Ngjarje e vërtetë:RAPORTI IM SPECIAL ME MOTRËN (1)

  • 22 October 2018 - 15:56
Ngjarje e vërtetë:RAPORTI IM SPECIAL ME MOTRËN (1)

Kaltrina, ej Kaltrina, zgjohu - po më dridhte bashkëshorti im, duke theksuar se kishte provuar tash e një kohë të gjatë të më zgjonte prej gjumit, derisa unë po e shikoja me frikë, duke mos e kuptuar se për çfarë po bëhej fjalë. Isha e bindur që tash e një kohë të gjatë isha e zgjuar, por se ishte tepër herët që të zgjohesha. - Mirë Drilon, përse po më bën budalla, që të shërbej ty me shprehjen e lumtur në fytyrë - kërceva e zemëruar nga qëndrimi shtrirë në atë ulur, e pikëlluar që menjëherë në mëngjes, ende pa u zgjuar mirë, në mënyrë aq banale të ma prishë disponimin. - Si po të bëj budalla? Do të duhej të lejoja që të bërtasësh, sa gjatë? - Po bërtas? Unë kam bërtitur? Çfarë ke ti kështu? Unë jam zgjuar tash e një kohë të gjatë! Nëse ke dëgjuar britma, atëherë përsëri ke nevojë për ndihmë psikiatrike -po e rregulloja me ashpërsi shtratin tonë të gjumit, për t'u larguar sa më shpejt nga aty. Me të vërtetë isha ngopur me fajësimet e tij, duke më fajësuar mua për marrëzirat që i bënte ai vetë. Me vite të tëra ai kishte ankthe, bërtiste në gjumë, si dhe shikonte në mënyrë të habitshme, deri në momentin derisa e zgjonim unë dhe fëmijët. Pasi të ishte zgjuar zemra i rrihte fort dhe i nevojiteshin së paku dhjetë minuta derisa të kthjellej. E kemi lutur, por pa sukses, që të shkonte te mjeku deri në momentin kur të rrahurat e zemrës iu forcuan edhe kur ishte zgjuar. Tashmë përdor ilaçe për nerva, nuk konsumon alkool dhe nuk ka më ankthe. Tash e disa vite martesa jonë është në krizë, e cila duket të mos përfundojë kurrë. Mund të thuhej lirisht se martesa jonë përfundimisht ishte rrënuar. Që të dy jemi në marrëdhënie pune, duke marrë parasysh se unë gjithmonë bëja punët e shtëpisë dhe kujdesesha për fëmijët. Financat ekskluzivisht ishin brengë e imja, derisa paratë e tij shërbenin vetëm për para xhepi, si dhe për ta përmbushur ndonjë hobi të tijin. Komunikimi ishte në zero. Shumë herë kam filluar biseda konstruktive, e secilën fjalë time ai e interpretonte dhe i lënduar lëshonte shtëpinë. Në disa herë kam propozuar shkurorëzim, e dorëzohesha kur ai më bindte se po kalonim për mrekulli. Nuk më fliste për asgjë kurrë, por duke duruar kam mbetur në martesë. Gjithmonë bënte që vendimet e tij të gabuara të m'i vishte mua, e me vendimet e mia të sakta, para miqve dhe para fëmijëve thoshte se ishin vetëm të tijat. Më konkretisht, kur kemi blerë veturë të re, i kam propozuar një model të caktuar, e ai kishte propozuar një tjetër. Marrë parasysh dijen e tij të llojeve të ndryshme të makinave, me lehtësi e kam pranuar propozimin e tij. Nuk kemi pasur fat dhe vetura, megjithëse ishte me garancion, u prish. Së pari tha para nesh, familjes, e më pas edhe para fqinjëve: - Epo, kështu është kur ta zgjedh veturën gruaja. Në fillim kam menduar se po mahitej, mirëpo vëllait të tij po ia "shpjegonte" edhe më në detaje: "e sheh, vetura e re, e tashmë janë shfaqur telashe. Nuk ishte dashur ta dëgjoja Kaltrinën gjatë blerjes". - Drilon, nuk po mundem t'u besoj veshëve të mi! Si mund të flasësh diçka të tillë?! Po kjo ishte zgjedhja jote - po përmbahesha nga vaji, më shumë për faktin se gabimet e veta i hidhte tek unë. Pas fjalëve të mia, sikurse gjithmonë kur i kundërvihesha, binte në një gjendje anormale, thuajse nuk ishte i vetëdijshëm për rrethin dhe përsëriste fjalët: - Përse po më bën budalla, me të vërtetë po mendon se jam i çmendur!?! (vijon) 

 

(Kosova Sot)