Roman dashurie:Një jetë më e mirë (11)

  • 20 August 2018 - 16:58
Roman dashurie:Një jetë më e mirë (11)

Ishte martuar vonë, meqë kishte tepër punë, prandaj i përshtatej që të ishte vetëm dashnor, që t'i ndërronte femrat vetëm pse një gjë e tillë i sillte kënaqësi, e më pas, gjatë një udhëtimi, në avion u njoftua me Dafinën dhe ndryshoi çdo gjë. Bënë një dasmë modeste, meqë që të dy ishin të lodhur nga tollovia e njerëzve, nga miqtë e rremë dhe ngjarjet solemne. Donin fort që të kishin fëmijë, por fatin nuk e kishin në anën e tyre. Fertilizimi artificial ishte zgjidhja e vetme, por meqë çdo gjë e donin të natyrshme, nuk pranuan këtë variant. Vizituan ekspertë të ndryshëm dhe vazhduan që të besonin se do t'u realizohej dëshira më e madhe. Dafina i tregonte Jehonës sesi ishte rritur me një nënë e cila ishte narkomane dhe sesi, kur kishte 17 vjet, e kishte dhunuar i dashuri i atëhershëm i nënës, prandaj ishte larguar nga shtëpia dhe kishte përjetuar gjërat më të këqija, para se të dilte në ballinën e një reviste të modës, e fotografuar cullak shokë e përpjetë. Karriera e manekines kishte ndikuar që të jepej pas alkoolit, por kur pinte, pinte vetëm. Nuk donte që askush ta shihte në delirium, prandaj gjatë sesioneve të fotografive dhe në publik dukej si e rilindur. Nga e tërë kjo e nxori vdekja e nënës dhe letra të cilën ia la ajo - testamenti me të cilin vajzës ia kishte lënë dashurinë e saj për jetën. Atëherë edhe Dafina kuptoi se e donte jetën, prandaj pushoi së piri. Më vonë e hapi agjencinë e vet të modës dhe u njoftua me Selamiun. Jehona e regjistroi mjekësinë dhe e përfundoi në një afat shumë të shpejtë. Mësonte dhe mundohej, duke u munduar që, me atë mund, të paktën t'ia kthente Selamiut dhe Dafinës të gjitha të mirat që ia kishin bërë. Kishte qëndruar një vit në specializim në Londër, ku e kishte përsosur anglishten, por në të njëjtën kohë ishte edhe e pikëlluar, meqë gjendej larg njerëzve, të cilët i donte. Mezi priste që të kthehej në atdhe. Por, nuk ia doli që të punësohej si mjeke. Për pediatër nuk kishte shumë punë, kështu që Dafina e bindi që, për një kohë, ta udhëhiqte projektin e linjës së modës për femra. Jehonës i pëlqente ajo punë, ishte kreative, e aty njohu edhe dashurinë e saj të parë, Lazimin, me të cilin vetëm një vit pas puthjes së parë edhe u fejua. Ai ishte disenjator, por kryesisht normal. Kishte gardërobë joformale, dukej modest, vetëm flokët e tij tepër të shkurtra, të ngjyrosura në të bardhë, tregonin se tek ai, megjithatë, përzihen elementet e marrëzisë me kreativitetin. Bënte punë të pavarur, por ishte këshilltar i një grupi të disenjatorëve, të cilët punonin në projektin e Dafinës. Menjëherë ndien simpati për njëri-tjetrin. Jehona e kishte injoruar për një kohë të gjatë, por Lazimi kishte pasur durim dhe dëshirë që ta bënte për vete, prandaj pas nja dhjetë darkash dhe disa qindra thirrjeve dhe porosive, disi ia arriti që ta puthte. E, më pas, kur e mori vesh që Jehona ende ishte "çikë", u dashurua në të edhe më shumë, meqë kishte qenë i bindur se, një femër aq e bukur si ajo, do të duhej ta kishte humbur virgjërinë qëmoti. (vijon)

 

(Kosova Sot)