Roman dashurie:Si u dashurova në ty (35)

  • 21 October 2018 - 16:00
Roman dashurie:Si u dashurova në ty (35)

Nuk e dija se për çka kishte ardhur koha. Ia ngula sytë me një shikim pyetës. Ai e vërejti këtë dhe mu përgjigj. "Për ta bërë ceremoninë, për ta mbyllur arkivolin dhe, për ta varrosur atë". Unë tunda kokën në shenjë pohimi. Ai ma ofroi një karrige dhe unë u ula. Z. Calloway ishte i kthyer me shpinë kah arkivoli dhe fliste. I dëgjoja fjalët e tij, por ato nuk kishin kurrfarë domethënie për mua. Ai fliste rreth Kyle-it, rreth asaj se sa i mrekullueshëm ishte ai, sa njeri i madh ishte, sa shumë premtonte, e sa shkurt zgjati jeta e tij. Por, tani asgjë nuk kishte rëndësi, ai nuk ishte më. Kishte shkuar. Prandaj, fjalët nuk kishin asnjë domethënie. Zonja Calloway nuk mundi të thoshte asgjë. Jason u përqendrua rreth asaj se sa shok i mirë ishte Kyle, ku ato fjalë ishin të vërteta. Më pas më erdhi radha mua. Të gjithë më shikonin. Prisnin diçka nga unë. U ngrita dhe shkova deri te vendi ku kishin folur të gjithë, prapa një podiumi të vogël, me një mikrofon, i cili nuk funksiononte. Menjëherë e pata të qartë se kisha ndryshuar. Nelli i vjetër do ta dinte çka të thoshte, do të gjente fjalë të mira dhe domethënëse, do të fliste rreth asaj se sa i mrekullueshëm ishte Kyle, sa i dashur dhe i kujdesshëm, sesi kishim një të ardhme së bashku. Por, unë nuk thash asgjë nga këto, meqë nuk isha më ajo Nelli i vjetër. "E desha Kyle-n". Ia kisha ngulur sytë drurit të verdhë të podiumit, meqë nuk kisha fuqi që të ballafaqohesha me shikimet ngulitëse të të tjerëve. "E desha aq shumë. Ende e dua, por... ai iku. Nuk di çka të them tjetër". E nxora unazën nga dora e djathtë dhe e mbajta lartë. Disa njerëz ofshanë. "Ai më kërkoi që të martoheshim. Unë i thashë se ishim tepër të ri. I thashë se... do të shkoja në Kaliforni me të. Ai donte të shkonte në Stanford dhe të luante futboll. Por, unë i thashë jo. E, ai tani shkoi". Nuk mund të duroja më, por më duhej. Duqin, i cili më ishte mbledhur në fyt e çova teposhtë, e vura përsëri unazën në gisht dhe u largova nga podiumi, pa ia hedhur sytë arkivolit. E dija, qyshkur kishte vdekur gjyshja Calloway, se ajo "gjëja" që gjendej në arkivol nuk ishte Kyle. Ajo ishte një guaskë, një lëvore e zbrazët. Nuk doja ta shihja atë. Doja që në mendjen time Kyle të mbetej si njeri i fortë, si një Adonis i pashëm, doja t'i mbaja mend muskujt e tij, sesi lëviznin, mënyrën sesi më preknin duart e tij dhe mënyrën sesi djersa e tij përzihej me atë timen. Problemi qëndronte te fakti se, sa herë i mbyllja sytë, gjëja e vetme që më kujtohej, ishte ajo këpucë, sytë e tij që më kërkonin, derisa jeta dilte nga ai. U largova nga funerali, duke dalë nga një derë e prapme. E kisha të vështirë që të ballafaqohesha me realitetin. Flokët më kishin rënë gjithandej, por nuk mundohesha që t'i largoja. Nuk ishte se nuk më pengonin, por disi ai problem më dukej tepër i vogël për të bërë diçka në largimin e tij. Një mendim më sillej vazhdimisht në kokë. Ai më thoshte që të mos qaja, me asnjë kusht. (vijon)

 

(Kosova Sot)