Roman dashurie:Gruaja me sekrete (18)

  • 13 July 2018 - 15:54
Roman dashurie:Gruaja me sekrete (18)

Vlora mezi mund ta shikonte. Ishte nën ndikimin e përshtypjeve të forta. Shtëpia fliste shumëçka për këtë njeri, për shijen dhe afinitetet e tij. Por, tani ai i dukej shumë më misterioz, më shumë se përpara. - A të pëlqen shtëpia ime? - Është e mrekullueshme. Më fal, por ende nuk e kam marrë veten nga përshtypja që më ka bërë. - Nuk ka problem. Tanimë jam mësuar që njerëzit të reagojnë kështu. Vetëm mund të them se është dëm që unë nuk kam pasur një ndikim të këtillë te ti. Ajo e shikoi me dyshim. Sikur ai ta dinte se nuk ishte edhe aq larg nga ajo. - Do të doja të flisnim rreth punës. - Po, e di. Më fal për këtë koment, më iku. Në rregull. Kuptova se ke para që të rrinë dhe je e gatshme që t'i investosh ato, për t'i dyfishuar. A do të heqësh dorë nga dyqani i antikiteteve? - Jo, por ajo nuk mund të më sjellë fitim. Nuk dua vetëm ta realizoj ëndrrën, pa pasur mjete për jetesë. - Po, është mirë të mendosh kështu. A mund ta di nga i ka marrë këto para vajza e re? Sokoli nuk deshi të ma thoshte këtë. Ajo u rrëqeth. Kjo ishte një pyetje në të cilën ajo nuk ishte e gatshme që t'ia jepte një përgjigje të plotë. - I kam trashëguar. - Uh, interesant. E sheh, mua më duhet një partner. Kam mjaft para sa t'ia nisi vetë një biznesi dhe zgjerimi të punëve. Këtë ia thashë edhe mikut tënd, përfaqësuesit, a çka e ke. Por, kur mora vesh që bëhet fjalë për ty... më duket se jam i dobët karshi teje. Dhe, në ty ka diçka që e shtynë mashkullin të dëshirojë të të mbrojë me çdo kusht. Kjo është një gjë e njohur, mendoi ajo. Ky mashkull i fliste rreth asaj se do t'ia ofronte një mundësi të mirë për investim, për shkak se e konsideronte të dobët, të pambrojtur, për shkak se ishte e bukur. Ajo nuk e donte një gjë të tillë. Donte që ta merrnin seriozisht. Nëse paratë i kishte nga fati i mirë, nga trashëgimia, kjo nuk donte të thoshte se ajo ishe e paaftë që të fitonte në ndonjë mënyrë tjetër. Kështu mendonin prindërit e saj për të, bile mendimi se ajo është e paaftë, disi iu pëlqente. E tani edhe ky njeri, e poshtëronte më shumë sesa që e meritonte. - Unë nuk kam nevojë për mbrojtje, e as për mëshirë vetëm pse jam femër. Nuk e paske kuptuar Sokolin. Unë kam para dhe kam një vizion për të ardhmen time, kështu që nuk ka nevojë të më mbrojë ndokush vetëm pse jam e re dhe e bukur. Nuk jam e marrë. Ajo u ngrit dhe deshi të dilte, por në atë moment u hap një derë dhe nga ajo hyri një grua shtatshkurtër, me flokë të thinjura, me buzëqeshje në fytyrë. Sytë e saj të kaltër i bënë përshtypje Vlorës. - Nënë, kjo është Vlora, vajza të ka hapur dyqanin, i cili të la pa fjalë. Plaka iu afrua Vlorës dhe e përqafoi me ngrohtësi. Vlora ishte e hutuar dhe nuk diti çka tjetër të bënte, përpos t'ia kthente plakës në të njëjtën mënyrë, me buzëqeshje dhe përqafim. - Më vjen shumë mirë që Zoti, apo fati, të solli këtu. Qyteti ndryshon, por disi gjithmonë shoh njerëz të njëjtë. Dyqani yt e ka freskuar mëhallën, më beso! Ku je nisur kështu? Dini më tha se je e interesuar për punën e tij. Do të ishte mirë sikur një femër e re, kreative, sikur që je ti, t'i freskonte pikëpamjet e tij të rrepta ndaj punës. Ai është një punëtor i mrekullueshëm dhe njohës i tregut, por disi është i ngurtë kur bëhet fjalë për çështje të reja. Disi ka mbetur prapa kohës. (vijon)

 

(Kosova Sot)