Adoleshentët preferojnë të kalojnë kohë me familjen sesa të bëjnë seks

  • 18 July 2018 - 23:11
Adoleshentët preferojnë të kalojnë kohë me familjen sesa të bëjnë seks

Një survejim mbi një mijë adoleshentë të moshave nga 16 deri në 18 vjeç, gjithashtu zbuloi se ata po pinin alkool shumë më pak.

Shërbimi i Këshillimit të Shtatzanisë në Britani tha se kjo mund të shpjegojë një rënie të mprehtë në shtatzanitë e adoleshenteve në Mbretërinë e Bashkuar që nga viti 2007.

Dy të tretat e adoleshentëve thanë se nuk kishin bërë kurrë seks. Dhe 24% thanë se nuk kishin pirë kurrë alkool.

Ditarët ditorë

Raporti i Shërbimit i Këshillimit të Shtatzanisë në Britani tha se brezi aktual i adoleshentëve duket të jetë më i ndjeshëm, më shumë të fokusuar në studimet e tyre dhe karrierat e së ardhmes dhe duan që të shmangin shtatzaninë.

Më shumë se 80% e atyre që u morën në studim thanë se kishin rezultate të mira në provime dhe se kishin zgjedhur që suksesi në karrierë të ishte prioriteti kryesor.

Të rinjtë kishin më shumë tendencë të shihnin kohën që kalonin me familjen si më të rëndësishme se sa kohën që kalonin me miqtë e tyre.

Dhe shumë thanë se puna dhe angazhimet me studimet ua bënin të vështirë që të gjenin kohë për miqtë e tyre.

Por ditarët e tyre ditorë të mbajtur nga studentët si pjesë e studimit gjithashtu zbulojnë se ata po kalojnë një pesëorësh në ditë në internet jo për arsye pune apo studimesh.

Më pak se çereku i atyre që u morën në studim flisnin me shokët e tyre ballëpërballë aq sa flisnin në internet- dhe 70% e tyre flisnin në internet katër herë në javë apo më shumë.

Studiuesit sugjerojnë se të rinjtë që shoqërohen rregullisht ballëpërballë me njëri-tjetrin ose partnerët kanë më shumë gjasa që të jenë seksualisht aktivë.

Edukimi seksual

Numri i shtatzanive tek adoleshentët ka qenë në rënie në 20 vitet e fundit përgjatë të gjithë vendeve të Mbretërisë së Bashkuar, pasi u prezantua një strategji qeveritare për të trajtuar numrin më të lartë të shtatzanive në Europën perëndimore.

Strategjia që çoi drejt një aksesi më të mirë në shërbimet kontraceptive dhe me shumë edukim seksual në shkolla dhe klinika, zgjati 10 vite- por shkalla e lindjeve ka vazhduar të ulet me 50%, që nga viti 2007.

Në 1969, numri i shtatzanive ishte 47 për 1000 femra të reja të moshës 15 deri në 17 vjeç- në 2016 ishte vetëm 19.

Studimi zbuloi se qëndrimet gjithashtu kanë ndryshuar-katër nga pesë të rinj ndjenin se kishte një stigmatizim të lidhur me faktin e të qënurit një prind adoleshent dhe vajzat e reja nuk prisnin më të mbështeteshin nga shteti ose nga familja e tyre nëse do të mbeteshin shtatzënë.

Shumica thanë që ata gjithmonë, ose përgjithësisht, përdornin kontraceptivë kur bënin seks, edhe pse 14% thanë që rrallë osë kurrë.

 

(Kosova Sot)