Roman dashurie: Ai i verteti (2)

  • 19 May 2018 - 16:30
Roman dashurie: Ai i verteti (2)

Ishte e virgjër deri në moshën 26-vjeçare, kur për herë të parë dikush e dëshiroi. Tani e dëshironin të gjithë, por ajo këtë e konsideronte sukses, e jo mëkat. - Kjo nuk është punë për ty. - Si? Qysh nuk qenka punë për mua? Nëse ke harruar, ne jemi në lidhje. - Ishim në lidhje. Kjo i takon kohës së shkuar. Buzët e Jetonit u shtrënguan. Më nuk ishin aq të bukura, të rregullta, si i mbante në mend Doruntina derisa i puthte. Dhe, disi përnjëherë ai më nuk ishte mashkulli i saj i preferuar. Vërejti se ai nuk ishte rruar. Kushedi sa herë deri më tani kishte qenë i parruar, por tani ajo e vërejti këtë për herë të parë. - A je duke më thënë se më nuk jemi bashkë? - Po, po! Ia qëllove. Kamerieri u afrua, por Doruntina e refuzoi pijen me mirësjellje. - A as një pije nuk dëshiron që ta pish me mua, a? - Të thashë se jam për ngutë. - Do të dalësh me dikë tjetër? Në atë provokim nuk deshi që të përgjigjej. - Mundja t'i thosha të gjitha nëpërmes telefonit, por nga përvoja e di se do të vije te unë, duke kërkuar që këto fjalë të t'i them në fytyrë. Kështu vetëm sa zvogëlova mundimin e përsëritjes së dyfishtë. Tani në fytyrën e Jetonit u paraqit ajo që Doruntina edhe kishte supozuar se do të paraqitej. Bëri një grimasë të përqeshjes, sarkazmit, sikur të donte që me atë t'ia bënte me dije se ishte më i fortë se ajo. - Nga përvoja? Dëshiron të thuash se je mësuar që t'i lësh meshkujt? Kjo duhet të jetë një përvojë e pasur. - Varet se si e merr. Duke qenë se vetëm tash e katër vjet ndihej "e gjallë" dhe se, më parë, edhe po të donte, nuk mund të ishte me ndonjë mashkull, mund të thuhej se me të vërtetë kishte një përvojë të pasur. Pesë meshkuj kishin filluar dhe përfunduar si Jetoni. Të katër prej tyre iu kishte thënë me telefon se i linte, por që të gjithë kishin shkuar më tej që të përpiqeshin që, sy më sy, të ndryshonin diçka. Për këtë shkak kësaj here kishte vendosur që ta thjeshtësonte këtë procedurë. U ngrit dhe ia zgjati dorën edhe pse e dinte se ai do ta refuzonte. - Nuk do të doja që të më urreje. E tërhoqi dorën, priti disa minuta duke shpresuar se Jetoni do ta befasonte me ndonjë gjë për të mirë, por meqë asgjë nuk ndodhi, u nis për të shkuar te vetura. - Kuçkë! Ajo nuk u kthye dhe nuk reagoi në këtë fjalë, por me një ndjenjë se ishte e lumtur që kishte marrë vendimin e duhur, në atë moment mund ta zbuste turpin nga shikimi i njerëzve të tjerë, të pranishëm aty. KAPITULLI I DYTË Rinori e priti me buzëqeshje. Miku i saj i vetëm dhe më i mirë që nga shkolla e mesme gjithmonë e dinte se çka i ndodhte Doruntinës në jetë. Dhe, për asgjë nuk ia shihte për të madhe. Për më tepër, gjithçka që bënte ajo, Rinorit i dukej e afërt dhe simpatike. Në anën tjetër, edhe ajo e çmonte dhe e donte Rinorin. Gjatë shkollës së mesme, derisa ajo ishte e trashë dhe e shëmtuar, vetëm ai kishte pranuar që të shoqërohej me të edhe pse ishte njëri nga djemtë më të bukur dhe më të popullarizuar në shkollë. Ai nuk ua kishte vënë veshin të tjerëve, të cilët i thoshin që të mos shoqërohej me Doruntinën, që të mos e turpëronte veten. Por, ai i kishte kaluar të gjitha fazat e jetës me Doruntinën e, nga momenti kur ajo kishte vendosur që të bënte ndryshime në pamjen e vet, ai e kishte mbështetur maksimalisht. Ai ishte aty kur ajo dëshpërohej dhe kur donte që të hiqte dorë nga gjithçka. Ajo kurrë nuk do t'ia harronte Rinorit këtë të mirë. Edhe pse disa herë kishte dashur që ta pyeste pse ishte shoqëruar me të derisa ajo ishte e trashë dhe e shëmtuar, ajo nuk kishte guxim që ta bënte këtë, pas kaq shumë vitesh, meqë kishte frikë nga përgjigja. Natyrisht, kurrë nuk i kishte treguar sesi për një kohë të gjatë kishte qenë e dashuruar në të, e vetëdijshme se kurrë nuk mund ta kishte për vete. (vijon)

(Kosova Sot)