Ngjarje e vërtetë:"NËNA MË TORTURONTE, DONTE TË MË BËNTE MANEKINE" (1)

  • 12 July 2018 - 16:32
Ngjarje e vërtetë:

Nënë, a do të dalësh njëherë?! Për hir të Zotit, që gjysmë ore je brenda. Më duhet të dal pas pak - ashtu e mllefosur po trokisja në dyer ta banjës. - Mos u brengos e dashur, menjëherë po vij. Vetëm sa ta pastroj edhe këtë maskë ushqyese nga fytyra - kjo ishte përgjigja e nënës sime, e ngjashme me një milion përgjigjet tjera. Sikur të mos isha kaq e mllefosur, do t'ia filloja të qeshurave. Kështu që nuk më mbeti gjë tjetër pos t'i shtrëngoj dhëmbët, të dal në korridor dhe t'i prek zilen e fqinjës sime të parë. - Më falni zonja Teuta, por do të dëshiroja t'ju lus për diçka. Në fakt, unë po ngutem në shkollë, e nëna kurrsesi të dalë nga banja. A guxoj për një moment ta përdor banjën tuaj - e pyeta. - Natyrisht shpirt, vetëm urdhëro - m'u përgjigj me një buzëqeshje duke më ftuar në banesën e saj. Pak më vonë, kur kam dalë nga banja e fqinjëve, në banesën e tyre ishte përhapur një aromë e këndshme vanilje. - Mmmm, këtu po vjen një aromë e këndshme. Ju faleminderit shumë për shërbimin dhe mirupafshim - iu falënderova kështu zonjës Teutë dhe u nisa në mënyrë që të kthehem në banesën tonë. - Hej, Tina, për ku po ngutesh kaq shumë? Pikërisht tani po pjek një ëmbëlsirë. Kam shpresuar se do të rrish për kafjall. - Mendoj, të pëlqejnë edhe krofnet apo jo - u pyet duke e vërejtur hutinë time. - Po, i dua shumë. Në fakt i adhuroj - i thashë derisa po më shkonte lëng për gojë. Që nga momenti kur i ati im kishte shkuar në udhëtim zyrtar, nëna po gatuante edhe më rrallë se herëve të tjera. Kryesisht ziente ndonjë supë dhe perime, të cilat tashmë më kishin ardhur në majë të hundës. Me sa duket, nëna ime ishte në njërën nga dietat e saj të pakuptimta dhe ajo që është më e keqja, po mundohej që edhe mua të më ngatërronte me to. Zakonisht ushqehesha me pemë dhe perime të ndryshme, përkatësisht ushqime të shëndetshme ashtu si i quante nëna ime me të cilat na shërbente neve të dyjave e mua nuk më kujtohej kur kisha ngrënë diçka konkrete. - Por, çfarë po pret? Mos ki turp. Ulu lirisht në tavolinë. Jam e sigurt se edhe nëna jote përgatit ëmbëlsira të mira, por jo kaq të shijshme si këto - u tall ajo duke buzëqeshur. Ajo më parë do të vdiste se sa të provonte të hante ëmbëlsira. Thjesht, ato kishin shumë kalori për hijeshinë e saj, po mendja kështu me sarkazëm duke e kafshuar buzën në mënyrë që të mos e them asnjë fjalë. - Çfarë të pëlqejnë më shumë? Ato me xhem, me sheqer apo ndoshta me çokollatë? Në dollap kemi shumë xhem nga dredhëzat, që e kam përgatitur unë. Menjëherë do ta sjell - më tha derisa n ë tavolinë solli krofnet e freskëta, porsa të pjekura. - Nuk keni pse të lodheni. Edhe kështu janë të shijshme - ia thashë këtë fjalë pasi që porsa e shijova ishin të këndshme. Dhjetë minuta më pas pjata para meje ishte e zbrazët. Megjithëse unë isha paksa e turpëruar, fqinja ime ishte e lumtur se unë kaq shumë i dhurova komplimente. - Më vjen mirë që të kanë pëlqyer. Kafjalli është shujta më e rëndësishme e ditës, e ti tani je në zhvillim dhe duhet të hash sa më shumë. Dhe, a dëshiron që edhe herëve tjera t'i shijosh krofnet e mija, lirish kthehu te unë - më tha pandërprerë derisa ma solli edhe kafenë e dytë. - Të faleminderit zonja Teuta. E tash me të vërtetë më duhet të shkoj, përndryshe do të vonohem për në shkollë - iu falënderova me sinqeritet dhe mirësjellje, duke ndjerë një peshë në stomak. Kjo me të vërtetë nuk më duhej. Jo se kam ngrënë tepër, por tashti kur të shkoj në banesë më duhet t'i dëgjoj edhe këshillat e nënës sime. - Epo mirë vajzë, ku ishe deri më tani? Të kam pjekur vezë dhe të kam shtrydhur një lëng të freskët nga grejpfruti. Nuk mund të shkosh në shkollë pa ngrënë kafjall - porsa hyra në korridor, nëna mu hodh me preparate në flokë, e që ky edhe ishte një nga ankthet e mija më të mëdha. (vijon)

 

(Kosova Sot)