Ngjarje e vertete:SEKRETI QË NËNA IME E MORI NË VARR (6)

  • 19 May 2018 - 15:14
Ngjarje e vertete:SEKRETI QË NËNA IME  E MORI NË VARR (6)

- Leonora? - pyeti ai. - Jo, unë jam Blerina. - Ah, ti je… Këtë e tha sikur të njiheshim tanimë. Por, unë isha e sigurt se nuk e kisha parë kurrë dhe se ai më kishte përzier me motrën time. Vetëm më pas kuptova pse: në fakt kisha një rol kyç në tregimin të cilin ma tha. - Unë jam Burimi - u prezantua ai. Burim, emër i cili doli nga e kaluara, më bëri që sërish të më kujtohej prekja e kadifenjtë e perdeve prapa të cilave fshihesha duke përgjuar bisedat e nënës dhe babait. Kushedi pse, në kujtim më erdhi ky emër, i thënë gjatë një grindjeje midis prindërve të mi, ku më pas nëna kishte filluar të qante si e marrë. - Si më gjete, Blerina? - donte ta dinte Burimi. - Ju pash dhe ju përcolla - iu përgjigja. - Të lutem, mos mu drejto me "ju". Po, është e vërtetë se e kam vizituar varrin e nënës tënde, në fakt unë për këtë edhe erdha këtu. Vetëm para një muaji mora vesh për vdekjen e saj, nga një i njohur i përbashkët me të cilin u takova pas një kohe të gjatë. - Çfarë raportesh ke pasur me nënën time? Duhet të keni qenë shumë ngushtë të lidhur pasi që ke ardhur nga një qytet tjetër, për t'i vënë lule në varr. - Blerina, nuk mendoj se tani është koha që... - Nuk mendon? Ki mëshirë dhe mos më le që të mundohem me supozime. Burimi lëvizi dhe u mbështet në karrige. - Ishim miq - mu përgjigj, duke më zemëruar edhe më shumë me rrenën e tij ashiqare. - Miqtë nuk dhurojnë tulipanë të kuq dhe poezi të dashurisë! - nuk u durova pa thënë, e befasuar edhe vet me këtë që thash. - Keni qenë në lidhje, apo jo? - Po - pranoi ai përfundimisht. Ky konfirmim i thjeshtë më goditi pa masë. Kisha ndjenjën sikur atë çast nëna ime vdiq për herë të dytë, meqë pranimi i Burimit ma shkatërroi besimin dhe respektin të cilin e kisha pasur gjithmonë për të. E, ajo që kishte mbetur nga nëna ime, kujtimet e mira, u shkatërruan përgjithmonë. Burimi vërejti se sa më lëndoi zbulimi i papritur dhe e luti kamerierin që të ma sillte një gotë ujë. Por, nuk do të mjaftonte as edhe një liqen për ta mbuluar shkretëtirën në zemrën time. Në fillim Limani, tani nëna: etja për dashuri, të cilën ma lanë ata, kurrë nuk do të shuhet. Burimi e dinte se nuk do të mund të nxirrej me një përgjigje kaq të thjeshtë dhe se ma ka borxh një sqarim më të gjerë. - Para se të fillonim të takoheshim unë dhe Drandja, prindërit tu kishin pasur një krizë martesore - filloi ai. - A e ke ditur këtë? Mohova me kokë. Më nuk dija asgjë... Ata gjithmonë ishin aq të përkushtuar ndaj njëri-tjetrit, prandaj nuk e dija si kishte mundësi që të kishin pasur probleme në martesë? - Kjo ka ndodhur para se të lindje ti - vazhdoi Burimi. - Për shkak të punës, babai yt shpesh mungonte nga shtëpia, ndonjëherë edhe për periudha të gjata. Kjo ishte e saktë, babi punonte në industrinë e naftës dhe shpesh ishte në udhëtim. Gjithmonë habitesha se si ai dhe babi, të cilët dukeshin se nuk mund të jetonin as edhe dy ditë pa njëritjetrin, mund të rrinin të ndarë për një kohë kaq të gjatë. - Drandja donte që burri i saj ta gjende ndonjë punë tjetër, ku nuk do t'i duhej të bënte udhëtime kaq të gjata, por Eugjeni e kishte rrogën e mirë dhe nuk donte ta ndërronte punën - më tha Burimi. - Nëna jote filloi të ndihej e vetmuar dhe e lënë pas dore. Një arsyetim me të vërtetë origjinal, mendova. Të njëjtin arsyetim e kishte përdorë edhe burri im. Por, e vërteta banale gjithmonë dhembë më së shumti. (vijon)

(Kosova Sot)