Roman dashurie:Shumë larg shtëpisë (7)

  • 23 April 2018 - 16:12
Roman dashurie:Shumë larg shtëpisë (7)

KAPITULLI I SHTATË

Pasi që Adelina u largua nga Londra, për të shkuar në ishullin Mangrouv, ajo nuk e kishte ndonjë plan të madh. Jeta e saj kishte arritur deri në një moment kur nuk kishte ku të shkonte më, përpos në vendin të cilin dikur e kishte përbuzur. Tani, pasi që ishte kthyer, ajo kishte filluar të mendonte se ky ishte një vendim i duhur. Edhe pse edhe këtu kishte hasur në disa pengesa, ato nuk dukeshin aq të pakalueshme, sikurse pengesat në Londër. Bile edhe grindja e saj me Besën nuk dukej aq e tmerrshme. Ato bërtitën dhe thanë atë që patën për ta thënë dhe disi, Adelina e dinte se raporti i saj me të motrën do të vinte duke u përmirësuar. Dhe, më pas, aty ishte edhe Tefiku, një befasi e këndshme. Adelina shpresonte se do të mund të kënaqej në shoqëri me të, pa e pasur atë ndjenjën e fajit, e cila e dërmonte. Me të arritur në shtëpi, ajo u fut në dhomën e saj dhe u vesh me nguti me të zeza, me një fustan pa mëngë dhe me këpucë, po ashtu të zeza. Ajo krehu shpejt e shpejt flokët e saj. I thoshte vetvetes se nuk ishte duke u ndrequr për Tefikun, por për shkak se ishte duke shkuar në një vend aq të mirë, sikur që ishte "Galleon", prandaj i duhej që të dukej bukur. "Galleon" ishte një restorant afër plazhit, i njohur për pamjet e mahnitshme të ishullit që i ofronte, sidomos të perëndimit të diellit. Kishte vite të tëra që ajo nuk kishte shikuar perëndimin e diellit, prandaj mezi priste një gjë të tillë. Kur ajo mbërriti Tefiku tanimë ishte ulur pranë një tavoline jashtë. Asaj iu skuqën faqet pasi që hetoi shikimin e tij që e përshkoi nga këmbët, e deri te flokët e përkryera. Kur ajo mbërriti te tavolina, ai u ngrit dhe ia ngrehi karrigen. "Oh, faleminderit, zotëri", tha ajo. "Si duket Pali nuk të paska bërë asgjë të keqe", tha ai. "Pali është heroi im". "Ai është një njeri i mrekullueshëm", u pajtua Tefiku. "Mora lirinë që ta porositja edhe pijen për ty. Shpresoj që kjo të të mos mungojë". "Mirë ke bërë, edhe ashtu më duhej. Faleminderit". "D.m.th. aq keq i ke punët me motrën?", e pyeti ai. Ajo bëri me dorë."Ishte një grindje që duhej të ndodhte. Tani, shpresoj, mund t'i përmirësojmë raportet". "Më vjen mirë për këtë. Tani mund të kënaqemi duke shikuar perëndimin e diellit. Nuk besoj se në Londër keni këso pamjesh", tha Tefiku, duke e shijuar momentin e "zhdukjes" së diellit. Ajo e përqendroi vëmendjen e saj te horizonti ngjyrë mandarine, me nuanca të së kuqes. Midis qiellit si në ëndërr dhe zhurmës së valëve që godisnin lehtë brigjet, tendosja e Adelinës u zhduk në tërësi. "Pamje e mrekullueshme", tha ajo, duke marrë frymë thellë. "Edhe ti je e mrekullueshme", tha ai me zë të ulët. Ajo ndjeu sesi iu skuqën faqet. "Tefik…" "E di, nuk kemi dalë në takim". Ai u mbështet në karrige, duke marrë një pamje e cila asaj i pëlqente pa masë, kështu që nuk kishte sesi t'i mohonte ndjenjat në ato momente. Kamerieri solli dy uiski dhe njërin e la para Adelinës, e tjetrin para Tefikut. Adelina nuk mund t'ia ndante sytë trupit të përkryer të Tefikut. Kur ajo pa se ai e kishte hetuar, iu duk sikur ta kishin zënë në hajni. U mbështet në karrige dhe e pastroi zërin. "Pra, a ke ti ndonjë profesion tjetër, përpos muzikës"? Ajo shpresonte se, duke bërë muhabet, do t'ia dilte që ta largonte vëmendjen nga fiziku i tij plot muskuj. (vijon)

 

(Kosova Sot)