e saj të dytë, ajo klikoi linkun për të parë se a priste ai që ajo do të shkonte për t'u ulur në prehrin e Babadimrit. Linku e çoi atë në faqen e një fushe të patinazhit, të hapur deri më 2 janar. Adelina lëpiu buzët. Një fushë patinazhi definitivisht dukej më shumë si një takim dashurie sesa si takim i dy ishshokëve të shkollës. "Edhe sot u zgjove vonë", i tha nëna, që i qëndronte prapa. "Jam në pushime", tha Adelina duke e mbrojtur veten. "E di e dashur se je në pushime. Por, kur ishe më e re gjithmonë zgjoheshe pa gdhirë". "Mua më duket se babai zgjohej para meje", tha Adelina edhe pse ishte e vërtetë se asaj i pëlqente që të zgjohej herët. "Kush zgjohet herët i shkon dita mbarë", kjo ishte motoja e saj private, e cila i kishte shërbyer mirë gjatë studimeve në juridik, kur ulëset në bibliotekë që të gjitha ziheshin para orës nëntë. "Nejse, si duket tani je duke e kompensuar gjumin e humbur", i tha e ëma me qesëndi. Adelina iu afrua aparatit të kafesë, për ta bërë një kafe. "Besa thirri për të parë se a do të doje të dilje në shoping të Kërshëndellave me të". "Sot?" Ajo rrudhi supet. "Ashtu më duket. Numrin e saj e lash aty", tha ajo, duke bërë me gisht kah një copë letër. "Ajo po ashtu dëshiron të sigurohet se do të shkosh në shfaqjen e shkollës së Omerit. Si duket ai ka insistuar që ti të shkosh, e asaj tani i duhet që t'iu tregojë atyre se sa veta do të shkojnë". "Qartë, e di ai kë e ka fansin më të zjarrtë. Kur është kjo?" "Nesër në mëngjes, me kusht që ti të jesh ende këtu", tha Teuta. Adelina u bë kinse nuk e hetoi ironinë në zërin e saj dhe tha thjesht se do të ishte aty. "Mirë, atëherë. E, si të duket të jesh këtu përsëri? A je mërzitur ende"? Adelina rrotulloi sytë. "Nënë, nuk jam një vajzë 12- vjeçare. Unë nuk mërzitem". "Mirë, mirë. Por, sytë i rrotullon sikur t'i kishte 12 vjet, ama". Adelina ndjeu se si iu skuqën faqet. Ajo mund të jetë bërë avokate e zonja në një kompani të njohur në Londër, por para nënës së saj ajo ende kishte mbetur fëmijë. Telefoni i ra përsëri. Sërish ishte Tefiku. (vijon)

(Kosova Sot)