Roman dashurie: Ai i verteti (6)

  • 23 May 2018 - 16:01
Roman dashurie: Ai i verteti (6)

KAPITULLI I KATËRT

E hapa derën dhe hyra duke ecur në majë të gishtave. Dëgjohej zëri i dobët i televizorit dhe Doruntina kuptoi se nëna e saj nuk ishte ende në gjumë. Kjo në atë moment nuk i pëlqeu. Edhe pse jetonin bashkë, nëna dhe e bija nuk kishin raport të mirë. Marrëdhënia e tyre më shumë ngjante në një luftë shumëvjeçare të ftohtë, ku kurrë nuk kishte pasur fitues, por vetëm humbës. Përkundër kësaj, Doruntina ishte shumë e lidhur me të ëmën, meqë, fundja, e kishte vetëm atë. Të atin nuk e mbante mend, meqë ai kishte vdekur kur ajo kishte vetëm një vit. Meqë e ëma gjithmonë kishte ëndërruar ta kishte një djalë, deri në skajshmëri e kishte rritur Doruntinën sikur të ishte djalë, e jo vajzë. Ia shkurtonte flokët si të djemve, e vishte vetëm me pantallona dhe kjo, në fund, ndikoi që vajza të kishte shumë komplekse dhe ta kërkonte shpë- timin te ushqimi. Nëna kurrë nuk ia kishte tërhequr vërejtjen se hante shumë, meqë mendonte se, për meshkujt, nuk ka rëndësi a janë me mbipeshë, apo me peshë normale. Përndryshe, Doruntina kishte lindur kur e ëma kishte 35 vjet, kështu që tani asaj i duhej që të përkujdesej për të ëmën, e cila ishte e sëmurë nga zemra. E gjeti duke qëndruar ulur në kolltuk, duke shikuar një film. Plaka as që lëvizi kur hyri e bija. - Ende nuk fle? - Jo, sikur që sheh. - Ndonjë film interesant? Tentimet e Doruntinës që të afrohej me të ëmën nuk përfundonin me sukses, por ajo sërish, nga fillimi, mundohej ta ndryshonte këtë. Në fakt, derisa Doruntina nuk vendosi që ta ndryshonte pamjen dhe të bëhej një femër e bukur, nëna çdo ditë sillej mirë me të, në fakt jo me fjalë, por me sjellje. Kur plaka pa për herë të parë të bijën kur u kthye e djersitur nga palestra në shtëpi, u shkaktua një kaos i vërtetë. E, kur ajo bleu fustanin e saj të parë, krisi lufta. Për tre muaj rresht plaka kishte refuzuar që të rrinte në një dhomë me të bijën. Në fund, kur Doruntina kishte vendosur se mjaft më kishte qenë nën kontrollin e asaj gruaje, e cila donte ta kishte djalë, e jo vajzë, nëna vendosi që të vazhdonte të komunikonte me të, por tërë butësia e mëparshme ishte zhdukur. Edhe kësaj here ndodhi ajo që kishte pritur Doruntina. - Po, po. Unë shikoj filma interesantë, e ti mund të vish në shtëpi kur të duash. - Nënë, nuk jam vonuar. Ende nuk është ora 11. - Në kohën time kjo ishte koha kur ishim në gjumin më të mirë. - Po, por kjo ishte gjatë kohës tënde. Gjithçka përfundonte me grindje. - D.m.th unë qenkam plakë, a? Lirisht thuaj se jam rrokatë dhe se mezi pret që të vdes. - Ti e di se kjo nuk është kështu... por, unë nuk dua që edhe një herë ta përjetoj këtë bisedë. Natën e mirë. U mundua që ta puthte të ëmën në faqe, duke i uruar natë të mirë, por ajo u largua. Pak më vonë, derisa ishte duke bërë dush, Doruntina filloi ta analizonte jetën e vet. Në fillim ishte e ftohtë dhe pa mëshirë derisa e kishte lënë Jetonin. Pas ofendimit të tij ishte ndier e dëshpëruar. Propozimi i Rinorit që t'i kalonin pushimet së bashku i kishte sjellë gëzim në shpirt, derisa takimi me të ëmën e kishte dëshpëruar sërish. Dhe, tërë këtë e konsideronte trashëgim nga e kaluara. Rinori ishte miku i saj i vetëm nga rinia, e nëna kurrë nuk ia kishte falë "gabimin" që nuk kishte lindur si djalë. Në fund u shpëla me ujë tërësisht të ftohtë, sikur të donte t'i ngrinte kujtimet e së kaluarës. (vijon)

(Kosova Sot)