Roman dashurie:Shumë larg shtëpisë (4)

  • 20 April 2018 - 18:02
Roman dashurie:Shumë larg shtëpisë (4)

"He-he-he! Ende qenke ajo e vjetra. Nuk paske ndryshuar aspak". "Ndryshuar? Nga çka? Kam lajme për ty, Besa", tha Adelina. "Fakti që ju, familja ime, më keni shpallur llasticë, nuk d.m.th. se edhe jam e tillë". "Të kemi emërtuar?", u habit Besa. "Nuk kemi pasur nevojë të të emërtonim. Vetë ishe e tillë. Tepër e mirë për të gatuar, tepër e mirë për të qepur. Zonjë e gjysmë! "Nëse me gatim nënkupton grirjen e sallatës së gjelbër, atëherë ke të drejtë. Nuk jam e zonja për ta bërë një gjë të tillë". Besa si duket u prek. Por, Adelina vazhdoi me të sajën. "Pse je zemëruar me mua? Për faktin se u largova nga këtu, apo pse u ktheva e suksesshme?" Besa turfulloi. "Është evidente se ti dhe unë kemi definicione të ndryshme të suksesit". Adelina e shikoi fytyrën e zemëruar e të mërdhezur të motrës së madhe dhe mblodhi mjaft forca që të largohej para se grindja të eskalonte edhe më shumë. "Do t'ia blej Bleronit atë skuter", tha ajo me zë të qetë. "Do të kthehem vet disi në ishull". "Kam një lutje për ty", i tha Besa me zë më të lartë, derisa ajo ishte duke u larguar. "Mos i trego se ti ia ke blerë skuterin, meqë pasi që ti të zhdukesh sërish, nuk dua që ai të mërzitet sa herë që ta përdorë atë". Besa mori qeset e saj dhe u nis në drejtim të kundërt. Derisa ecte nëpër qendrën tregtare, Adelina ishte tepër e zemëruar. Lotët i dilnin nga sytë. E lodhur nga grindja, ajo gjeti një vend për t'u ulur dhe i mbylli sytë. Asaj nuk i pëlqente aspak që të grindej me motrën. Ishte e qartë se Besa ishte tepër e zemëruar dhe Adelina nuk e fajësonte atë për një gjë të tillë. Ajo më pas hapi sytë dhe filloi t'i shikonte blerësit. Vërejti një familje pesë anëtarëshe që mundoheshin të ecnin së bashku, përkundër faktit se e kishin vështirë ta bënin një gjë të tillë, për shkak të turmës së madhe. "Bëhuni rresht një nga një", dëgjoi ajo babanë e familjes duke thënë. Tre fëmijët më të mëdhenj e vunë më të voglin para tyre. duke u bazuar në atë se sa shpejt ata e formuan rreshtin, Adelina mendoi se, me gjasë, i ati i tyre duhej të ishte ushtarak. "Dukeni sikur keni nevojë për një kafe të fortë", i tha një njeri paksa më i moshuar, që u ul afër saj. Ai e la shkopin e tij në skaj të ulëses. "Një pije e fortë", u pajtua ajo. "Nuk e di me siguri kafe, apo diçka tjetër". Njeriu e analizoi duke e shikuar dhe qeshi lehtazi. I ra në sy fakti që ajo nuk kishte asnjë qese me gjësende të blera. "Ke vështirësi që të vendosësh çfarë dhuratash të blesh"? Adelina mohoi me kokë. "Edhe po ta kisha këtë problem, ai nuk do të më shqetësonte fare". Plaku buzëqeshi me mirësi. "Unë gjithmonë shkoj me gruan time, kur duhet të blejë dhurata. Ajo kurrë nuk mund të vendosë vet. Çka nëse Agronit nuk i pëlqen kjo veturë? Çka nëse Driadës së vogël nuk i bie tamam xhemperi? Çka ashtu, çka kështu"? "Më lër t'ia qëlloj. Dhuratat gjithmonë janë ato të qëlluarat". Njeriu u mbështet në ulëse dhe u përgjigj. "Gjithmonë! Ajo shqetësohet për asgjë". "Besoj se ty të pëlqen kur i ndihmon", komentoi Adelina. Ai e kroi faqen. "E di çka? Kjo është puna ime. E dua atë dhe kjo është njëra nga mënyrat për ta bërë atë të lumtur". "Sa njeri i mirë që jeni", nuk u durua pa i thënë ajo. "Po, po. Por harrova t'ju thosha se edhe ajo ma bën qejfin mua. As unë nuk jam i përkryer. Askush nuk është". (vijon) 

 

(Kosova Sot)