Roman dashurie: Ai i verteti (8)

  • 25 May 2018 - 15:49
Roman dashurie: Ai i verteti (8)

E dinte se çka i thoshte, edhe pse nuk e kishte të lehtë ta pranonte. Por, nuk kishte të drejtë që të kundërshtonte. Ai ishte mësuar me një jetë të tillë dhe ajo ishte vetëm një lojtare rezervë, në mungesë së primadonës. Për këtë shkak u ngut që t'ia lehtësonte gjendjen. - Nuk ka problem, me të vërtetë. Shko me të, mos u shqetëso për mua. Edhe unë do ta kem më mirë. Nëna do të gëzohet kur do ta marrë vesh se nuk do të shkoj në pushime. - Më vjen keq që more pushim për mua. - Do ta merrja edhe ashtu, e ndoshta edhe do të punoja si e marrë, për t'i mbledhur ditët e pushimit vjetor, për t'i shfrytëzuar para se të dalë në pension. Ajo buzëqeshi, por buzëqeshja e saj më shumë ngjante me një grimasë të rreme. - Do të ta kompensojë këtë. Të premtoj! - Rinor, ti ke bërë mjaft për mua, prandaj unë nuk ofendohem nga ti vetëm për shkak të një veprimi të vogël. Ti vetëm kalo mirë dhe, udha e mbarë. - Faleminderit... por dije se kam menduar gjatë se çka të veproja. Nuk e kam pasur lehtë të vendosja. Sapo Doruntina filloi që ta pyeste veten se çka kishte ndodhur që ai të vendoste sikur që kishte vendosur, ai iu përgjigj pa e pyetur fare. - E di, ne jemi miq dhe ndoshta do të ndodhte ndonjë moment i cili do ta prishte këtë miqësi. Mendoj... nëse më kupton... diçka që nuk na duhet. - Si të shkon mendja për gjëra të tilla? - Unë jam si kafshë. Dehem dhe kushedi se çka jam në gjendje të bëj. Kështu, mund të dehem dhe Jehona nuk do të ma shohë për të madhe edhe nëse e sulmoj. - Unë jam e sigurt se ajo do të të sulmojë ty. Në rregull, kuptova. Dhe, pajtohem me ty. E, tani nuk dua që të flas më për këtë temë, meqë nuk dua që të mundohesh edhe më shumë të më bindësh sesi nuk ke menduar asgjë keq. - Faleminderit! Je loçkë, a e di? Kësaj here ajo buzëqeshi sinqerisht. - Të dëshiroj me të vërtetë një argëtim të këndshëm. Lajmëromu, të paktën me një mesazh, sa për të mos u bërë merak. - Në rregull. E, a mund të dalësh me mua për darkë nesër? Sapo deshi që të pranonte, diçka e shtrëngoi në gjoks. Nuk ishte e gatshme që të ballafaqohej me të, e pse - as vet nuk e kishte të qartë. Për këtë shkak u detyrua të gënjente. - Do të doja të të shihja para se të udhë- tosh, por iu kam premtuar kolegeve që të shkoj me to në një koncert. - E, pasnesër? - Pasnesër... nuk e di, nëse nuk do të jem tepër e lodhur, atëherë mund të dëgjohemi. - Në rregull, më lajmëro pasnesër, atëherë. - OK. - Çao! - Çao, tung! Pas kësaj bisede Doruntina u kthye në dhomë dhe me pikëllim shikoi listën e gjësendeve që donte t'i merrte me vete për pushime. E shqeu dhe e copëtoi listën, e më pas u hodh në shtrat dhe i nguli sytë në tavan. Mendonte se a kishte qenë Rinori i sinqertë në arsyetimin e tij, apo jo. I interesonte ta dinte se a kishte menduar ai me të vërtetë se mund të ndodhte diçka midis tyre. edhe pse ishte tepër e dëshpëruar, disi i vinte mirë që ai kishte menduar për të në atë mënyrë.

KAPITULLI I GJASHTË

Pasi që Rinori i telefonoi për të parë pse ajo nuk e kishte thirrur, sikur që ishin marrë vesh, ajo e rrejti, duke i thënë se kishte dhembje të hatashme të kresë, pas ndejës së një nate më parë, ndejë e cila në fakt, nuk kishte ekzistuar kurrë. Ishin të rralla rastet kur ajo e gënjente Rinorin, por disi nuk donte ta shihte para se ai të nisej për në pushime. Ai si duket i besoi dhe vetëm u përshëndetën përmes telefonit, për t'u parë pas dy javësh. Doruntina e dinte orën e nisjes së avionit të Rinorit, prandaj për një moment i nguliti sytë në qiell, për të parë se mos po e shihte ndonjë avion, me shpresën fëmijërore, që ai do të ishte mu avioni i Rinorit. Por, meqë nuk pa asgjë, e uli shikimin dhe ofshau. 

(Kosova Sot)