Roman dashurie:Gruaja me sekrete (20)

  • 15 July 2018 - 16:36
Roman dashurie:Gruaja me sekrete (20)

Ajo u befasua kur mori vesh se, disa prodhues, blinin këtë xhem, por ia vënin etiketën e vet. Atij nuk i pengonte një gjë e tillë, por tani kishte filluar të mendonte se shumëçka në industrinë ushqimore ishte e rrejshme, dhe se njerëzit do të duhej ta dinin saktësisht çka ishin duke blerë dhe që vet ta bënin dallimin midis ushqimeve të shëndetshme dhe atyre artificiale. Në fund, pasi u kthyen te shtëpia e tij, ajo ishte e lodhur si mos më tepër. Kishin ecur tepër, por Vlorës i ishte lodhur edhe truri, meqë Dini i kishte dhënë shumë informata, të cilat ajo ishte munduar që t'i mbante sa më mirë në mend. Ajo shihte se sa i pëlqente atij puna që bënte, sa i pëlqente natyra dhe ambienti përreth. Donte që edhe vetë të kishte njohuri të tilla, por shihte se kjo nuk ishte e mundur të arrihej brenda natës. Kur arritën te shtëpia, ajo kishte ndërmend që të përshtatej me Dinin, por përsëri aty u pa e ëma e tij. - Darka është gati. Hajde, pse më shikoni ashtu?! Së pari hani darkë, e më pas mund të përshëndeteni. Dini ia hodhi një shikim, sikur donte t'ia bënte me dije se duhej ta dëgjonin plakën shtatshkurtër. Por, pa marrë parasysh sa e lodhur ishte, sapo e pa tryezën me tërë ato ushqime të shëndetshme, Vlorës iu duk sikur kishte pushuar me orë të tëra. Aty kishte pite të llojllojshme, mish të prerë hollë, djathë shtëpie, patate të pjekura... Kur filloi të hante, ishte e sigurt se kurrë në jetë nuk kishte ngrënë ushqime të tilla. E, pas darkës, nëna e Dinit ua solli nga një kafe. - Pije këtë, që të të mos zë gjumi duke vozitur. - Shumë faleminderit! Kurrë nuk kam ngrënë më shumë dhe më mirë. Në vend të nënës u përgjigj i biri. - Mendoj që në sytë e tu sot kam parë interesim për të gjitha ato që ke parë sot këtu dhe kam mundur të vërej se je në gjendje t'i përcjellësh të gjitha. Sa për mua, mund të hysh në partneritet për shitje me pakicë. Më saktë, kam një ide më të mirë. Do të doja që unë të jem përgjegjës për prodhim dhe përpunim, ndërsa ti të jesh ajo që do t'i plasonte të gjitha me markën tonë të re në treg. Investimi yt le të jetë në marketing, në gjetjen e lokaleve, për fillim, ku do të shitet malli ynë. Dhe, natyrisht, pjesa kreative gjithashtu të takon ty. Vlora këtu e pa kurthin. - Investimi im këtu do të ishte shumë më i vogël sesa investimi yt në partneritet. - Nuk e di se sa para ke, por nuk besoj që ke aq shumë sa të paguash kaq shumë vite të përpjekjeve familjare që të arrihet deri këtu! Për këtë arsye do të kesh përqindje nga të ardhurat aq sa edhe të merremi vesh. Mendoj që kjo është punë për avokatët, e jo për ne të dy. Për mua është e rëndësishme që ta di a je e gatshme që ta vazhdosh këtë që ke filluar. Asaj i rrihte zemra fort. Dhe kjo më nuk ndodhte për shkak të afërsisë së tij. Ishte entuziazmi para një gjëje të re e tërheqëse, diçka që e kishte njohur dhe me të cilën ishte frymëzuar. - Po, jam e gatshme. Dhe papritmas iu hodh në përqafim. Vetëm kur e kuptoi që ai përqafim po bëhet shumë i ngrohtë, se dëshiron që të mos e lëshojë kurrë më, u largua. Nëna e Dinit qëndronte pranë tyre dhe buzëqeshej. - Më falni, e bëra nga emocionet. Dini nuk tha asgjë, por vërehej se nuk kishte mbetur indiferent ndaj mbajtjes së trupit të saj aq afër të tijit. (vijon)

 

(Kosova Sot)