Roman dashurie:Si u dashurova në ty (37)

  • 23 October 2018 - 16:54
Roman dashurie:Si u dashurova në ty (37)

"Tymi i parë do të të sjellë marramendje. Edhe pse ka kaluar një kohë e gjatë". Ai e mori cigaren dhe e thithi, duke e nxjerrë tymin nga hunda. "Kujdes, mos u mëso, OK? Nuk dua që unë të bëhem sebep që ti të bëhesh e varur nga duhani. Kjo është një shprehi e keqe. Më duhet ta lë". Ai e thithi edhe një herë cigaren, duke demantuar kështu fjalët e veta. Ai u mbështet për druri, sikur pesha e zisë të ishte tepër e madhe që ai të mund ta bartte. Unë e njihja atë ndjenjë. E mora cigaren nga gishtat e tij, duke injoruar faktin që, derisa preka gishtat e tij, ndjeva një drithërimë të lehtë, të çuditshme dhe të pavetëdijshme. E thitha edhe një herë, e shijova tymin, e nxora atë jashtë, u kollita edhe një herë, por kësaj here më pak. Ndjeva sesi më kaploi një marramendje. Më pëlqente ajo ndjenjë. E thitha edhe një herë, e më pas ia ktheva. Pashë nënën time, duke më shikuar nëpër derën të cilën e kisha lënë të hapur. Edhe Colton shikoi në atë drejtim. "Dreq. Më duket se është koha për të shkuar". "A mund të vij me ty?" Ai nuk tha asgjë për një moment. Ishte më i gjatë se unë, me shpatulla të gjera, me duar të trasha. Pashë se ishte masiv. Kyle ishte disi "normal", Colton ishte… diçka tjetër. Disi i fuqishëm. I fortë. Disi rustik. "Të vish me mua?" Duket se ai nuk e kishte pritur këtë kërkesë. "Deri te varrezat. Ata do të duan që të bisedojnë me mua. Të më bëjnë pyetje. Thjesht... nuk mundem". Ai e thithi cigaren edhe një herë, më pas e hodhi filtrin me gishta dhe e shkeli atë. "Sigurisht. Hajde". E ndjeka deri te vetura e tij "Ford F-250" me goma të gjera dhe me dy auspuha. Ishte e tëra e mbuluar nga pluhuri. Dëgjova zërin e nënës sime në distancë, por nuk u ktheva. E dija se nuk mund t'iu bëja ballë pyetjeve të saj. Colton e hapi derën e udhëtarit të përparmë për mua, duke ma zgjatur dorën dhe duke më ngrehur lart. Përsëri ndjeva një si rrymë duke ma përshkuar trupin, por, në të njëjtën kohë ndjeva edhe një ndjenjë tepër të madhe të fajit. Iu afrova derisa u ula në vendin tim. Atij i vinte era duhan dhe kolonjë dhe, një aromë tjetër, e papërcaktuar. E pashë duke u përpirë dhe duke shikuar anash, duke ma lëshuar dorën sa më parë që qe e mundur. Ai e fshiu dorën për pantallonash, sikur të donte ta fshinte një kujtim. Ai ishte aty, afër meje, duke e ndezur veturën. Pasi u nisëm, filloi muzika. Këndonte një zë femre dhe një zë mashkulli, duke arritur një harmoni e cila të frikësonte: "…nëse vdes para se të zgjohem... e di se Zoti nuk do të ma marrë shpirtin... jam një i vdekur që ecën... jam një i vdekur që ecën…" Diçka e çuditshme ndodhi në mua, sa që mu desh t'i shtrëngoja nofullat, derisa më dhembën. "Çka - kush po këndon?" pyeta me një zë i cili nuk e di si më doli. "Është bendi 'The Civil Wars'. Kënga quhet 'Barton Hollow.'" "Është e mrekullueshme". "Ende nuk e ke dëgjuar të tërën". Unë rrudha supet. "Kjo këngë… sikur flet për mua". (vijon)

 

(Kosova Sot)