Roman dashurie:Gruaja me sekrete (16)

  • 11 July 2018 - 16:45
Roman dashurie:Gruaja me sekrete (16)

Kjo gjë e frikësoi paksa. Në mesin e tyre kishte edhe të bukur, edhe të shëmtuar, edhe të trashë edhe tepër të hollë. Disa mund të ishin të mirë, disa të pafytyrë dhe agresivë. Ndërsa Sokoli ia ofroi mundësinë që më shpejtë t'ia prezantojë këtë qytet, që më mos të jetë një person i izoluar për vëzhgim. I erdhi keq që u soll ashtu ndaj tij. Ishte e vetmuar dhe ndoshta nuk do të ishte keq që të bëhet më aktive në shoqërim. Në atë mënyrë do të dallohej më pak, e ky ishte edhe qëllimi i saj. Sokoli i dukej si një djalë i sjellshëm, i cili vetëm nuk ishte në gjendje që ta fshehë faktin se i pëlqen ajo. Për këtë arsye i telefonoi. - Dëgjo, mund të dal të premten. Kam frikë se kam harruar se si është të dalësh. -Mos u brengos, do të shkojmë hap pas hapi. Dëgjohemi të premten pasdite. - Në rregull. Kur e ndërpreu lidhjen, u ndie shumë më mirë. Për një moment iu kujtua Dini, por ia doli disi që ta heqë nga mendja.

KAPITULLI I DYMBËDHJETË

Mbrëmja ishte e mrekullueshme. Së pari shkuan në një kafene, ku një bend bënte muzikë të vjetër rok "live" dhe ku mbretëronte një atmosferë e mrekullueshme. E më pas, Sokoli e njoftoi me dy shokë të tij, disa djem të gëzueshëm që dinin sesi të kënaqeshin dhe, të gjithë tok, shkuan në një klub të natës, ku vallëzuan derisa shpenzuan edhe atomin e fundit të energjisë. Vlora kishte nevojë për këtë. Ndihej sikur t'i kishte lëshuar frerët aq sa për ta vazhduar vozitjen, që të mos godiste ndonjë mur të vjetër, e që të nesërmen të mund të parkohej aty nga ku ishte nisur. - Me sa shoh, nuk paske harruar sesi të argëtohesh. Muzika ishte tepër e zëshme, prandaj i duhej që t'i afrohej tepër Sokolit, për ta dëgjuar. - Jo, jo! Nuk kam harruar. E edhe ti qenke më argëtues sesa që kam menduar. Po ashtu edhe shokët i paske OK. - Faleminderit. A dmth kjo se, tash e tutje, mund të të ftoj më shpesh që të dalësh me ne? Sytë e tij të gjelbër e pyesnin më shumë se vetëm kaq. Përnjëherë i erdhi dëshira që ta puthte. Nuk e bëri një gjë të tillë, por atë dëshirë e pati derisa, në orën tre të mëngjesit, nuk u ndanë para shtëpisë së saj. Ai vetëm ia puthi dorën, e më pas i tha diçka që e befasoi. - Të dielën në orën pesë do të të presë zoti Malaj në shtëpinë e tij. Nesër do të të thërras që të të tregoj sesi mund të shkosh atje. A është në rregull? - Pse e le këtë për fund, që të ma thuash? - Doja që kjo të ishte një mbrëmje pa biseda të punës, por megjithatë mu desh që të të tregoja. - Mirë, mrekulli. Dëgjohemi nesër! Pasi arriti në banesën e vet, asaj i dukej sikur Sokoli ishte dikush që mund të ishte më shumë sesa shok për të. Nuk ishte dashuruar në të që në shikim të parë, por ai ishte shumë i sjellshëm, i këndshëm, një xhentëlmen i përkryer dhe shumë argëtues. Këtë e kishte zbuluar pak nga pak. Ishte e vërtetë se ai nuk ia shkaktonte atë ndjenjën në bark, sikur që ia shkaktonte prania e Dinit, por me Sokolin ndihej e qetë dhe e kënaqur. E, diku kishte lexuar se femrat martohen me meshkuj të cilët i bënin të ndiheshin ashtu të rehatshme. (vijon)

 

 

(Kosova Sot)