Ngjarje e vërtetë:E URREJ JETËN TIME (7)

  • 12 November 2018 - 16:14
Ngjarje e vërtetë:E URREJ JETËN TIME (7)

Shumë shpejt Flora arriti te dyqani, por në vete kishte gjithnjë e më shumë dilema. Si ishte ajo mikesha e saj Dardanja? A ishte ajo ndoshta më e mençur? I ishte përkushtuar vetëm vetes dhe nevojave të veta, duke mos i interesuar askush tjetër, e për veten e gatshme që të bënte gjithçka. Ndiente se një stil i tillë i jetës nuk ishte për të, por herëherë i dukej se gjërat nuk qëndronin edhe aq keq. Por, ato momente ishin me të vërtetë vetëm momente të dobësisë, kur Flora ishte e lodhur dhe e sfilitur nga jeta bashkëshortore, në të cilën mungonin momentet e bukura, e ku kishte gjithnjë e më shumë largime dhe grindje. Nuk mendonte që Blerimi nuk e donte, por sikur kishte pushuar së munduari rreth saj. Edhe kjo me Dardanen është një dëshmi se, për të, ishte krejt njësoj çka do të mendonte rreth tij, a do të zemërohej për shkak se ai nuk donte të sakrifikohej për shkak të mikeshës së saj. I dukej se i urrente që të dy, e deri dje edhe ajo pajtohej me të duke gjykuar stilin e jetës së Dardanes. Dhe, tani mendonte se ishte egoiste, urrente amoralitetin e saj dhe faktin se fshihej, duke bërë diçka që nuk ishte në rregull. Por, kishte vërejtur se ajo ia bënte qejfin vetes, për dallim nga Flora, e cila mundohej që t'ua bënte qejfin të tjerëve, ku këta të fundit nuk dinin ta vlerësonin një gjë të tillë. Shoqja e saj çdo gjë e bënte vetëm për veten e saj, prandaj edhe kishte një shëndet aq të mirë, derisa Flora sahat e dakik shkonte te mjeku. Edhe vetë asaj i ishte mërzitur një stil i tillë i jetës, kurse mjekja vetëm i rrudhte krahët: - Ju ka rënë imuniteti. Forcojeni atë! Pushoni më shumë, i ikni stresit - i tregonte ajo krejt çka duhej bërë. I duhej edhe të ngopej gjumë, gjë që planifikonte ta bënte këtë pasdite, derisa nuk e thirri Dardania, duke e lutur që t'ia lëshonte shtëpinë. E tendosur Flora e shikonte celularin një orë të plotë, duke shpresuar që shoqja do ta thërriste, duke i thënë se i kishte dështuar plani, se nuk do të shkonte tek ajo. E tendosur dëgjonte heshtjen e shtëpisë, por telefoni nuk bënte zë se nuk bënte. Marrëveshja e tyre ishte se, nëse ajo nuk thërriste, marrëveshja vlente. D.m.th. se edhe në këtë rast, marrëveshja ishte e vlefshme. Për këtë shkak ia mësyu dyqanit për ta përgatitur shtëpinë për "mysafirët". Nuk mund të besonte se kishte vepruar kështu dhjetë vjet me radhë. Çdo herë kishte menduar: vetëm edhe këtë herë, vetëm edhe një herë... derisa kishte kuptuar se çka ishte duke ndodhur, kishin kaluar vitet. Ndonjëherë këtë e përjetonte si një aventurë të vogël, si ndonjë piknik. Shkonte me Fadilin në banesën e saj, duke ngrënë të gjitha ëmbëlsirat që i kishte në frigorifer. Banesa e saj ishte rregulluar sipas modës, një risi e vërtetë, kështu që Fadili kënaqej duke prekur pulla të ndryshme. - Një hakmarrje e vogël - mendonte kur makina për larjen e enëve nuk punonte pas qëndrimit të tyre. Disa herë me Blerimin kishte bërë dashuri në banesën e saj. Fadili ishte në një ditëlindje, Dardania në banesën e tyre, e ata dy përfundimisht së bashku dhe, vetëm. Ndodhte që të mos takoheshin me ditë të tëra, e kur binte në mbrëmje për të fjetur, burri shpesh ende gjendej në punë. (vijon)

 

(Kosova Sot)