Ngjarje e vërtetë:Edhe pse jam e ve, kam të drejtë në dashuri (3)

  • 16 August 2018 - 16:07
Ngjarje e vërtetë:Edhe pse jam e ve, kam të drejtë në dashuri (3)

Mund të ketë rënë në shtratin ndihmës, në dhomën tjetër, mendova. E hapa derën ma bërë zhurmë dhe shikova brenda. pamja që pash e damkosi përjetë raportin tim të ardhshëm me Amirin. Ai ishte në përqafim të një infermiereje më të re dhe të pashme. Kur hetuan se i kisha parë, nuk e di se cili nga ne të tre ishte më i tmerruar. Ajo, e hutuar, përthekoi rrobat dhe iku korridorit, e unë pa bërë zë, e shikoja si e shushatur Amirin. Por, ai nuk u dorëzua. I rregulloi rrobat, më pas edhe flokët dhe tanimë ishte i gatshëm për qëndrimin e tij superior. Në vend që të më kërkonte falje, ai filloi të më qortonte duke më pyetur se çka bëja në spital në atë kohë dhe si kisha marrë guximin që të shkoja në spital pa e paralajmëruar. Kush më kishte lejuar të hyja. Spitali nuk qenka han, që njerëzit të hyjnë sa herë që t'iu tekej. Dhe, çka kërkoj unë aty. A isha duke e përcjellë? Si kisha mundur ta merrja një liri të tillë? Ndoshta doja të bëja ndonjë skandal, duke i shkaktuar probleme jo vetëm atij, por edhe tërë familjes, tha ai. Doja që t'i përgjigjesha, të bërtisja, ta ofendoja, t'i thosha krejt çka mendoja rreth dyfytyrësisë së tij, por nuk thash gjë. Nga e pavetëdijshmja më vërshoi çdo gjë që me vite të tëra e kisha shtypur dhe kisha nevojë që ta nxirrja atë nga vetja, por mendimet nuk e gjenin formën adekuate të zëshme. Doja të bërtisja, të ulërija, të rrapëllija, të thyeja gjësende, por nuk bëra asgjë nga këto. Edhe sot e kësaj dite më vjen mirë që veprova kështu. Ndodhi diçka krejtësisht tjetër. Hutimi dhe pafuqia ngadalë i lanë vend diçkaje të re: krenarisë dhe inatit. E shikoja me ngulm në sy dhe e lash që të fliste. Fjalët e tij nuk depërtonin deri te unë. Për herë të parë në jetë fjalët e tij nuk kishin kurrfarë rëndësie për mua. Ato ishin fjalë boshe dhe pa peshë, gjë që e kishte hetuar edhe ai, gjë që e çmendte nga zemërimi. Mburoja e tij e të qenit një burrë me dinjitet dhe i respektuar ishte duke u çarë në të gjitha anët, kurse mburoja ime sa vinte e forcohej. Pas rënies së maskës, në shesh dilte ai Amiri i vërtetë, qyqani narcisoid i cili nuk mërzitej fare as për martesën tonë, as për ndjenjat e mia, a të fëmijëve, por vetëm për reputacionin e vet. Derisa nami i tij binte, vetëbesimi im vetëm rritej. Për herë të parë në jetë ndjeva sesa ai, në fakt, ishte aq i vogël dhe i mjerë. Sikur një fëmijë që zihet në një situatë të palejueshme, ai belbëzonte disa fjalë të mëdha. Ngjante me një qen i cili me anë të lehjes donte që të mbrohej nga një kundërshtar shumë më i madh. Ishte qesharak, e jo i rrezikshëm. Në fund as që e dëgjoja se çka thoshte. Nuk e kam idenë se sa zgjati fjalimi i tij. Di vetëm që u ktheva e qetë dhe u largova. Në shtëpi u ktheva e dëshpëruar dhe e zemëruar, por jo e mjerë dhe e poshtëruar. Amiri sikur që e kisha njohur, më nuk ekzistonte për mua. Isha e zemëruar me veten time, pse isha gruaja e një burri të tillë. Kur u kthye të nesërmen në shtëpi, çdo gjë ishte si zakonisht. Ai bëri dush, u ul në kolltukun e tij, lexonte librat e vet. Bënte krejt atë që bënte edhe zakonisht. Nuk ia thash as edhe një fjalë. Nuk qava, nuk u largova nga shtëpia. Krejt ishte si zakonisht. Por, e dija se më asgjë nuk mund të ishte si më parë, meqë as vet nuk isha më si më parë. Një përzierje e fuqisë, hutimit, lirisë dhe frikës nga liria. Ndihesha sikur një zog i cili sapo kishte dalë nga veza, i hutuar dhe i pambrojtur, por isha e lirë dhe e pjekur për një jetë të pavarur. Më pas erdhën ditët e ankthit. Zemërimi, xhelozia, mjerimi, hakmarrja, ndjenja e keqe, krejt këto erdhën njëra pas tjetrës, në valë të gjata. E, më pas erdhi edhe qetësimi. Deti u tërhoq, duke lënë pas vetes një shkretëtirë të vërtetë. Më nuk ekzistonte burri i madh dhe i respektueshëm. Pas tij kishte mbetur boshllëku, por edhe ndjenja e fitores dhe hapësirës për ndërtimin e diçkaje të re. (vijon)

 

(Kosova Sot)